Adriatik Çalaj: Udhëtimi si mision dhe dashuri për Shqipërinë

by admin

Në çdo hap që hedh mbi shtigjet e Shqipërisë, Adriatik Çalaj sjell me vete një ndjesi të thellë përkatësie, misioni dhe dashurie ndaj natyrës dhe tokës amtare. Udhëtimet e tij nuk janë thjesht rrugëtime fizike në male, kanione apo lugina – janë udhëtime shpirtërore, janë histori që lindin ndër bedena të kalave dhe mes fëshfërimave të erës nëpër livadhe.

Adriatiku ka nisur të eksplorojë Shqipërinë me të njëjtin pasion që e ka shoqëruar që në fëmijëri. Rritur pranë kalasë së Argjiros në Gjirokastër, ai i përjetoi mitet dhe aventurat e para nëpër katakombet dhe bedenat e saj. “Që i vogël kam pasur dëshirën të udhëtoj dhe eksploroj,” – shprehet ai me emocione, – “por një tjetër shtysë e madhe është edhe familja ime, fëmijët e mi, të cilëve dua t’u tregoj nga afër bukuritë e vendit tonë.”

Pikërisht për këtë, një nga momentet më të paharrueshme për të ka qenë ngjitja në Malin e Gamtit me djalin e tij pesëvjeçar. Pavarësisht sfidës dhe lodhjes, pamja e vogëlushit që ngjitej me vendosmëri i dha atij emocionin e vërtetë të përmbushjes. “Aty kuptova që “misioni” im ka marrë rrugë,” thotë me krenari për revistën Travel Balkans.

Rrugëtimi i Adriatikut shpesh e ka vënë përballë situatave të papritura – shtigje të pashkelura, mungesë shenjash, vendime të marra me intuitë. Por pikërisht në këto momente, lidhja me natyrën bëhet më e thellë. “Ndonjëherë ajo që ne kërkojmë është duke na thirrur,” – shprehet ai me një ndjesi filozofike dhe shpirtërore.

Në sytë e Adriatikut, Shqipëria e vërtetë dhe autentike fshihet në zonat më të thella rurale. Ai nuk kursen në përshkrime male madhështore, ujëvara mahnitëse, lumenj kristaltë dhe kanione që të lënë pa frymë. Një nga thesaret e tij të preferuar është Kanioni i Lumit Zezë, fare pranë Tiranës, që ruan ende gjurmët e historisë në kalldrëme të lashta e ura me hark.

Për Adriatikun, lidhja me natyrën nuk është diçka e vonshme – është rrënjosur që nga fëmijëria, gjatë pushimeve në fshat me gjyshërit. Ndjesia që e përshkon kur dëgjon cicërimat e zogjve apo zukatjen e bulkthave është diçka që ai dëshiron ta ndajë edhe me fëmijët e tij. “Në natyrë, njeriu përmbushet,” – thotë ai – “ajo të bën të ndiesh se je pjesë e saj.”

Ai i ndan me dashamirësi edhe sugjerimet për çdo grupmoshë që kërkon të njohë Shqipërinë. Për familjet me fëmijë, sugjeron të nisin nga kalatë e qytetet antike, të cilat janë jo vetëm tërheqëse vizualisht, por edhe mbartin histori që emocionojnë. Të rinjve që kërkojnë adrenalinë, u sugjeron majat e maleve dhe freskinë e ujëvarave. Edhe për të moshuarit, ai sheh potencial – duke i inkurajuar të mos kufizohen vetëm në pushime të qeta, por të mos ndalin së eksploruari.

Kur pyetet për fillestarët që nuk dinë nga të nisin, Adriatiku është i qartë: “Thjesht nis me një ide. Shqipëria është plot atraksione – ujëvara, shpella, liqene, ura të lashta e qytete antike. Thjesht nis.”

Në fund, për Adriatik Calaj, eksplorimi është më shumë se një pasion – është një mënyrë për të rizgjuar dashurinë për natyrën, për të ndarë thesaret e saj me të tjerët dhe për të ndihmuar në ndërtimin e një turizmi të qëndrueshëm, që ringjall fshatra të braktisur dhe sjell jetë të re në zona të harruara.

“Shqipëria është magjepsëse,” – përfundon ai. – “Nis ta vizitosh atë, dhe do dashurohesh që në hapat e parë.”

Ndaj, ashtu si në shprehjen e dashurisë, duhet dikush të bëjë hapin e parë, edhe në eksplorimin e vendit mjafton të dalësh nga shtëpia, dhe kudo që të shkelësh je në Shqipërinë magjepsëse.

You may also like

Adblock Detected

Please support us by disabling your AdBlocker extension from your browsers for our website.