Në një zhvillim të rëndësishëm për sektorin e turizmit në Kosovë, agjencia prestigjioze “Sharr Travel” ka sjellë grupet e para të turistëve nga Malta, duke hapur një kapitull të ri për turizmin kulturor në vend. Ky është një moment domethënës jo vetëm për kompaninë, por për gjithë industrinë e udhëtimeve në Kosovë, e cila po njeh një orientim gjithnjë e më të theksuar drejt tregjeve ndërkombëtare dhe promovimit të trashëgimisë së saj të pasur.jatë një jave të plotë qëndrimi, turistët nga Malta patën mundësinë të eksplorojnë disa nga atraksionet më të bukura të Kosovës. Itinerari i organizuar nga Sharr Travel përfshinte vizita në qytete historike si Prizreni, me kalldrëmet e tij karakteristike dhe Kalanë, në Gjakovë me Çarshinë e Vjetër, një ndër më të mëdhatë dhe më të ruajturat në rajon. Vizitorët u ndalën gjithashtu në Pejë, ku u mahnitën nga bukuritë natyrore të Grykës së Rugovës dhe qetësia e manastirit të Deçanit, një monument i trashëgimisë botërore.

Eksperienca e tyre në kryeqytet përfshiu vizita në Prishtinë, ku turistët patën rastin të njihen me përzierjen mes traditës dhe modernitetit, si dhe të vizitojnë objekte të rëndësishme si Biblioteka Kombëtare, Katedralja “Nënë Tereza” dhe monumenti “Newborn”.
Presidenti i Sharr Travel, z. Ruzhdi Kurtishaj, e ka cilësuar këtë iniciativë si një sukses të rëndësishëm që tregon potencialin real që ka Kosova për të tërhequr vizitorë nga tregje jo-tradicionale. Në disa prononcime në rrjetet sociale dhe në mediat online të Kosovës, ai ka theksuar se ky është vetëm fillimi i një cikli të ri bashkëpunimesh dhe promovimesh në nivel ndërkombëtar.
“Ky është një hap përpara për të pozicionuar Kosovën në hartën e destinacioneve kulturore të Evropës. Turizmi nuk është thjesht ekonomi – është diplomaci, është imazh, është ndërlidhje kulturore,” është shprehur z. Kurtishaj.

Sharr Travel njihet prej kohësh për kontributin e saj në zhvillimin e turizmit në Shqipëri, Kosovë dhe më gjerë, duke shërbyer si një urë lidhëse mes vendlindjes dhe diasporës. Agjencia ka një histori të pasur suksesi me organizimin e udhëtimeve për bashkatdhetarët nga Zvicra dhe vendet e tjera të Evropës drejt Kosovës, si dhe për promovimin e bregdetit shqiptar si destinacion i preferuar për pushime.

Me këtë nismë të re, Sharr Travel po vendos themelet për një qasje më të gjerë dhe të qëndrueshme ndaj turizmit “inbound”, duke i dhënë Kosovës një vend më të dukshëm në tregjet ndërkombëtare dhe duke nxitur zhvillimin ekonomik përmes promovimit të pasurive natyrore, kulturore dhe mikpritjes tradicionale shqiptare.