Shqipëria, dikur e panjohur në hartën e turizmit europian, sot po jeton ditët e saj të “zbulimit të madh”. Çdo verë, plazhet mbushen me vizitorë, Alpet presin turistë “aventurierë”, qytetet historike gumëzhijnë nga zërat shumëgjuhësh. Kjo duket si një ëndërr që më në fund po bëhet realitet – dhe në shumë drejtime është. Por njëkohësisht, ka nisur të ndihet edhe një lodhje e padukshme, një tension që rritet bashkë me fluksin turistik.

Po përballemi me atë që quhet over-tourism – mbingarkesë turistike që shkel kufijtë e durimit të natyrës, infrastrukturës dhe vetë komuniteteve lokale. Ka mjaftuar vetëm një dekadë që disa prej vendeve më autentike shqiptare të kalojnë nga “perlë e fshehur” në “e tejmbushur dhe e lodhur”. Dhërmiu, Thethi, Ksamili apo Gjirokastra gjatë sezonit të lartë ofrojnë më shumë radhë dhe zhurmë, sesa përvojë.

Problemi nuk qëndron vetëm te numri i madh i turistëve, por te mungesa e përgatitjes për t’i përballuar ata. Rrugë të ngushta, mungesë e ujit dhe energjisë, plazhe që nuk pastrohen dot me ritmin e përdorimit të tyre, janë vetëm disa nga simptomat. Më keq akoma, një pjesë e madhe e ndërtimeve dhe investimeve turistike ndjekin një logjikë afatshkurtër – të maksimizojnë fitimin brenda një sezoni, pa u menduar për ndikimin që lënë pas.

Ky presion ekonomik reflektohet edhe në çmimet që përballojnë vendasit. Në shumë zona turistike, banorët e zakonshëm po e kanë gjithnjë e më të vështirë të përballojnë jetesën. Qiratë janë rritur ndjeshëm, pasi apartamentet jepen për turistë me çmime të larta. Produktet bazë shtrenjtohen gjatë verës, ndërsa luhatja e euros e bën të paqëndrueshëm edhe fitimin për bizneset lokale. Shqipëria po bëhet gjithnjë e më shumë një ekonomi sezonale, ku shumë gjëra varen nga disa muaj të nxehtë, dhe gjithçka tjetër mbetet në hije.

E megjithatë, ka ende kohë për të ndërtuar një model turizmi më të mençur. Në disa zona ka nisur të flitet për turizëm të qëndrueshëm, për agroturizëm, për udhëtime me ritme më të ngadalta dhe me më shumë përfshirje të komuniteteve vendase. Shembujt janë ende të pakët, por frymëzues. Rrugëtimi është i gjatë, dhe kërkon jo vetëm plane e rregulla nga lart, por edhe vetëdije dhe përgjegjësi nga të gjithë ne – operatorët turistikë, vizitorët, vendasit.
Sepse nëse duam që Shqipëria të vazhdojë të jetë e bukur edhe pas pesë, dhjetë apo njëzet vjetësh, duhet të dimë kur të themi “mjaft” – jo mikpritjes, por shfrytëzimit të verbër. Dhe ta kthejmë turizmin nga një rrezik, në një mundësi që nuk e ha vetveten.
Rexhina Malasi – Sondor Travel, June 2025


