Kur jeni në Shqipëri… një libër i ri nga Elona G Kola: Një Shtrëngim Duarsh Kulturor për të Gjithë Turistët dhe Udhëtarët.

by Flora Baba

I projektuar si Kurs Intensiv për Shqipërinë – Një Udhëzues Udhëtimi për të Ndërtuar Ura Kulturore Midis Dy Botëve, duke përzier rrëfimin e historive, këshilla praktike, njohuri historike e kulturore, frymëzimin vizual nga fotot si edhe gjëra per te konsideruar që duhen bërë dhe nuk duhen bërë.

Vera po mbaron dhe, natyrisht, të gjithë duam t’i shfrytëzojmë sa më shumë këto ditë të fundit të nxehta. E quajnë Vera Indiane—vetëm edhe një fundjavë, edhe një ditë e bukur në plazh, edhe një shans për të bërë ecje pa u shqetësuar për shiun. Tirana ende shijon disa ditë të qeta para se të fillojë shkolla dhe qyteti të kthehet në ritmin e tij të zakonshëm të zhurmës dhe trafikut. Por kjo qetësi mund të jetë “mashtruese”—shumë nga destinacionet kryesore të Shqipërisë janë tashmë plot jetë dhe të mbushura me turistë.

Pyetjet e zakonshme në këtë kohë qarkullojnë: Ku shkuat me pushime? Si ishin çmimet? Si ishte shërbimi, deti apo liqeni, disponueshmëria? Kjo është mjaft normale për ne. Por pyetjet më të thella dhe më shpeshta – ato që mbeten e vazhdojne – kanë të bëjnë me valët e shumta të turisteve në Shqipëri gjatë këtyre viteve të fundit. Pse tani? Pse Shqipëria? Po si është kjo Shqipëria?

Të gjitha këto pyetje, besoj se gjejnë përgjigje në librin e Elona G. Kolës “Kur je në Shqipëri…”, botuar së fundmi nga Botimet Kumi dhe shpërndarë nga libraria Adrion në qendër të Tiranës (Pallati i Kulturës) si edhe libraria dhe dyqani i suvenireve në Aeroportin e Rinasit.

E mbaj librin në dorë pasi Elona e firmos dhe ma jep, duke parë kopertinën e përparme dhe të pasme. Vërej simbolikën dhe kontrastin. Mjellma pranë bunkerit, rrënojat e lashta pranë qytetërimit modern, traditat e reja dhe të vjetra, plazhet e paprekura. Ashtu si vendi ynë, Shqipëria – shtresa e shtresa historie, kulture dhe plot karakter. Zarfi i bardhë më kërcen çuditërisht duke sjellë një nostalgji të vjetër kur njerëzit i dërgonin letra dhe kartolina njëri-tjetrit. Elona është një autore, udhëtare dhe rrëfimtare kulturore shqiptaro-amerikane që ka jetuar prej kohësh midis dy botëve dhe ka dëshirë të lidhë dhe shpjegojë të dyja botët duke krijuar ura lidhëse. Me një sfond në financë, ajo gjithashtu ka një përvojë të gjerë që mbulon tema sociale, ekonomike dhe kulturore, si dhe revista jetese dhe biznesi, si dhe është një eksperte gjuhësore me përvojë.

Nuk vonoj me pyetjet:

Si lindi kjo ide dhe pse menduat se ky libër do të ishte i vlefshëm?

Një dëshirë të papërmbajtur për të treguar këto transformime shoqëruar edhe me nje doze të lartë krenarie kombëtare per vendin tonë. Doja të filloja me një projekt tjetër, por kurioziteti më mposhti. Duke pasur parasysh fluksin e fundit të turistëve dhe emigrantëve në Shqipëri, u ndjeva e detyruar të kapja zhvillimet interesante që po shohim. Doja vërtet të shihja se çfarë mungonte dhe të plotësoja çdo boshllëk përsa i përket orientimit kulturor. Ky libër erdhi si rezultat i vëzhgimeve, diskutimeve dhe reflektimeve të vazhdueshme, duke vazhduar udhëtimin që fillova me librin Këtu dhe Atje, ku eksplorova ndryshimet socio-kulturore përmes historive personale, figurave historike dhe filmave. Si një emigrante vetë dikur më parë, me përvojë jetese në vende të ndryshme, natyrisht vërej nuanca kulturore, këshilla praktike dhe njohuri ndërkulturore – ato rregulla të pathëna që formësojnë jetën e përditshme. Lindur dhe rritur në Tiranë, kam qenë dëshmitaree transformimeve dramatike në qytetin tim dhe me kalimin e kohës, kam mbledhur përshtypje si nga perspektiva lokale ashtu edhe nga ajo turistike dhe kam vënë re diçka shumë të rëndësishme:  Shqipëria, dikur një ndalesë spontane, tani është bërë një destinacion kuptimplotë – i pasur me përvoja, vende për të eksploruar dhe histori për të treguar. Është shndërruar vërtet nga një vend Mos Shko, në një destinacion ku Duhet te Shkosh!

Çfarë mendoni se e ka nxitur këtë interes, cilat janë arsyet që po shohim kaq shumë vizitorë?

Kurioziteti për Shqipërinë është në kulmin e tij. Artikujt dhe mediat sociale janë plot me lavderime  e komente superbe për plazhet, Alpet dhe atmosferën e saj mikpritëse. Ndërsa interesi global rritej, rritej edhe imja. Fillova të pyesja veten: si na shohin vizitorët? Çfarë mendojnë ata për gjuhën, ushqimin, qytetet dhe kulturën tonë? Kam mësuar t’i dalloj turistët – duke u endur ngadalë, duke kontrolluar tabelat dhe telefonat, duke treguar gjëra. Ka shumë informacion në internet – fakte, udhëzues, faqe interneti qeveritare – por ajo që më tërhoqi vërtet vëmendjen ishin historitë personale. Vlerësimet, dëshmitë dhe reflektimet më dhanë një ndjesi më të thellë se si njerëzit e përjetojnë Shqipërinë.

Kjo është ajo që frymëzoi këtë: një përmbledhje e dhjetë arsyeve kryesore pse njerëzit duhet të vizitojnë Shqipërinë: Udhëtime me çmime të përballueshme, kuriozitet për të kaluarën dhe të tashmen e vendit, vendas të ngrohtë dhe mikpritës, natyrë e bukur dhe klimë e këndshme e kështu me radhë, ushqim i shijshëm, zakone të pasura dhe tradita të gjalla e unike.

“When in Albania...” i përgjigjet një pyetjeje që e kam dëgjuar pafundësisht – në kafene, evente jashtë vendit dhe nga udhëtarë që planifikojnë udhëtimin e tyre të radhës: Si është në të vërtetë Shqipëria? Ky libër është përgjigjja ime më personale. Është më shumë sesa një udhëzues udhëtimi – është një letër dashurie për një vend që e mbaj me vete, gjithmonë. Duke përzier traditën dhe jetën moderne, ofron një vështrim të sinqertë dhe të gjallë në kulturën shqiptare. Jam përpjekur të kap atë që vizitorët e gjejnë të bukur – gjëra që ne mund t’i marrim si të mirëqena. Një vend që vazhdon të intrigojë dhe të surprizojë udhëtarët ndërkombëtarë. Pjesërisht kurs intensiv kulturor, pjesërisht reflektim personal, libri përzien njohuri praktike me histori të përzemërta – nga dëshmi të sinqerta turistike deri te përvojat e vetë autores gjatë rritjes midis kulturave.

A mund të më tregosh për fotot dhe komentet e mbledhura, dhe a mund ta ndiej humorin në komentet e tyre?

Po, libri është plot me këshilla kulturore, njohuri lokale, histori nga emigrantë dhe turistë, dhe reflektimet e mia, për këdo që dëshiron të kuptojë shpirtin e Shqipërisë – përtej titujve kryesorë dhe udhëzuesve. Është një mozaik historie, mikpritjeje dhe humori – i ilustruar me fotografi origjinale dhe i rrënjosur në përvojat e jetuara të një vendi që ende pret të zbulohet plotësisht. Është e vërtetë, shumë komente janë qesharake. Sfida më e madhe – dhe kënaqësia më e madhe – erdhi nga përzgjedhja e fotove. Secila ishte e bukur dhe fantastike: nga përshkrimet magjike të luginave e bregdetit, mjellmave dhe luleve, deri te jeta e përditshme në Tiranë e kapur përmes rrugëve të mbuluara me luledielli, kështjellave, maleve dhe fotove të panumërta të ushqimit. Të shihje Shqipërinë përmes syve të tyre – pleq duke luajtur domino, çmimi i një kilogrami fiq, kurioziteti i “pse e bëjnë kështu?” – ndihej si një udhëtim intim. Sa herë që i bëja dikujt në rrugë një pyetje, shpresoja fshehurazi vetëm për përgjigje pozitive dhe të sjellshme. Dhe në çdo rast, njerëzit treguan bashkëpunim të jashtëzakonshëm.

Por thesari i vërtetë qëndron në komentet e tyre. Ata veprojnë si një pasqyrë – duke reflektuar jo vetëm se si shihet Shqipëria, por edhe se si dëshiron të shihet.

Çfarë mund të më thoni për destinacionet që keni përshkruar?

Kur fillova të shkruaja për këto destinacione, doja të krijoja diçka që ofronte një pamje të plotë dhe gjithëpërfshirëse — por është tepër e vështirë të përmblidhen të gjitha këto vende dhe atraksionet tona vetëm në dhjetë. Kishte kaq shumë foto dhe kaq shumë për të thënë. Mendimet më erdhën me furi — jo vetëm për bukurinë, karakterin dhe historinë, por edhe kujtimet dhe historitë personale që janë afër zemrës sime. Mbylla sytë dhe imagjinova Tiranën — ditët kur isha e vogël, duke shkuar në shkollë, kohën me familjen dhe miqtë, aromën e luleve të blirit, paradat e 1 Majit, pemët e mimozës, festivalet, protestat… kontrastet e forta, transformimet e pabesueshme sociale, ekonomike dhe politike që ka kaluar Tirana e trazirat që ka parë. Dhe pastaj, si mund të shkruaj për Pogradecin, Gjirokastrën apo Durrsin pa shtuar diçka personale — pushime pranë liqenit, udhëtimet tona të përditshme me tren drejt detit me buken qe hanim nën hijet e pishave, si edhe historitë e gjyshes sime për qytetin e gurtë. Një nga sfidat më të mëdha është të mos përsërisja atë që është tashmë e disponueshme në internet — doja të ofroja diçka të vërtetë, të rrënjosur në përvojën e jetuar.

A ka diçka të veçantë në lidhje me këtë libër? Si ndryshon nga librat e tjerë turistikë?

Ndryshe nga guidat tradicionale të udhëtimit të mbushura me itinerare dhe logjistikë, libri When in Albania… synon t’i tërheqë lexuesit në një nivel më të thellë dhe më njerëzor – duke e eksploruar Shqipërinë jo vetëm si një destinacion, por si një kulturë të gjallë dhe në zhvillim. Është një vend që kuptohet më së miri përmes njerëzve të tij, zakoneve të tyre dhe madje edhe kontradiktave të tyre. Nga të kuptuarit e mentalitetit lokal, gjesteve dhe etiketës deri te zbërthimi i shtresave të historisë pas emrit të një fshati ose recetës së një gjysheje, libri pikturon një portret të Shqipërisë që është po aq enigmatik sa edhe mikpritës. I bukur, prekës! I inkurajoj ata të pranojnë ushqimin, mandarinat, vajin e ullirit dhe rakinë. I ftoj të bashkohen festivaleve, të festojnë së bashku dhe të futemi në shpirtin e këtij kombi. Pothuajse të gjithë ata që njoh nga afër më thonë: “Sa me fat jeni, Elona – këto brigje, këto perëndime dielli, ky ushqim!”

Libri e fton butësisht lexuesin të shijojë kafenë dhe mikpritjen, të zhytet në kulturën, gjuhën dhe historinë e saj të pasur. Dallimi mendoj se është ky: ky libër vjen si një portret kulturor, jo si një listë gjerash per te bere. Në formën e një letre dashurie, jo si një broshurë, sepse përzien kujtesën dhe kuptimin, jo vetëm faktet. Libri ofron këshilla praktike mbi gjërat që duhen bërë dhe nuk duhen bërë, çfarë të presësh dhe si të përgatitesh më mirë për aspekte të ndryshme të jetës, duke përfshirë shërbimet, infrastrukturën, pirjen e duhanit, menaxhimin e mbeturinave, drejtimin e automjeteve dhe shumë më tepër. Ai mbulon shqetësimet e përditshme si ushqimi, blerjet, kafshët shtëpiake, zakonet dhe oraret e transportit dhe hotelerine, kujdes per shendetin – duke theksuar pengesat e zakonshme, ndërsa gjithashtu rrit ndërgjegjësimin për ndikimet që mund të sjellë zhvillimi i turizmit, si përfitimet ashtu edhe disavantazhet e tij. Nuk dua vetëm të tregoj se çfarë, por dua të zbuloj pse-në.

Pastaj, Elona shton diçka shumë prekëse, diçka që tingëllon e vërtetë dhe shumë personale për mua dhe shqiptarët e brezit tonë.

Flora, a nuk jemi të lumtur që ka ardhur dita? A nuk jemi ne ata që kishim frikë të kthenim kokën dhe të shihnim për një moment turistët që erdhën gjatë kësaj kohe? A nuk jemi ne ata që qëndruam aty pranë me një kuriozitet, pothuajse për të parë se çfarë kishin veshur – parfumin, kapelat, syzet, rrobat e banjës. A nuk është një festë dhe çlirim i madh të ndihesh kështu, të qëndrosh me kokën lart me dinjitetin dhe integritetin tonë. Kemi kaq shumë për të treguar dhe për të qenë krenarë, pavarësisht politikave qeveritare të regjimeve, ne jemi këtu në tokën tonë, në brigjet tona që kanë qenë këtu për ne për qindra mijëra vjet dhe ne jemi njerëzit e kësaj toke që ofrojnë këtë mikpritje, karakter dhe shpalosim bukurinë e Shqipërisë. Është në duart tona të tregojmë se kush jemi – ne e bëjmë vendin tonë; ne jemi vendi ynë.

SHQIPËRIA është DASHURI! Thotë një nga miqtë e mi në libër. E vogël, unike, e bukur!

“Shqipëria ka hapur dyert e saj për ju – hyni brenda, përqafoni ngrohtësinë e saj, shijoni mikpritjen që rrjedh nga zemrat tona. Ejani, qëndroni pak dhe u tregoni miqve tuaj. Ejani përsëri – sepse këtu, gjithmonë do të gjeni një shtëpi”

E mbyll bisedën duke parë që Elona shkruan me kuriozitetin e një gazetareje, syrin e një udhëtari dhe zemrën e një bije duke i nxitur udhëtarët të shijojnë dhe eksplorojnë këtë mozaik të pasur të vendit tonë në tërësinë e tij

You may also like

Adblock Detected

Please support us by disabling your AdBlocker extension from your browsers for our website.