Vilma Bello: Gjuha si pasuri turistike – kur rrënjët bëhen itinerar

by Flora Baba


Në këtë intervistë ekskluzive për Travel Magazine Balkans, znj. Vilma Bello – gjuhëtare, pedagoge dhe ish-zëvendësministre e Turizmit dhe Mjedisit,  na fton në një reflektim të thellë për rolin e gjuhës dhe trashëgimisë kulturore në ndërtimin e një turizmi të qëndrueshëm në Shqipëri. Me një përvojë të gjerë akademike dhe institucionale, ajo rrëfen sesi fjala, historia dhe identiteti lokal mund të kthehen në përvoja unike për vizitorët, por edhe në motor zhvillimi për komunitetet vendase.
Në bisedë, ajo ndan nismat konkrete që ka udhëhequr, sfidat që ka përballuar dhe vizionin për një model turistik ku turisti nuk është vetëm kalimtar, por pjesë e shpirtit të vendit që viziton.

1. Zonja Bello, vini nga një profil akademik shumë i fortë në fushën e gjuhësisë. Si keni arritur ta lidhni këtë formim me promovimin e trashëgimisë kulturore dhe zhvillimin e turizmit në qarkun e Vlorës dhe më gjerë në nivel kombëtar, ku edhe tashmë keni pasur përgjegjësinë si zëvendësministre e turizmit?

Faleminderit për këtë mundësi komunikimi bashkë, është kënaqësi, po aq edhe privilegj t’i bashkohem në një kohë të bukur kësaj reviste nga më të mirat e më të plotat për turizmin në Shqipëri.

 Është e vërtetë që formimi im akademik është në gjuhësi, dhe për shumëkënd kjo mund të duket larg nga fushat e turizmit apo zhvillimit lokal. Por në fakt, gjuha është një nga elementet më të thella të trashëgimisë kulturore, është gjuha ajo që mbart historinë, identitetin dhe mënyrën se si një komunitet e sheh botën.

Unë e kam parë gjithmonë formimin në gjuhësi më shumë sesa një karrierë akademike, jo thjesht si studim teorik, por si një çelës për të kuptuar dhe mbrojtur kulturën tonë, si bartësja më e fuqishme e identitetit kombëtar, e ruajtjes së kujtesës kolektive dhe historive lokale. Pasioni për fjalën më ka ndihmuar të kuptoj më mirë shpirtin e këtij vendi.

Në punën time si zëvendësministre e turizmit e kam parë të domosdoshme që zhvillimi turistik të mos jetë vetëm ekonomik, por i lidhur ngushtë me trashëgiminë kulturore, përfshirë atë gjuhësore. Sepse e dimë që turistët kërkojnë përvoja autentike dhe autenticiteti buron nga historia, nga zakonet, nga mënyra si flasim e si tregojmë historitë tona.

Dhe në Vlorë, një vend me identitet të fortë kulturor që ka një trashëgimi të jashtëzakonshme historike dhe gjuhësore, kjo lidhje është edhe më e prekshme. E kam menduar, besuar dhe jam angazhuar që trashëgimia kulturore edhe në guidat turistike të mos shihet si dekor, por si përmbajtje.

Kemi bashkëpunuar mirë me drejtorinë rajonale të kulturës kombëtare në Vlorë apo edhe me institucione të tjera të kulturës, qofshin kombëtare a të pushtetit vendor, kemi promovuar këngën polifonike përmes festivaleve me traditë tashmë të qëndrueshme si “Aulona Folk Fest”, toponiminë e vjetër dhe historitë lokale si pjesë e itinerareve turistike. Formimi më ka ndihmuar të kuptoj dhe të vlerësoj këto asete dhe mëpastaj t’i kthejmë në mjete të zhvillimit të qëndrueshëm, sepse edhe përtej këndvështrimit institucional, e besoj fort se zhvillimi turistik i qëndrueshëm duhet të ndërtohet mbi autenticitetin.

Turizmi nuk është vetëm bukuri, është histori, gjuhë, kujtesë, është emocion. Dhe pikërisht këtu fillon udhëtimi më i vërtetë për një vizitor.

2. Gjatë ushtrimit të detyrës tuaj në qeveri, cilat kanë qenë iniciativat konkrete që keni ndërmarrë për të promovuar turizmin kulturor dhe gjuhësor në zonat me potencial të lartë si Vlora, Labëria, Himara apo Narta? (apo edhe çdo projekt tjetër që mban “firmën” tuaj)

Gjatë ushtrimit të detyrës sime si zëvendësministre e Turizmit, një nga nismat më të rëndësishme, më të bukura e të vyera të MTM-së, realizuar me përkushtim maksimal dhe punë energjike të AKT, dhe që kam mbështetur fort, ka qenë ndërtimi i TEA – Tourism Events Albania- kalendari i integruar kulturor përmes një platforme online që u përhap në miliona njerëz, diçka surprizuese për këtë nismë që sa u krijua.  TEA si një guidë e vërtetë dhe një “One Stop Shop” përmes shkarkimit në telefon ofron edhe informacione të tjera të domosdoshme për çdo turist të huaj apo vizitor vendas, përditësimi i së cilës shërben për të orientuar strategjinë e politikave të turizmit si dhe për të tërhequr një numër të lartë vizitorësh, duke dhënë mundësinë të njihen preferencat e përdoruesve për eventet më të pëlqyera, kategoritë dhe destinacionet turistike që ata përzgjedhin, duke orientuar edhe mbështetësit e organizatorët drejt prodhimit të formateve të duhura të eventeve turistike dhe paketave më të plota turistike në tërësi.

Sigurisht që brenda këtij kalendari, Vlora, me pasurinë e saj të jashtëzakonshme në traditë, polifoni, gastronomi dhe trashëgimi të gjallë, u bë dhe vazhdon të jetë një nga qarqet më të dallueshme për promovimin e turizmit kulturor nëpërmjet eventeve dhe festivaleve autentike, një skenë e trashëgimisë së gjallë, ku turizmi dhe kultura ecin bashkë dhe festivalet nuk janë thjesht e vetëm ngjarje argëtimi, por mjete për të nxitur identitetin, ekonominë lokale dhe turizmin me vlera.

Kemi mbështetur e organizuar aktivitete në zona si Labëria, Narta dhe Himara – që nga festivalet e polifonisë, te netët e rrëfimit, panaire artizanati dhe shfaqje që lidhin brezat me traditën. Në këtë kalendar kanë zënë vend festivale të njohura e të lidhura pashmangshërisht me traditën e Qarkut, por, gjithashtu, kemi mbështetur edhe festivale moderne dhe ndërkombëtare, si: South Outdoor Festival, Solar Festival Saranda, Kala Festival, Lova Festival, të cilët sjellin një përzierje unike të muzikës, natyrës dhe sporteve ekstreme, duke tërhequr një audiencë të rinjsh nga e gjithë Europa.

Kjo qasje e balancuar – duke promovuar trashëgiminë kulturore, por edhe aktivitetet bashkëkohore dhe kreative – ka kontribuuar në zhvillimin e një turizmi të qëndrueshëm dhe të larmishëm në qarkun e Vlorës, ku komuniteti lokal bëhet mikpritësi, ndihet protagonist dhe zënë vend vlerat e vendit në çdo stinë.

3. Nga përvoja juaj si pedagoge dhe më pas si politikane, a mendoni se sektori i turizmit në Shqipëri po e shfrytëzon siç duhet pasurinë gjuhësore, etnografike dhe leksikore të territoreve të ndryshme? Po resurset natyrore?

Shqipëria është një vend i vogël në sipërfaqe, por me një pasuri të jashtëzakonshme në thellësi, të plotë, në natyrë, histori, trashëgimi, kulinari, etnografi apo edhe në gjuhë.

Shpesh e mendoj, siç edhe e besoj, që thesaret gjuhësore të zonave të ndryshme: dialektet, fjalori i rrallë, toponimet, mënyrat tradicionale të të folurit, nuk duhen lënë në harresë, as të trajtohen si kuriozitete folklorike; përkundrazi, janë burime të vlefshme kulturore.

Dhe ka vëmendje të shtuar për shfrytëzimin e këtyre pasurive. Edhe sepse ndërgjegjësimi që turizmi i qëndrueshëm nuk ndërtohet vetëm mbi hotele dhe plazhe, është rritur; turisti a vizitori e plotëson përvojën e vet me kontaktin që merr me historinë lokale, me gjuhën, me zakonet, me mënyrën se si komuniteti ruan lidhjen me natyrën dhe me të shkuarën.

Resurset natyrore të Shqipëri? Një mrekulli.

Shqipëria është tashmë në hartën turistike, e përzgjedhura çdo vit e më shumë turistëve nga çdo cep i botës; promovimi i destinacioneve natyrore është fantastik. Por sfida e madhe është menaxhimi i tyre afatgjatë, jo vetëm shfrytëzimi sezonal.

Ne, edhe si vend i vogël gjeografikisht por që ofrojmë gjithçka për një përvojë të paharrueshme, kemi nevojë për një ekuilibër të vërtetë mes zhvillimit dhe ruajtjes – një filozofi që vlen njësoj për një mal, për një lagunë, por edhe për një këngë polifonike apo një fjalor të harruar fshati.

Turizmi i vërtetë është ai që e lë një vend më të pasur shpirtërisht pas çdo vizite – jo vetëm ekonomikisht. Kjo qasje është dhe e vlerësoj të vetmen të duhur.

Sepse një turist mund të harrojë një guidë, por nuk harron kurrë shpirtin që gjeti atje ku kaloi, ndenji e shijoi.

4. Cilat janë, sipas jush, disa nga sfdiat më të mëdha që duhet të kapërcente industria e turizmit në 10 vitet e fundit?

Historikisht, Shqipëria ka patur potencial për turizëm, por asnjëherë vizion dhe, aq më pak, strategji. Në 10 vitet e fundit, industria shqiptare e turizmit ka bërë hapa të mëdha përpara e në këto 10 vjet kemi pasur si vizionin, dhe strategjinë, dhe ky është një hap që ka përcaktuar zhvillimin ekonomik, social, por edhe kulturor të Shqipërisë në dekadat e ardhshme.

Por po, patjetër, në këto vite ka patur sfida, sepse turizmi është ndërsektorial dhe sinergjik. Çdo sfidë në një sektor si turizmi e me të tillë ndjeshmëri duhet të vlerësohet si një sfidë serioze që meriton e duhet adresuar me kurajo dhe koherencë.

 E para gjë që ndjeshëm ka patur qasje të re, ka qenë ajo e të parit dhe të trajtuarit e zhvillimit turistik  të qëndrueshëm, jo të përqendruar në sezonin veror dhe në pak zona bregdetare, por duke nxitur, ndihmuar e rritur turizmin edhe me pasuritë tona malore, rurale a kulturore të brendësisë së vendit.

Sfidë kanë qenë standardet, që nga ato infrastrukturore dhe sot po e shohim që aty ku infrastruktura ka ecur më shpejt, turizmi është zhvilluar eksponencialisht (fshatrat, agroturizmet, bujtinat, guest-houset); dhe ardhja e brandeve ndërkombetare të hotelerisë e ka ngritur në një tjetër nivel standardin e turizmit shqiptar, deri te standardet e shërbimit; kemi pasur një boshllëk në standardizimin e shërbimit dhe mungesën e një kulture mikpritjeje të strukturuar profesionalisht – diçka që nuk lidhet vetëm me investime, por me formimin e vazhdueshëm të fuqisë punëtore në këtë sektor.

 Një sfidë tjetër ka qenë ruajtja e identitetit kulturor dhe natyror përballë zhvillimit, ndaj edhe përpjekja e MTM apo politikave për turizmin ka qenë, me vëmendje të shtuar e të posaçme, te sendërtimi i një turizmi të vërtetë lokal, pa e fshirë karakterin lokal, përkundrazi, duke e theksuar atë. Duke dashur e duke u përpjekur për të ruajtur një balancë delikate mes zhvillimit ekonomik dhe ruajtjes së autenticitetit.

Do doja t’i jepja peshën dhe vëmendjen e duhur një sfide që, në dukje, është lehtësisht e kalueshme, por në realitet, mbetet e tillë: bashkëpunimi, ai midis institucioneve, sektorit privat, shoqërisë civile dhe vetë komuniteteve lokale.

Sepse turizmi nuk ndërtohet nga një aktor i vetëm, por është një zinxhir e hallkat janë pjesë e rëndësishme e një produkti të mirë, por që kërkon vizion të përbashkët dhe angazhim afatgjatë.

Besoj, në një pikë biem dakord të gjithë; ajo që ka qenë dhe do vazhdojme ta kemi patjetër, është sfida me standardet, sepse, sa më shumë bëhet, aq më shumë kërkohet.

Dhe ndaj sfidat shtohen: zhvillimi i një kuadri të ri rregullator, ripërcaktimi i sistemit të menaxhimit të destinacioneve, përcaktimi i qartë i përgjegjësive dhe miratimi i metodave të reja të menaxhimit për të monitoruar treguesit e performancës në mënyrë efektive.

Kjo qasje nuk e sheh zhvillimin e qëndrueshëm si një pengesë, por si një bazë thelbësore për rritje afatgjatë në të ardhmen, duke e vënë theksin te nevoja për një strategji sistematike dhe të zbatuar plotësisht në të gjitha nivelet e menaxhimit të turizmit, me qëllim garantimin e zhvillimit të balancuar dhe të qëndrueshëm në aspektet ekonomike, sociale dhe mjedisore.

Turizmi është një nga shtyllat e zhvillimit të ekonomisë së Shqipërisë, dhe me të gjithë punën e madhe që bëhet çdo ditë nga qeveria dhe edhe operatorët turistikë është jashtëzakonisht e rëndësishme që sfidat bashkëkohore duhet të trajtojnë:

– Përmirësimin e vazhdueshëm të sistemit të taksimit për sektorin e turizmit, i cili sot është mjaft favorizues për biznesin. Një fokus thelbësor është të garantohet që këto përmirësime të jenë praktike dhe të zbatueshme, me qëllim që të reduktohet ekonomia joformale në sektorin e turizmit.

– Përmirësimi i rregulloreve për përcaktimin dhe zbatimin e standardeve të cilësisë dhe sigurisë është thelbësor për mbrojtjen e turistëve dhe përmirësimin e përvojave të tyre. Këtu përfshihen të gjitha aspektet, nga garantimi i sigurisë së akomodimeve dhe shërbimeve të transportit, e deri te respektimi i standardeve të higjienës në restorante. Një sistem i fortë rregullator është thelbësor që Shqipëria të pozicionohet si një destinacion turistik i sigurt dhe i besueshëm, pasi këto janë aspekte kyçe për të tërhequr turistë të sofistikuar/me mirëqenie të lartë ekonomike;

– Rritja e standarteve të shërbimit në turizëm dhe që qartëson detyrimet dhe të drejtat e ofruesve të shërbimeve turistike dhe të konsumatorëve, është thelbësor për të garantuar transparencë dhe cilësi në të gjithë industrinë e turizmit.

5. Gjatë ushtrimit të detyrës tuaj, a jeni përballur me sfida të mentalitetit lokal apo me mungesë bashkëpunimi ndërinstitucional kur bëhej fjalë për zhvillimin e projekteve të turizmit të qëndrueshëm? Si i keni adresuar?

Një detyrë e përmbushur quhet, në gjykimin tim, ajo e sfidave që ti përball, përpjekjes për t’ia dalë dhe realizimit me sukses të saj.

Po, padyshim ka patur dhe këtë e vlerësoj shumë të natyrshme kur përpiqesh të ndryshosh ritme, të prezantosh qasje të reja apo të prekësh zona ku zhvillimi ka qenë i ngadaltë apo ka qenë i fragmentuar, ku hallkat e një zinxhiri nuk lidhen për të sjellë produktin që duhet.

Herë-herë ka qenë skepticizmi lokal – jo gjithmonë për mungesë dëshire, por, ndoshta, për shkak të zhgënjimeve të mëparshme apo prej mosbesimit se projektet do sjellin ndryshim të vërtetë. Apo, pse jo, edhe prej mungesës se kapaciteteve vendore.

Një gjë ama e kam mësuar mirë: respekti për njerëzit dhe punën është kyç. Sepse nuk mund të kërkosh të flasësh për “turizëm të qëndrueshëm” me një gjuhë burokratike. Duhet të flasësh me njerëzit, të dëgjosh, të kuptosh dhe ta ndërtosh projektin si një bashkëpunim, jo si një “zbarkim”.

Nga ana tjetër, bashkëpunimi ndërinstitucional është hera-herës një provë sfiduese durimi në Shqipëri, ku funksionon edhe mirë, por herë të tjera edhe çalon, sepse përballesh me ritme jo të njëjta të punës a ndonjë përplasje kompetencash. Megjithatë ajo që e kam forcuar e përforcuar, është rëndësia e komunikimit direkt dhe besimit personal si ura përtej burokracive. Shpesh kjo ka dhënë rezultatin që duhej. Sepse turizmi i qëndrueshëm kërkon jo vetëm politika të mira, por marrëdhënie të mira. Dhe për mua, ndërtimi i këtyre marrëdhënieve me komunitetin, me pushtetin vendor, me aktorë të tjerë publikë a përfaqësues privatë të sektorit të turzmit, ka qenë pjesa më sfiduese, por edhe më e bukura dhe e paçmueshmja e kësaj detyre si zëvendësministre e Turizmit dhe Mjedisit, duke e besuar se zhvillimi nuk është kurrë thjesht teknik, është marrëdhënie, është mirëbesim, është durim.

6. A mendoni se mungesa e një strategjie të unifikuar për promovimin e vlerave lokale nëpërmjet Treguesve Gjeografikë dhe trashëgimisë jomateriale është një ndër faktorët që e pengon diferencimin e turizmit shqiptar në tregun ndërkombëtar?

Kemi pasur një strategji që Shqipëria e panjohur, ose e keqnjohur e bunkerëve dhe komunizmit, të njihet si destinacion turistik në Mesdhe. Dhe kjo nuk ndodhur në dekada, por vetëm në 4-5 vitet e fundit. Patjetër tani duhet të kalojmë në stadin tjetër duke u diferencuar edhe përmes këtyre që ju thoni.

Sepse, padyshim që mungesa e një strategjie të unifikuar për promovimin e vlerave lokale përmes Treguesve Gjeografikë dhe trashëgimisë jomateriale është një pengesë sfiduese.

Shqipëria ka potencial të jashtëzakonshëm për të ndërtuar një identitet turistik të dallueshëm dhe një strategji kombëtare që lidh treguesit gjeografikë, trashëgiminë kulturore dhe turizmin do të ishte një nga mënyrat më të mençura për të ndërtuar një Shqipëri turistike të dallueshme, të vërtetë dhe të qëndrueshme.

Strategjia e re e turizmit ka në fokus zhvillimin dhe krijimin e produkteve turistike që mund të shijohen gjatë gjithë vitit, duke përfshirë këtu zhvillimin e produkteve jomateriale, pra krijimin e përvojave të reja në bazë të parimeve të krijimit të vlerës, si dhe zhvillimin e produkteve materiale, pra atë të infrastrukturës së produkteve turistike.

Ideja thelbësore është të zhvillohen plane strategjike gjithëpërfshirëse që synojnë të zhvillojnë produkte sipas destinacioneve përkatëse, duke ofruar përvoja të gatshme dhe unike për t’u prezantuar në treg.

Suksesi i një produkti turistik gjatë gjithë vitit qëndron në investimet strategjike në infrastrukturë, të cilat identifikohen lehtësisht nga jugu në veri, investime të cilat janë thelbësore për rritjen e diversitetit dhe cilësisë së turizmit gjatë të gjitha stinëve, veçanërisht në rajonet e nënzhvilluara.

Planet strategjike i kanë dhënë përparësi iniciativave të zhvillimit të produkteve jomateriale, si vizitat tematike, eventet unike dhe përvojat gjithëpërfshirëse, duke synuar t’i bëjnë ofertat turistike më tërheqëse dhe të veçanta, duke integruar njëkohësisht destinacionet e njohura me zonat përreth tyre.

7. Si do ta përfytyronit ju një model të qëndrueshëm zhvillimi turistik për jugun e Shqipërisë që të mos bazohet vetëm në sezonin veror por të përfshijë edhe komponentin arsimor, kulturor dhe gjuhësor gjatë gjithë vitit?

Kjo është ajo që po bëhet në këto vite. Sepse zhvillimi turistik i jugut nuk duhet të ndodhë vetëm në gusht, por gjithë vitin, me mendje, me zemër dhe me kujtesë.

Po bëhet kjo duke promovuar turizmin kulturor, natyror, atë të eventeve dhe edukativ gjatë gjithë vitit, përmes kampeve, festivaleve, agroturizmit dhe aktivitetit në natyrë që nuk varen nga vera.

Diversifikimi është çelësi.

Sot kemi festivale që në maj në bregdet, që sjellin mijëra të rinj. Kemi hotele që qëndrojnë hapur gjithë vitin, e pamendueshme deri 8-10 vite më parë.

Por është proces që do kohën e vet dhe kjo kërkon të mësohen si ofertuesit e shërbimit, edhe kërkuesit me ketë trend.

Ajo që gjithnjë kam menduar, është se jo vetëm Vlora, por klima e butë e bregdetit të jugut, lejon që turizmi në vendin tonë të shtrihet në 365 ditë.

Modeli që unë përfytyroj për një zhvillim të qëndrueshëm turistik në jugun e Shqipërisë nuk është i lidhur vetëm me diellin dhe detin, por me historinë, gjuhën dhe dijen. E shoh si një model ku turizmi nuk është vetëm konsum, por edhe mësim, përvojë dhe përfshirje.

1. Turizëm gjithëvjetor me kalendar të pasur kulturor dhe edukativ.

Përmes platformës TEA dhe bashkëpunimit me bashkitë, është plotësisht e mundur të krijohet një kalendar festivalesh, punëtorish, ekspozitash dhe ngjarjesh edukative që shpërndahen përgjatë të gjithë vitit – nga polifonia e dimrit në Labëri, te rrëfimi i mitologjisë së Nartës në pranverë, apo ditët e artizanatit në Himarë gjatë vjeshtës.

2. Qendra edukimi kulturore në bashkëpunim me universitetet.

Imagjinoj qendra të vogla kërkimore, muze të gjallë ose laboratorë të trashëgimisë ku studentë shqiptarë dhe të huaj vijnë për të dokumentuar dialektet, për të studiuar artin popullor, për të marrë pjesë në ekspedita kulturore apo për të bërë praktikë në guidat turistike me fokus të trashëgimisë.

3. Paketa turistike tematike për çdo stinë, për çdo brez.

Një familje mund të vijë në janar për një fundjavë ku fëmijët mësojnë të bëjnë bukë tradicionale dhe të gdhendin dru, ndërsa prindërit ndjekin rrëfimet gojore të një banori të vjetër. Të rinjtë mund të ndjekin kampe verore kulturore, studentët mund të bëjnë “field research” mbi etnogjuhësinë ose folklorin.

4. Bashkëjetesa e turizmit me komunitetin lokal.

Ky model nuk duhet të zhvillojë turizmin mbi komunitetin, por me komunitetin. Banorët janë jo vetëm pritës, por aktorë dhe bartës të kulturës. Të ardhurat mbeten në zonë dhe traditat nuk “shfaqen” për turistët, por ruhen sepse kanë vlerë reale dhe rol ekonomik.

8. Në cilat pika mendoni se duhet të fokusohet një reformë kombëtare për zhvillimin e turizmit kulturor dhe edukativ – në kurrikulat shkollore, në fuqizimin e muzeve lokalë, apo në ndërlidhjen me universitetet si qendra kërkimore? Apo edhe cdo mundësi tjetër që është e nevojshme për të bërë më të mirën.

 Mendoj se fokusi duhet vënë në përvojat autentike dhe unike që pasqyrojnë traditat dhe kulturën e shqiptare duke integruar elementet edukative që ofrojnë njohuri për mjedisin vendas, biodiversitetin dhe rëndësinë e qëndrueshmërisë. Gjithashtu, shoh të nevojshme një ndërlidhje të fortë në arsim dhe grupeve të interesit në sektorin e turizmit në zonën e destinacionit përkatës. Stimuj të tillë, si: grantet, programet e mentorimit dhe trajnimet e targetuara për praktikat më të fundit të tregut duhen edhe që të kontribuojnë në zhvillimin më të gjerë social të sektorit të turizmit në përgjigje të kërkesave të tregut.

 Të rinjtë në Shqipëri duhet të ndjekin karriera në industrinë e turizmit dhe hotelerisë.

Qeveria ka adresuar sfidat dhe po përmirëson kornizat e arsimit profesional dhe të arsimit të lartë, duke bërë të mundur që të rinjtë të mos kenë më opsione të kufizuara pas përfundimit të arsimit të mesëm. Përditësimi i kurrikulës për të pasqyruar njohuritë praktike, veçanërisht në nivelin e arsimit të mesëm, do t’i pajisë studentët me aftësi praktike që përputhen me kërkesat e industrisë, duke e bërë kështu sektorin më tërheqës për të rinjtë.

Së pari, programet e arsimit të lartë janë duke u harmonizuar me nevojat e tregut dhe të sektorit, duke e vënë theksin te programet e specializuara në menaxhimin e destinacionit dhe hoteleve. Si pasojë, përmirësimet e kurrikulës, duke filluar me arsimin profesional dhe duke u shtrirë deri në arsimin e lartë (të mesëm), në një periudhë afatmesme do të sigurojë që Shqipëria të përgatitë ekspertë me arsim të lartë në sektorin e turizmit dhe hotelerisë.

 Një nismë e mirë mund të ishte akademia UN TOURISM ACADEMY, ideja për të cilën është hedhur nga Sekretari i Përgjithshëm i UN Tourism, për ta ngritur e patur në Tiranë si qendër rajonale.

 Një reformë kombëtare për zhvillimin e turizmit kulturor dhe edukativ duhet të fokusohet në disa shtylla paralele që ndërveprojnë me njëra-tjetrën. Nuk mjafton ta promovojmë kulturën, duhet ta mësojmë, ta jetojmë dhe ta përfshijmë në mënyrë organike në jetën e përditshme, që nga shkolla deri te politika zhvillimore përmes: rifreskimit të kurrikulave shkollore me fokus te trashëgimia lokale, fuqizimit të muzeve lokale dhe qendrave komunitare si hapësira të gjalla, krijimit të një boshti aktiv kërkimi dhe praktike midis universiteteve dhe sektorit, ndërtimit të një platforme digjitale kombëtare për edukim dhe promovim të trashëgimisë…

Sepse turizmi kulturor nuk ndërtohet vetëm me buxhete dhe guida – por me shkolla, muze të gjalla dhe universitete që e kthejnë trashëgiminë në njohje të përbashkët.

10. A ka pasur një moment gjatë karrierës suaj ku e keni ndjerë që një projekt në fushën e turizmit kishte potencial të madh, por dështoi për shkak të pengesave sistemike? Çfarë mësimi morët nga ai rast?

 Kushdo që ndjek një rrugë, që angazhohet në një punë, që kryen detyra, ka, padyshim, momente ku e ka ndjerë potencialin e një ideje, por nuk është arritur të çojë përpara ashtu siç dëshiron – jo për mungesë përkushtimi, por për shkak të ndonjë pengese, objektive a jo.

Dhe një ide që, në vlerësimin tim, ishte një nevojë e domosdoshmëri për të nxitur jo thjesht zhvillimin e sektorit, por, më së pari, standardizimin dhe cilësinë në sektor, qëndrueshmërinë dhe bashkëpunimin ndërinstitucional dhe jo vetëm, ishte ajo e ngritjes së organizatave të menaxhimit të destinacioneve, një nga 5 shtyllat e strategjisë së kaluar dhe që, tanimë, në strategjinë e re, është vënë në fokus për ta çuar para.

Kjo kërkon bashkëpunim ndërinstitucional, fonde të përbashkëta dhe angazhim lokal.

Dhe asnjë projekt, edhe më i bukuri dhe më me shpirt, nuk ecën nëse nuk ka një strukturë funksionale mbështetëse, qartësi roli ndërmjet aktorëve, dhe mbi të gjitha një kulturë bashkëpunimi real. Dhe zhvillimi i qëndrueshëm nuk vjen vetëm nga vizioni a dëshira, por nga ekzekutimi i përbashkët.

 11. Nëse do të kishit mundësi të krijonit një platformë kombëtare për promovimin e turizmit bazuar në vlerat gjuhësore dhe identitare shqiptare, cilat do të ishin tre prioritetet kryesore që do të vendosnit?

 Nëse do të kisha mundësinë të krijoja një platformë kombëtare për promovimin e turizmit mbi bazën e vlerave gjuhësore dhe identitare shqiptare, do të vendosja prioritete kryesore:

– Përfshirja e pasurisë gjuhësore (dialekte, toponime) në rrëfimin turistik;

– Digjitalizimi i trashëgimisë jomateriale (audio-guida, storytelling)

– Aktivizimi i komuniteteve lokale si bartës të identitetit dhe përvojës turistike

– Hartimi i një harte gjuhësore dhe etnografike të Shqipërisë turistike, sepse potenciali turistik i Shqipërisë është fantastik.

You may also like

Adblock Detected

Please support us by disabling your AdBlocker extension from your browsers for our website.