Në zbulim të brigjeve të Himarës, me “Niko Dabot” e kohëve moderne ose me djemtë e “Explore Himara”

by Flora Baba

Reportazh udhëtimi nga Ilirjan Gjika

Prej disa sezonesh turistike Himara është shndërruar edhe në një pikënisje të udhëtimeve me skaf përgjatë brigjeve shkëmbore të Rivierës Shqiptare. Ndërkohë që këtë vit funksionojnë jo pak, por 24 operatorë turistikë që ofrojnë këtë shërbim. Të vendosur në Spile, në zonën më të rrahur të qytetit, pranë molit, ato zhvillojnë me varkat e tyre udhëtime përgjatë dy itinerarëve kryesorë. Të parit, përgjatë drejtimit Himarë-Karaburun dhe të dytit, Himarë-Porto Palermo. Një udhëtim të tillë vendosëm të bëjmë edhe ne, të ftuar nga djemtë e ‘’Exploring Himara’’, një prej tur-operatorëve që veprojnë këtu. Pikërisht një të dielë gushti, pasi shijuam kafen e mëngjesit në një nga baret e kësaj zone, u paraqitëm te stenda në fjalë. Njëlloj si edhe ne sportelet e tjerë, këtu shërbenin djem dhe vajza të reja plot kulturë dhe mirësjellje. Ajo që na bëri përshtypje ishte se ishin jo vetëm shqiptarë por edhe të huaj nga vende me gjeografi të shpërndarë. Gjeje aty vajza nga Franca, Spanja, Maroku dhe Argjentina e largët, që kanë përqafuar trendin e ri të pushimëve që paguhen me punë. Të rinj që bartnin një mentalitet të ri, që kuptoheshin dhe ishin përshtatur shumë mirë midis tyre.

Dhe kështu, pas një komunikimi të shkurtër me Marion, një sipërmarrës të ri vendas që ka ngritur një biznes të vogël sezonal, u nisëm drejt “mjetit”, siç pëlqejnë jugorët t`u thonë shkurt varkave e skafeve të vogla. Varkat ankorohen  të gjitha në molin aty pranë shëtitores. Pikërisht këtu na priti Nikoja, ‘’kapiteni’’, një djalosh 22-vjeçar nga Himara që kishte disa vite që shërbente në këtë sektor të ri të turizmit. Së bashku me ne në skaf u akomoduan edhe një grup turistësh të huaj, kryesisht të rinj. Ndërkohë që varka nisi të lëvizë në ujë, Nikoja, i cili pas prezantimit në anglisht nisi të bëjë edhe rolin e guidës turistike, bëri një rezyme të shkurtër të vendeve që do të vizitonin.

Sapo dolëm nga gjiri i Spilesë, nën zhurmën e motorave që përplaseshin me valët e detit, morëm drejtimin e veriut ku panorama e parë që u shfaq ishte Livadhi, një nga plazhet më të preferuara dhe të qeta të kësaj zone, sipër të cilit mbi kurorat e ullinjve shekullorë ngrihet madhështore kështjella e Himarës. Ndërsa pas tij, përballë nesh doli gjiri me emrin e çuditshëm i ‘’Gjiri i Akuariumit’’. – Quhet kështu, nisi të tregojë Nikua për shkak të ujërave të tij të kthjellëta, thuajse transparente, ku mund të shohësh edhe peshqit që notojnë. Në një moment skafi u ndal dhe ne, shqiptarë dhe të huaj, nisëm të ‘’zhbironim’’ me sy ujin ngjyrë blu të Jonit, që nën rrezatimin e diellit të fortë të verës merrte nuanca si të argjendit.

Ndërkohë, vijoi përsëri shpjegimin ai, ku ndihej theksi tipik i dialektik jugor të shqipes, pas këtij gjiri kemi Jalin, plazhin e bukur të Vunoit, ngritur sipër në shpatin e malit të Mjegulloshit. – Njihet me emrin ‘’Mjegullosh’’, sepse gjatë gjithë vitit në shpatet e tij grumbullohen retë. ‘’Bjer o Mjegullosh pse s’bie, që nga fundi der në krie …’’, – thuhet në vargjet e një kënge popullore, mu drejtua Nikua, në fytyrën e të cilit shihja se e dashuronte punën që bënte. Qesha natyrshëm dhe instiktivisht ktheva vështrimin nga malet e Vetëtimës, Akrokeraunet e Antikitetit, që nga deti ku ndodheshim, të imponojnë madhështinë e tyre.

Teksa kishim lundruar një cope here mbi blunë e mrekullueshme të ujërave, na u shfaq para Kanioni i Gjipesë me gjithë magjinë e tij dhe me plazhin e bardhë aty pranë, në cepin e të cilit ndodhet edhe Shpella e Piratëve. Përveç historisë së saj kjo shpellë është siç e dime shumë prej nesh, edhe pjesë e letërsisë shqiptare. Prej saj buron subjekti i romanit me të njëjtin emër i Petro Markos, një prej shkrimtarëve më të njohur të letërsisë tonë, iu drejtua përsëri Nikua të huajve, të cilët nisën të dëgjonin këtë herë më me interes. Biles një nga personazhet e tij, Niko Daboja, ka të njëjtin emër si unë, ose më mirë unë quhem si ai, se jam më i vogël, shtoi duke qeshur e pse jo, edhe  me krenari të ligjshme ‘’Kapiteni pesëmbëdhjetëvjeçar” i anijes, që përballë Dhërmiut të Petro Markos, na ngacmonte imagjinatën, duke sjellë afër personazhin e famshëm të Zhyl Vernit.

E ndërsa erdhi komanda për tu zhytur në det dhe të gjithë nxituan të freskoheshin në ujin e kaltër, unë që nuk e kisha atë luks, nisa të bashkëbisedoja me kapitenin e ri. I lindur dhe i rritur në Himarë, ai kishte kryer një shkollë të mesme profesionale në Athinë. Dhe pas saj, ishte kthyer në vendlindje, ku së bashku me vëllain dhe familjen kishin nisur këtë aktivitet, që përveç profesionalizmit kërkonte edhe përgjegjësi të lartë. Gjatë bisedës më tregoi së të gjithë djemtë që merreshin me këtë veprimtari, përpiqeshin të tregoheshin shumë korrektë dhe të kujdeshëm për vetë specifikën e shërbimit dhe rreziqet që paraqet deti, sidomos për ata që nuk dinë not apo që nuk kanë udhëtuar ndonjëherë larg brigjeve.

Kaluam rreth një orë aty së bashku, ku midis valëve që përkundnin më tregoi disa foto dhe video të brigjeve të mrekullueshme të Jonit. Ndërkohë të kënaqur nga noti dhe qëndrimi në breg, bashkudhëtarët tanë, nisën të ngjiten një e nga një nëpërmjet shkallares në bord dhe kështu vijuam udhëtimin më tej drejt gjirit të Gramës ose Gramatës, në Karaburun. Edhe aty qëndruam njëfarë kohe, për të soditur peisazhin e magjishëm, bregun me ujë kristal dhe mbi të gjitha dëshmitë e shkruara në shkëmb të që të gdhendin mbresa me peshën që historia dhe arkeolgjia ka krijuar këtu. Një here tjetër do t`ju tregojmë më shumë për Gjirin e Gramës.

Me këto përshtypje nisëm përsëri rrugën e kthimit ku për të shkundur paksa përgjumjen që krijon deti, kapiten Nikoja, ashtu si Niko Daboja i Petros së Bregut, na tregonte herë pas here me rrëfenjëza në ligjëratë të zhdrejtë të dhëna nga kjo pjesë e rivierës shqiptare.

Së fundmi, mbërritëm në mol ku Mario, së bashku me djemtë e tjerë të ‘’ekuipazhit’’, Keltin, Aleksin dhe ‘’Kushon’’, një personazh i qeshur dhe gazmor, na ndihmuam të zbrisnim në stere. Duke na pyetur gjithë mirësjellje se si shkoi udhëtimi, na uruan qëndrim të këndshëm  në Himarë dhe na falenderuan gjithë mirësjellje që kishim zgjedhur grupin e tyre për të “eksploruar” brigjet e saj.

E ndërsa djemtë shkuan të ndihmonin turistët e varkës tjetër që sapo mbërriti, unë iu bashkova grupit të bashkëudhëtarëve të mi, zërat dhe toni i lartë i të cilëve, ishin ‘’feedback-u’’ më i mirë që tregonte se edhe ne shqiptarët dimë të bëjmë shumë mirë turizëm, nëse e bëjmë thjesht e me dashuri, por mbi të gjitha, me ndjenjë të lartë përgjegjësie.      

You may also like

Adblock Detected

Please support us by disabling your AdBlocker extension from your browsers for our website.