Vlorë, Shqipëri – Aeroporti Ndërkombëtar i Vlorës shënon një moment historik me njoftimin e kompanisë së parë ajrore që do të operojë nga aeroporti i ri. Chair Airline ka konfirmuar nisjen e fluturimeve direkte ndërmjet Vlorës dhe Zyrihut duke filluar nga 26 Qershor 2026, me frekuencë dy herë në javë, deri më 23 Tetor 2026.
Ky zhvillim përfaqëson një hap të rëndësishëm drejt rritjes së lidhshmërisë ajrore të Vlorës dhe Rivierës Shqiptare me tregjet kryesore europiane, duke forcuar njëkohësisht potencialin turistik dhe lëvizjen e vizitorëve VFR (Visiting Friends and Relatives).
“Ky është një moment i rëndësishëm për Aeroportin Ndërkombëtar të Vlorës, pasi mirëpresim Chair Airline si kompaninë e parë ajrore që nis operimet nga aeroporti ynë i ri. Jemi të përkushtuar të ofrojmë një eksperiencë udhëtimi cilësore dhe efikase për të gjithë pasagjerët. Besojmë se kjo bashkëpunim do të kontribuojë ndjeshëm në zhvillimin e turizmit dhe rritjen e lidhjeve ndërkombëtare të Vlorës dhe Shqipërisë,”
— Valon Lluka, Drejtor i Përgjithshëm Ekzekutiv, Aeroporti Ndërkombëtar i Vlorës.

Ndërsa punimet e ndërtimit të aeroportit vazhdojnë sipas planifikimit, Aeroporti Ndërkombëtar i Vlorës mbetet i fokusuar në krijimin e një infrastrukture moderne, të qëndrueshme dhe në përputhje me standardet ndërkombëtare të aviacionit civil, duke u pozicionuar si një portë e re hyrëse për jugun e Shqipërisë.
Biletat për fluturimet Vlorë–Zyrih janë tashmë të disponueshme për rezervim.
Aeroporti Ndërkombëtar i Vlorës pret me entuziazëm mirëpritjen e pasagjerëve të parë dhe vazhdimin e bashkëpunimit me partnerë ajrorë, institucione dhe komunitetin lokal për të ndërtuar kapitullin e ri të zhvillimit ekonomik dhe turistik të rajonit.

















