Kali i Shtrigës ose Murgesha-një shfaqje e bukur e natyrës

by Flora Baba

Insekti i veçantë i përhapur gjerësisht në Shqipëri, që merr emrin nga …

Që nga egjiptianët dhe grekët e lashtë, shumë bestytni janë krijuar për këtë insekt të mrekullueshëm.

Prometeu (duke ndjekur shpjegimin e Platonit) mund ta ketë marrë emrin nga pikërisht ky insekt që edhe në latinisht ka të njëjtin kuptim: para + njohje.

Rrënja proto-indo-evropiane e fjalës shqipe “mend”, e ruajtur me kuptimin e saj origjinal në shqip dhe në gjuhët latine, greke, sllave dhe sanskrite, shërben si baza semantike për emrin e këtij insekti, të cilit tradicionalisht i qe atribuar një kapaciteti i thellë për “paranjohje” dhe “paradije”.

Ky insekt është përdorur si simbolikë që në lashtësi. Tek “Libri i të Vdekurve” i egjiptasve të lashtë, ky insekt përshkruhet si udhërrëfyesi i të vdekurve në botën e përtejme. Emri në shqip “Kali i shtrigës”, mund të jetë emërtim i kohëve të tanishme. Ndoshta në kushtet e moslejimit absolut të përmendjes së fesë pas viteve të komunizmit, kalket (kopjimet) nga emërtimet e gjuhëve të tjera si ‘mantisi që lutet’ janë shmangur me të tilla përfytyrime. Një emër tjetër me të cilin njihet tek ne, është ‘murgesha’ (emër i cili vjen nga pozicioni në të cilin mban zakonisht duart (këmbët e përparme), si të qe duke u lutur).

Kali i shtrigës në gjuhën e popullit, ka disa specifika shumë të veçanta për botën e insekteve. Pyetje, sa insekte keni parë të kthejnë kokën majtas-djathtas? Epo Mantisi është i vetmi që mundet, dhe me 180° madje, një avantazh i madh në zhdërvjellësi. Mantisi ka 5 sy. Dy shumë të dukshëm anash kokës, dhe tre më të vegjël sipër në çaçkë. Dy sytë e mëdhenj, realizojnë një shikim 3D të objekteve në lëvizje. Janë unikalë e më të avancuar nga kjo anë se syri njerëzor. Tre të sipërmit mendohet se shërbejnë për të dalluar dritën.

Jo vetëm kaq por Mantis ka edhe një vesh që ndodhet në bark, pranë dyshes së fundit të këmbëve. Kjo është një aftësi shtesë që pak insekte e kanë (p.sh. karkalecët dhe fluturat). Por me atë vesh ato kapin vetëm tingëllimat e larta. Zhurmat e tjera i perceptojnë nga valët që ato krijojnë.

Ja edhe krenaria e koleksionit. Ky griu është i rrallë. Mantis ka disa lloje të ndryshme (në dijeninë time në territorin e Shqipërisë kemi vetëm këta të tre, por nëpër botë ka specie të ndryshme të kësaj familjeje, me maskime të pabesueshme trupore si gjethe e si lule. Femrat e këtyre lindin deri në një mijë të vegjël njëherësh. Femrat janë kanibale. Pas çiftëzimit 1 në 4 femra këpusin dhe hanë kokën e mashkullit.

Ky insekt ka edhe një lëvizje si spazmë majtas-djathtas. Besohet se atë lëvizje e bën në funksion të krijimit të një pamjeje më të mirë 3D, ose për t’u dukur të frikshëm. Fotoja në Bulshizë – Rubik.

Mantisi që lutet, murgesha ose kali i shtrigës, është një insekt i padëmshëm për njeriun, haset gjerësisht në natyrën shqiptare dhe është një nga gjallesat e vogla të botës së faunës shqiptare për të cilën ia vlen të kërrusesh pak e ta vështrosh nga pranë kur ta hasësh.

You may also like

Adblock Detected

Please support us by disabling your AdBlocker extension from your browsers for our website.