Lejoje ushqimin tonë të të tregojë historinë e Shqipërisë

by Flora Baba

Kevjano Shehaj

Në moshën 28-vjeçare, kam kaluar më shumë se një dekadë në kuzhina – nga rrugicat plot jetë të Tiranës deri te fshatrat e qeta buzë detit Jon. Por asgjë nuk krahasohet me energjinë që ndjehet në Jug të Shqipërisë gjatë verës. Nuk është vetëm dielli dhe deti – është ushqimi, aromat, ngrohtësia e tryezave tona. Dhe unë besoj se, më shumë se kurrë, kuzhina shqiptare nuk po ushqen vetëm njerëzit – ajo po i tërheq ata.

Ndërsa përgatitem për një tjetër sezon të ngarkuar vere, e shoh çdo ditë ndryshimin. Vizitorët ndërkombëtarë po vijnë jo vetëm për të zbuluar plazhet apo sitet e trashëgimisë botërore të UNESCO-s, por për të përjetuar diçka të vërtetë në pjatat e tyre. Ata vijnë të uritur për autenticitet – dhe pikërisht këtë ofron kuzhina shqiptare.

Identiteti ynë kulinar është i rrënjosur në thjeshtësi dhe shpirt. Në Jug të Shqipërisë, punojmë me tokën dhe detin. Gatuajmë me barishte të egra, përdorim vaj ulliri të ftohtë të presuar që është prodhuar njësoj prej brezash, dhe ndërtojmë receta mbi përbërës që janë mbledhur nga kopshti atë mëngjes, ose janë kapur në gjirin tonë atë pasdite.

Por ajo që po i tërheq njerëzit nuk është vetëm vetë ushqimi – është mënyra se si hamë. Këtu, çdo vakt është një festë. Ka një ritëm të veçantë: pjata të vogla për të ndarë me miqtë, fruta deti të pjekura me limon dhe rozmarinë, gota rakie që përplasen mes tregimesh. Në një botë që lëviz shumë shpejt, darka shqiptare të fton të ngadalësosh dhe të lidhesh.

Kam vënë re diçka të bukur vitet e fundit: turistët nuk kërkojnë më vetëm ushqime të njohura. Ata duan ushqimin tonë. Kërkojnë tavë kosi, janë kureshtarë për byrek të bërë në mënyrën tradicionale, dhe po dashurohen me pjata si qifqitë dhe petullat që i gjen vetëm në fshatrat tona. Kjo kureshtje më motivon si kuzhinier – jo për të ndryshuar atë që bëjmë, por për t’u thelluar edhe më shumë në rrënjët tona.

Qëllimi im këtë verë është i thjeshtë: të tregoj historinë tonë përmes çdo pjate që shërbej. Dua që vizitorët të largohen jo vetëm me stomakun plot, por me një dashuri më të thellë për Shqipërinë—për kulturën e saj, mikpritjen, dhe forcën e saj.

Bota e gastronomisë po fillon të vërejë atë që ne e kemi ditur gjithmonë: Shqipëria ka diçka të veçantë. Ne nuk po përpiqemi të konkurojmë – thjesht po jemi vetvetja. Dhe kjo ndershmëri, kjo pastërti, është ajo që po i fiton njerëzit.

Prandaj, nëse këtë verë ndodheni në Jug, ejani të uritur. Le t`ju udhëheqë era e kripës drejt një taverne buzë detit, provoni diçka që nuk e keni shijuar më parë, dhe lejoni ushqimin tonë t’ju tregojë historinë e Shqipërisë.

You may also like

Adblock Detected

Please support us by disabling your AdBlocker extension from your browsers for our website.