Zbulo Zhulatin, zemrën e Labërisë

Reportazh nga Dorina Muhaj

by admin

Në zemër të Labërisë, mes krahinave të Kardhiqit, Himarës, Kurveleshit dhe Rrëzomës, shtrihet Zhulati, një fshat me shpirt të paepur, ku gurët tregojnë histori shekullore e natyra qëndron madhështore dhe krenare. Ndër historitë e shumta që zbuluam për të, dy prej tyre na marrosën dhe janë dy arsye të forta pse duhet vizituar nga çdo njeri që dëshiron të njohë Shqipërinë e vërtetë.

Së pari, sipas disa burimeve, plot 900 vjet më parë, në këtë fshat ka lindur kënga më e vjetër shqiptare, që këndohet edhe sot, “Me Bizant të zu inati”. Nuk është veç këngë, por edhe trashëgim i historisë ndër breza, dhe rrëfen qëndresën e banorëve të zonës kundër bizantinëve, të prirë nga Petro Zhulati.

Së dyti këtu zë fill “E drejta zakonore e Labërisë”, ndryshe “Kanuni i Labërisë”, që i atribuohet Papa Zhulit, prift i zonës në kohën e pushtimeve normane, rreth shekullit të 11-të. Ama rrënjët e kanunit janë më të hershme, dhe në njëfarë kuptimi autori i vërtetë është Labëria, sepse aty pasqyrohej shpirti i saj: nderi ishte institucion, fjala peshonte më shumë se guri, besa vuloste çdo marrëveshje dhe mikpritja ishte e shenjtë. Më vonë, në shekullin XVIII, ky kod i pashkruar u përpunua nga Idriz Suli, shtatoren e të cilit e soditëm në mes të fshatit, në vend të rrapit ku dikur kuvendonin burrat e urtë të zonës.

Tek gjarpëronim nëpër Zhulat dhe shijonim një perëndim të pashoq mes malesh krenare, mbërritëm te Zhulat Ecovillage, një shtëpi më shumë se 300-vjeçare e kthyer në “guesthouse”. Avllia e gurtë si qëmoti, degët e rrushit që vareshin mbi të e një banor i fshatit që na buzëqeshi si të njiheshim prej vitesh na “paralajmëruan” se pas portës prej  të bujtinës fshihej një epokë tjetër, ku jeta jetohej thjesht, ngadalë, qetë, dhe lidhjet me natyrën e traditën kishin rrënjë të thella.

Mes qetësisë që thyhej veç nga tingujt e natyrës, u ndjemë si në ndonjë film të vjetër shqiptar tek përkuleshim pak që të kalonim nëpër dyert e harkuara, “u shkëmbyem” me një sënduk që mund të kishte mbajtur paja nusesh dikur, pushuam një copë herë te dhoma me oxhak e orendi të vjetra dhe ecëm mbi qilimë e rrugica të vjetra. Mbi të gjitha u kthyen në fëmijëri kur zihej rakija me rrushin e fundit të sezonit. E bëmë edhe “Gëzuar!” me nga një teke dhe shijuam ushqimin e gatuar me frytet e bahçes që ndodhej rreth e rrotull shtëpisë.

Nga biseda me të zotin e bujtinës zbuluam që kjo shtëpi e trashëguar brez pas brezi ishte dëshmi mbijetese. Çfarë s’kishte provuar: dy herë ishte përpirë nga zjarri, ishte zaptuar nga forcat e huaja, ishin dëbuar banorët e saj, kishte provuar dhimbjen e braktisjes së fshatrave në kohët e sotme e megjithatë qëndronte ende, dhe për herë të parë këtë vit kishte hapur dyert e zemrën për vizitorët nga Shqipëria dhe bota, një hap i madh me të bukura dhe sfida plot.

Përveç historive të shumta, të rrëfyera me dashuri nga Fatmir Aliko, guidë kombëtare e bir i këtij fshati, u njohëm edhe me destinacionet e aktivitetet jo të pakta që ofron Zhulati e zonat përreth. Disa pika që ia vlejnë të vizitohen janë:

Lumi i Zhulatit, pjesë e Parkut Kombëtar të Vjosës, është i aksesueshëm për këmbësorët dhe vend ideal ku adhuruesit e natyrës mund të bëjnë ecje, fotografi dhe të kënaqen me pamjet mbresëlënëse të maleve përreth.

Bredhi i Zhulatit, zonë e mbrojtur që gëzon statusin Rezervat Natyror i Menaxhuar, dhe në verë kthehet në «shtëpi» për dy stane barinjsh. Periudhat më të bukura për t’u shijuar nga vizitorët janë pranvera dhe vjeshta, që ofrojnë spektakël ngjyrash. Ecja nëpër rezervat zgjat rreth 6 orë vajtje-ardhje nga Zhulati. Siç na rrëfeu Fatmiri, më aventurierët ngjiten në majën e Lucës, 1830 m lartësi, një nga majat më të larta në pjesën jugperëndimore të Shqipërisë.

Fshati i Kaparjelit, 4-5 orë ecje vajtje-ardhje nga Zhulati. Këtij fshati të braktisur i kanë mbetur veç shtëpi të rrënuara e gurë që mbartin histori që pret të rrëfehet e të dëgjohet.

Kalaja dhe Fshati i vjetër i Kardhiqit, 2 destinacione që arritëm t’i vizitojmë edhe vetë, na lanë pa fjalë. Të apasionuarit pas historisë, arkitekturës dhe maleve do të përjetojnë një përvojë unike në Kalanë e ndërtuar mes shekujve XIV-XV, që është shpallur Monument Kulture i Kategorisë I që nga viti 1963. Fshati i vjetër, ndonëse me shtëpi të rrënuara, të befason me arkitekturën tradiciona

le të Labërisë. E ndërsa eksploronim të udhëhequr nga shpirti aventurier, u shpërblyem me ca pamje kaq madhështore të maleve e luginës së Drinit poshtë, sa thamë: «edhe sikur vetëm një prej këtyre pamjeve të shihnim, do t’ia vlente gjithë udhëtimi!»

Në rrugën e kthimit, mund të vizitohej edhe Manastiri i Çepos, objekt kulti dhe qendër me vlera kulturore dhe historike, i shpallur Monument i Kategorisë I.

Tek largoheshim, i hodhëm edhe një vështrim të fundit rrugës për në Zhulat, si për të ruajtur edhe ca kujtime në shpirt, jo në celular, e për të ndjerë edhe një herë si rreh zemra e Labërisë, ku na pritën me zemër të hapur!

You may also like

Adblock Detected

Please support us by disabling your AdBlocker extension from your browsers for our website.