Nga Flora Xhemani Baba
Destinacione….argëtim….ski!
Dardha dhe Voskopoja janë dy prej fshatrave më të bukur dimërorë ku çdokush e çon mendjen vetvetiu kur mendon për dëborën. Gërshetuar me traditën, historinë dhe bukuritë që edhe dimrit mund të shijohen shumë, me mikpritjen karakteristike, Dardha dhe Voskopoja ofrojnë gjithashtu kuzhinën e mrekullueshme e të veçantë, zahiretë e pafundme të dimrit dhe byrekët e mrekullueshëm, gatuar nga amvisat dardhare e voskopojare. Por këto dy fshatra fare pranë Korçës, mund t’ju ofrojnë gjithashtu edhe kënaqësinë e skive në pista ndoshta jo fort të pajisura me komoditetin e resorteve të mëdha por që gjithsesi do t’ju falin kënaqësi. Pista e Skive në Dardhë është bërë shumë e frekuentuar tashmë që kur aty është vendosur teleferiku i vogël që ju ndihmon për të ushtruar më mirë kënaqësinë e skive.
Vetëm njëzet e ca kilometra nga Kruja, përmes një rruge të asfaltuar e peizazheve të bukura, Parku Kombëtar i Qafështamës është një prej atyre destinacioneve që magjinë e ka në çdo stinë. Aq më tepër në periudhën e dimrit, ku pyjet mbulohen me dëborë. Qëndrimin tuaj në Qafështamë do t’jua bëjë më të bukur Shkreli Hotel-Camp. Tashmë ky resort, përveç akomodimit cilësor ne kushte europiane, ofron aktivitete të shumëllojshme brenda dhe jashtë kampit Shkreli, me guida profesionale e të përshtatura për çdo grupmoshë!
Gjatë sezonit dimëror, hoteli dhe restoranti funksionojnë vetëm me rezervime paraprake dhe për grupe mbi 10 persona.










