Në kuadër të përgatitjeve për buxhetin e ri 2026-të Shoqata Mikrobirrarive Artizanale Shqiptare i dergon institucioneve të shtetit dhe parlamentit propozimin me objekt:
Rishikimi i modelit të taksimit të akcizës për prodhuesit e vegjël të birrës vendase (deri në 10,000 HL/vit) në kuadrin e Paketës Fiskale 2026
1. Sfondi dhe problematika
Nga data 1 janar 2023 hyri në fuqi unifikimi i nivelit të akcizës për birrën e prodhuar në vend me atë të birrës së importuar. Ky ndryshim u argumentua në atë kohë si një masë për të nxitur konkurrencën dhe për të shmangur fragmentimin e tregut, duke konsideruar se tavani ekzistues prej 200 mijë hektolitra në vit për të aplikuar nivel taksimi të reduktuar frenonte rritjen e prodhimit vendas.
Megjithatë, pas afërsisht tre vitesh zbatim, efektet tregojnë një zhvendosje të dukshme të ekuilibrit të tregut në favor të importit:
Pesha e birrës së importuar në konsumin total ka arritur rreth 70%;
Prodhuesit e vegjël artizanalë (me prodhim deri në 10,000 HL/vit) janë më të goditurit, për shkak të pamundësisë për të përballuar të njëjtin nivel akcize si prodhuesit e mëdhenj ndërkombëtar.
Ky efekt shkon në kundërshtim me frymën e Direktivës 92/83/EEC të Bashkimit Europian, e cila u njeh shteteve anëtare të drejtën të aplikojnë ulje të akcizës deri në 50% për prodhuesit e vegjël të birrës, me qëllim mbrojtjen e prodhimeve lokale dhe traditës artizanale, si dhe nxitjen e zhvillimit rural dhe turizmit.
2. Arsyetimi ekonomik dhe social
Prodhimi artizanal i birrës përfaqëson:
Një zinxhir të rëndësishëm lokal që përfshin fermerë (grurë, elb, fruta), teknologji, punësim sezonal dhe agroturizëm;
Një vlerë të shtuar kulturore dhe turistike, pasi birrat artizanale promovojnë identitetin rajonal dhe shijet lokale;
Barazimi i akcizës me importin ka sjellë një pabarazi reale konkurrence, pasi prodhuesit e huaj përfitojnë nga shkallë shumë më të mëdha prodhimi dhe struktura kostoje të ulët. Si rezultat, prodhuesit vendas po tkurren dhe një pjesë e tyre kanë ndërprerë aktivitetin.
3. Propozimi konkret
Në kuadrin e paketës fiskale 2026, propozohet që Ministria e Financave të rishikojë modelin e taksimit të birrës vendase, duke aplikuar një nivel të reduktuar të akcizës për prodhuesit e vegjël, në përputhje me praktikat europiane.
Propozimi konkret:
Të vendoset një shkallë e reduktuar akcize deri në 50% për prodhuesit vendas me prodhim vjetor deri në 10,000 HL;
Të parashikohet një mekanizëm verifikimi transparent i sasisë së prodhimit vjetor, përmes raportimit në sistemin fiskal dhe kontrollit doganor;
Të harmonizohet korniza ligjore me Direktivën 92/83/EEC të BE, duke e bërë modelin e taksimit më afër standardeve të Unionit dhe më mbështetës për ekonominë lokale.
4. Efektet e pritshme
Rritje e qëndrueshmërisë së prodhuesve të vegjël dhe ruajtje e vendeve të punës në sektor;
Zgjerim i ofertës turistike dhe artizanale, sidomos në zonat rurale;
Diversifikim i tregut të birrës, me produkte vendase me identitet të veçantë;
Rritje e të ardhurave afatgjata nga taksat indirekte dhe turizmi, për shkak të zhvillimit të zinxhirit lokal të vlerës.
5. Konkluzion
Në funksion të zhvillimit të qëndrueshëm të industrisë vendase dhe përafrimit me acquis communautaire të BE-së, kërkohet që Ministria e Financave të marrë në shqyrtim korrigjimin e modelit aktual të akcizës për birrën prodhim vendas, duke parashikuar trajtim të diferencuar fiskal për prodhuesit deri në 10,000 HL në vit.
Në emër të: Shoqatës të Prodhuesve të Birrës Artizanale Shqiptare
Xhimi Begeja
14.10.2025
Tiranë.


