







Vitin e shkuar Blue Agency hodhi në treg botimin e ri të guidës turistike të Sarandës, ku përveç informacionit të detajuar për qytetin jugor, u ndal hollësisht edhe në të gjitha destinacionet që e rrethojnë, duke ofruar një guidë të detajuar edhe mbi Ksamilin, të cilin turistët e vizitojnë për ishujt e për plazhet e bukura por që shumë prej thesareve të tij të fshehura nga syri i zakonshëm, nuk i njohin. Andaj dhe ne po e shkëpusim këtë guidë të Ksamilit duke jua ofruar si një alternativë për pushimet e 2019-s, me qëllim që ju ta eksploroni më mirë destinacionin e shpalluar nga mediat ndërkombëtare si më i bukuri në SHqipëri. Sepse vera nuk ka kuptim pa Ksamilin!

Vitet e fundit ai është shpallur jo pak herë nga media të ndryshme botërore si një prej plazheve më të bukur në botë. Ishujt e magjishëm që ndryshe quhen edhe Ishujt e Tetranisit, ngjyra e bruztë, që thyhet larg në blu të thellë, plazhet e bardha, gjiret e fshehura, guvat e vogla, aroma e Jonit mbi qytezë, ullinjtë dhe agrumet që dikur shqiptarët i mbollën me punë vullnetare, pasi brezuan tokat shkëmbore, janë vetëm disa prej arsyeve pse ky vend vazhdon të mahnisë.
Qyteza është një kakofoni e tërë, që turisti e ndjen dhe e sheh sa hyn në rrugën kryesore, e deri poshtë në brigjet përballë ishujve, kaos i cili vazhdon edhe drejt rrugës për Butrint. Por me të hequr rrobat dhe bezdinë e djersës në rrugën plot vapë dhe sapo gjendesh përballë detit, i harron të gjitha. Kaltërsia të thith si magnet dhe ti nuk dëshiron gjë tjetër veçse të kridhesh në ato ujra të kristalta e të shkosh me not deri në brigjet e ishujve të vegjël.
Ksamili ndodhet 18 km larg Sarandës dhe me infrastrukturën e re rrugore, edhe pse jo në kushte perfekte, bëhet për disa minuta. Është i përshtatshëm për turizmin familjar dhe pothuajse të gjitha godinat që e kanë populluar, që nga hotelet më të mira e deri tek shtëpitë më të vogla, kthehen në pritëse të turistëve të shumtë e asnjëherë nuk janë mjaftueshëm.

Historia e Ksamilit si qytet mund të thuhet se filloi në vitet `70 të shekullit të kaluar, në kohën e regjimit komunist kur qindra familje, rini vullnetare por edhe njerëz që persekutoheshin nga regjimi komunist, filluan të hapnin toka të reja që u mbollën kryesisht me ullinj e agrume, duke e kthyer Ksamilin në një perlë të vërtetë. Sot pemët dhjetëravjeçare zbukurojnë qytezën dhe i bëjnë një shërbim të madh turizmit, duke krijuar një atmosferë të mrekullueshme mesdhetare.
Në vitet ’90 Ksamili numëronte të paktën 3500 banorë që kishin ardhur nga Saranda, Gjirokastra, Përmeti, Korça, Kukësi dhe Peshkopia dhe që ishin bërë banorët e përhershëm pas ndërtimit të qytezës ne vitet 70.
Natyrisht që arsyeja kryesore se pse keni ardhur në Ksamil, janë plazhet e tij të mrekullueshme. Për fat të keq është vështirë të gjesh një hapësirë publike në plazhet e Ksamilit por kjo nuk e ndal aspak fluksin e shumtë të turistëve.
E gjithë vija bregdetare e Ksamilit, është e përthyer dhe e ndërprerë nga “xhepa” plazhesh, me numër të kufizuar çadrash, ku në disa syresh, mund të qëndrojë edhe një familje e vetme, apo deri në dhjetë persona. Disa prej plazheve kanë një rërë të imët e të bardhë që nuk e has asgjëkundi në bregdetin shqiptar. Ju mund të zgjidhni kudo por ne po ju sugjerojmë disa prej plazheve më të spikatura.

Gjiri i Hartës. Ksamili fillon që aty ku i thonë Qafa e Hartës dhe mund të themi që plazhi i parë që ju sugjerojmë është pikërisht Gjiri i Hartës, Një plazh i madh e i gjerë ku ofrohen edhe shërbime, bar e restorant, varka për lundrim dhe disa trampolina të vogla plastike.
Plazhet përballë Ishujve. Janë një seri plazhesh të vogla e shumë të bukura, të cilat shohin të gjitha përballë ishujve. Secila prej tyre, përveç shërbimeve, ofron edhe varka ose kajakë, me të cilat mund të vizitohen ishujt.
Pema e Thatë. Është një plazh shumë i bukur e mjaft i frekuentuar që shikon përballë Korfuzit dhe ndodhet vetëm gjysmë milje larg tij. Ndonëse është vështirë të gjesh plazhe të cekët në Ksamil, ky është një prej plazheve me thellësinë më të vogël të bregut, gjë që e bën të zgjidhet shumë nga familjet me fëmijë të vegjël.
Plazhi Pasqyrat. Ndonëse e kemi ofruar në plazhet e Sarandës, ky plazh i përket Ksamilit. Ndodhet rrugës nga Saranda për në Ksamil dhe është një plazh me ujëra të kristalta e të qeta që pasqyrojnë vazhdimisht qiellin. Ndaj dhe peshkatarët e shumtë të zonës e kanë quajtur kështu.
Plazhi Pulëbardha. Thuhet se dikur një pulëbardhë kishte aty folenë dhe vendasit që e shkonin shpesh i vunë emrin e saj. Tani plazhi, një km larg nga rruga kryesore popullohet dendur me turistë, që nga maji e deri në fund të shtatorit.
Por ka edhe shumë plazhe të tjerë më të vegjël, të vendosur përgjatë vijës bregdetare, që po zënë vend gradualisht në përditshmërinë e atyre që diskutojnë për pushime, siç është Kep Merli, një plazh shumë intim e i panjohur, ku po ngrihet edhe një kompleks turistik shumë modern, për t`u dhënë mundësi atyre që duan të pushojnë larg fluksit e vëmendjes së njerëzve.
Të veçantë e bëjnë Ksamilin dhe baret e restorantet përgjatë bregut, të cilët janë të ndërtuar me dru. Ato janë të hijshme, të thjeshta dhe ndonëse pranë e pranë njëri-tjetrit, secili ka të veçantën e vet. Ato plotësojnë nevojat e zakonshme për konsum të plazhistëve, me kafen e mëngjesit, pijet e ndryshme dhe gatimet për vaktet e drekës apo darkës. Prodhimet e detit janë karakteristike për çdo kuzhinë në Ksamil. Ato janë të freskëta dhe me një cilësi mjaft të lartë për shkak të pastërtisë së detit dhe kripëzimit të lartë. Menutë ofrojnë lloje të ndryshme peshku, prodhime deti, midhjen e pamunguar të Butrintit por edhe kuzhinë tradicionale, e cila ofrohet zakonisht në tavernat e vogla dhe restorantet familjare.

Ndodhen rreth 7.5 – 15 m mbi nivelin e detit. Janë ishuj të vegjël shkëmborë pranë njëri-tjetrit, të mbuluar me një vegjetacion tipik mesdhetar mjaft mirë i zhvilluar, i përbërë nga ilqeja (Quercus ilex), vërriu (Alnus glutinosa), vidhi (Ulmus campestris), dafina (Laurus nobilis), mersina (Myrtis communis), etj, të klasës Qurcio-Ilicis, ndërsa në ujin detar gjallon një faunë e florë mjaft e pasur, ku vlen të veçohet fanerogami (Halophyla stipulacea) dhe bivalvori (Pinna nobilis), lloje të mbrojtur nga konventat Ndërkombëtare, ku Shqipëria aderon. Përbën një zonë unikale dhe mjaft përfaqësuese e bregdetit shkëmbor jonik shqiptar. Ky monument ka vlera shkencore, edukative, biologjike, estetike, dhe turistike. Për ta vizituar merret rruga automobilistike Sarandë-Ksamil dhe deri te ishujt me lundrim.
Gjëja e parë që ju sugjerojmë, është të pini një kafe në baret e bukura përballë ishujve. Është një prej atyre kënaqësive të vogla por të pamungueshme që zbukurojnë ditën tuaj nëse e nisni duke thithur ajrin e freskët të Jonit, bashkuar me aromën e kafesë.
Një xhiro në shëtitoren e bregut. Vitet e fundit Ksamili është pajisur edhe me një shëtitore, që gjarpëron paralel me bregdetin, në anën perëndimore të qytezës. Për atë që nuk do shumë lodhje e që mbush kohën e lirë, shëtitjet e freskëta të pasdites janë zgjidhja ideale. Ndërkohë që për argëtimin e fëmijëve, ka edhe kënd lojërash.
Të peshkoni. Për amatorët e sportit të peshkimit, të cilët me siguri kanë ardhur në Ksamil me një kallam me vete, një ditë mund të fillojë edhe duke peshkuar që në orët e para të mëngjesit, në destinacionet më të mira përgjatë bregut të Ksamilit, ku, të jeni të sigurt se do të gjeni të gjitha llojet e peshqve që deti Jon ofron. Nuk ka asgjë më të mirë pas një dite peshkimi se sa të shijosh një drekë të shijshme me peshqit që ke kapur vetë.
Të zhyteni. Bota nënujore e Ksamilit, është një tjetër mrekulli që nuk e gjen gjetkë. Koralet shumëngjyrëshe, peshqit dhe gjallesat e larmishme, anijet e mbytura, reliket historike dhe objektet e shumta janë një rast i papërsëritshëm për ju. Ju mund ta shijoni edhe thjesht duke bërë snorkeling me një maskë uji dhe një tub por mund edhe të zhyteni me pajisje, aktivitet për të cilin ju këshillojmë të lidheni me Spiranca Diving Center. (Shiko kontaktet në rubrikën e tureve)
Të eksploroni ishujt. Merrni një kajak, nga ata që kanë me shumicë plazhet në brigjet përballë ishujve. Një xhiro kushton 500 lekë të reja. Bëni në vizitë në ishujt përballë, të cilët me siguri që i keni parë vetëm nga plazhet. Na besoni, do të zbuloni një botë tjetër. Gjire të vegjël që as i kishit parë ndonjëherë, guva të fshehta, shkëmbinj të thepisur ku është e vështirë të ngjitesh por mjaft tërheqëse. Dhe brenda në ishuj, një bimësi e dendur mesdhetare që kur ta zbuloni do t`ju duket sikur nuk keni qenë në Ksamil. Një ditë e kaluar duke u marrë me eksplorim do ta ndryshojë shijen e pushimeve tuaja.
Të shkoni me varkë në Liqenin e Butrintit. Këtë ditë ju mund ta kombinoni duke bërë së paku tri gjëra të ndryshme; të bëni një vizitë në Butrint për të zbuluar historinë dhe thesaret e antikitetit. Ose të bëni një xhiro me varkë përmes Kanalit të Vivarit për të shkuar në Kalanë e Ali Pashë Tepelenës, shërbim që mund ta gjeni në hyrje të Parkut të Butrintit (shiko rubrikën për Butrintin). Ose të shkoni tek The Mussle House – Shtëpia e Midhjes dhe të bëni një xhiro me varkë nëpër fermat e midhjes, ku kultivohet mbretëresha e liqenit e me atë rast të provoni edhe gatimet e shkëlqyera të restorantit, të gjitha me bazë midhjeje por jo vetëm.
“Syri i Sheganit” është një ndër bukuritë dhe pasuritë natyrore që ka Malësia e Madhe. Vetëm 40 minuta larg nga Shkodra, është një destinacion që ia vlen të promovohet e zhvillohet, për një përjetim ndryshe, pasi ofron një pamje të mahnitshme që nuk duhet humbur kurrsesi. Ky burim karstik gjendet në afërsi të fshatit Kosan (Bajzë), në bregun verilindor të Liqenit të Shkodrës. Nga banorët e zonës njihet edhe me emrin Sifoni i Virit.

“Syri i Sheganit” del nga çarjet e shkëmbinjve gëlqerorë në afërsi të liqenit të Shkodrës. Banorët që jetojnë në këtë zonë e shfrytëzojnë këtë vend për të peshkuar, si formën e vetme të jetesës. Janë pikërisht këta banorë, të cilët me punën dhe vullnetin e tyre po e mbajnë dhe e zhvillojnë këtë zonë gradualisht.
Ka ardhur tanimë koha që Syrit të Sheganit t’i kushtohej më tepër vëmendje, për të bërë të mundur zhvillimin e turizmit dhe të zonës përmes nismave për përmirësimin e infrastrukturës turistike dhe eventeve që mund të zhvillohen, në një zonë që ofron një peizazh mbresëlënës e ku njeriu mund të gjejë qetësinë shpirtërore larg zhurmave të qytetit.

Turizmi i eventeve po zë gjithmonë e më shumë vend në kalendarin e festave lokale që synojnë zhvillimin e zonave me potencial turistik, bazuar në traditën dhe kulturën që mbartin, duke u kthyer në festa të hareshme e gjithëpërfshirëse, falë kontaktit të drejtpërdrejtë me natyrën, njerëzit, traditat, gastronominë e kulturën. Këtë vit në Syrin e Sheganit, falë nismës së Kryetarit të Njësisë Administrative Kastrat, së bashku me peshkatarët e zonës, dhe bashkëpunimit të VIS dhe Bashkisë Malësi e Madhe u organizua FESTA E PESHKUT.
Për të marrë më shumë informacion mbi festat lokale të Malësisë së Madhe, vizitoni faqen e VIS Albania
Pak e njohin, shumica as nuk e dijnë që ekziston. E kjo për shkak të mungesës së vëmendjes që e ka nxjerrë në mënyrë thuajse tërësore nga harta e vendeve të vizitueshme.
Vendbanimi antik i Nikaias në Klos të Mallakastrës dergjet i braktisur pa u prekur jo me nga investimet, por as nga projektet që nuk duken kurrkund rreth trupit të tij. Një vlerë e madhe që po trajtohen si një karakatinë pa kurrfarë historie.

Nga Vilma Disha
Flora Xhemani Baba







Dy fjal përmi turismNjë nga vijat që ndan e që çquan Shqipërinë e sot – me nga Shqipëri e parë është se kjo Shqipëri – anë e kënd – ështe e ç’ do shqipëtari. Jo vetëm në mënyrë theorike, si shtet i organizuar dhe unitar po edhe në mënyrë praktike. Më fort në mënyrë praktike. Kësilloj sot bukuritë e tokës shqiptare, fort të pajosur nga dora e Zotit, mund të shijohen prei cilit – do: deti prej atyre që banojnë lark tij, pylli prej atyre që banojë në fusha e anëdete. Dobitë që rjedhin nga kjo gjëndje janë të shumta e të mbëdha..Dobira ekonomike, dobira shëndetësore, dobira shoqërore e kombëtare e sa e sa të tjera .Rrugët e sotme, një nga objektet e para të kujdesis të Shtetit, si dhe mjetet e qarkullimit kanë afruar pranë e pranë viset e njerëzit që gjer aty e disa vjet ishin të larguar fort. Sepse gjer aty e disa vjet për tiranasin a për dursakun ish m i afërmë një stacion klimaterik i huaj, në një mijë e sa kilometra, sesa Dardha shqipëtare. Se qe nga Durrsi gjer në Dardhë lipseshe të bënjë tri a katër dit rrug me karvan e me frikën e kusarëve në gji ( nuk keni dëgjuar si ç’ vishej karvani aty e disa vjet ?) Sot punët u ndryshuan fort. Nisesh në mëngjes nga vëndi ku vapa të tret të gjallë e pas mes dite je brenda në pyllin e Dardhës ku mbretëron boriga e vgjeri. Këtu gjen gjith komoditetet e jetës të qytetit t’ ënd pranë e pranë me erën e pastër, me ujën e ftohtë e gjelbërin e pyllit. Një çip parajsi i sbritur në dhe, ku të shlodhet edhe shpirti edhe trupi. Këtë çip parajsi ky pyllin e kini ne dera vizitoje – ni vit për vit për të përmbajtur e për të plotësuar shëndenë tuaj. Kësilloj u lutet një i mërguar që fati e ka hedhur fort larg ë që nuk ka mundësinë ti shijojë bukuritë e dobitë veç se rall e tek. Po në dëshirat e vet , në ëndërimet e vet, e ka gjithmonë përpara.
Nga Flora Xhemani Baba
Të ofrosh një destinacion turistik për ta vizituar atë, do të thotë më e pakta që ky destiancion të jetë në mos lehtësisht i arritshëm, të paktën jo i pamundur për t’u prekur. Nuk e dimë në duhet ta kategorizojmë vendin tonë sekret të kësaj here si vështirësisht të arritshëm apo krejtësisht të paarritshëm. Kjo do të varet nga shijet tuaja, sa do t’ju tërheqë ju ajo që do t’ju themi, e sigurisht sa të gatshëm do të jeni ju për pak aventurë.
Për një gjë jemi krejtësisht të sigurt; që Krorëzi, drejt të cilit do t’ju udhëheqim këtë herë, është padyshim një nga plazhet më të magjishëm të bregdetit të Sarandës, me një bukuri të thjeshtë e të pashoqe, që nëse do ta zhvendosnim prej bregut tonë mesdhetar, do t’i rrinte shumë mirë Karaibeve, për ujin e kristaltë, ngjyrën e thellë të smeraldit, thyerjet dhe nuancat e pafundme të bregut, ashpërsinë e rërës që thyhet gradualisht nga e butë deri në zall të imët, intimitetin që krijon me dy brinjët e shkëmbinjve që mbyllin gjirin e vogël, e plot të tjera si këto….
Krorëzi nuk është një plazh që mund ta vizitosh përditë dhe për këtë ka shumë arsye. Ajo kryesorja është që nuk ka një rrugë tokësore që të çon deri atje. E vetmja rrugë është deti dhe në itinerarin më të zakonshëm, anijet e vogla ose varkat e mëdha, duhet të nisen nga porti i Sarandës. Me një udhëtim detar prej 30 minutash dhe një pagesë që sot varion nga 500 deri në 1000 lekë (dhe që varet nga subjekti privat që ju transporton), ju mund të gjendeni në këtë plazh të mrekullueshëm dhe të kaloni aty një ditë pushimi që nuk do ta harroni lehtë.
Në fakt ekzistonte edhe në rrugë e dytë që mund t’ju dërgonte drejt Krorëzit dhe që kalonte përmes gjirit të Kakomesë. Nga plazhi i Kakomesë është më pak se gjysmë milje hapësirë deri tek bregu i Krorëzit dhe më guximtarët mund ta ndërmerrnin një sfidë të tillë edhe me not. Mirëpo përsa kohë Kakomeja është “kolonizuar” nga Club Med-i dhe nuk dihet akoma se kur mund t’u mbushet mendja atyre t’i heqin gardhet me të cilat kanë rrethuar gjirin, aventurierët guximtarë duhet të kënaqen me udhëtimin me varka, ose të nisen vetë që nga bregu i Sarandës me kajakë të vegjël, gjë që do t’u jepte kënaqësi tjetër.
Por Krorëzi është një plazh magjik i cili, ndonëse nuk bëhet dot masiv për shkak të poziciont që ka, frekuentohet gjithsesi. Grupe të rinjsh, që ia kanë kaluar lajmin njëri-tjetrit, gjatë bisedave të darkës nëpër kafenetë e Tiranës, pasi janë kthyer nga pushimet, për një “plazh bombë fare”, e ndërmarrin udhëtimin e gjatë nga Tirana në Sarandë, edhe vetëm për të bërë një rrugë deri në këtë plazh të vecantë, diku afër Kakomesë, por që është “edhe më i bukur se Kakomeja, vetëm kur ta shihni vetë do më jeni të drejtë”. Dhe deri më sot askush nuk është kthyer prej aty i zhgënjyer nga tregimi i shokut.
Sapo hedh këmbën në rërën e ashpër me guralecë të bregut, e ndjen pushtetin absolut të qetësisë që mbretëron në plazh. Asgjë nuk dëgjohet tjetër përveç zhurmës së dallgëve, që vijnë të lëpijnë bregun e që përplasen nëpër tre shkëmbinjtë në cep të gjirit – tri trampolina të mrekullueshme natyrale, që kanë mbajtur mbi kurrizin e tyre shumë këmbë të rinjsh. Asnjë tingull civilizimi nuk e prish këtë qetësi. Në një ditë të qetë e pa erë në breg, dielli thyhet mbi syprinën e ujit duke formuar breza të tërë shkëndijash që përziejnë ngjyrën e tyre të argjendtë me nuancat e smeraldit në afërsi të bregut. Larg në thellësi bluja e Jonit veçse e shton bukurinë e rrallë të këtij vendi aq të paqtë. Eshtë vendstrehimi ideal i atyre që duan të arratisen nga bota qoftë edhe për një ditë të vetme, për t’u ndjerë në harmoni me veten, me natyrën por edhe me njeriun e zemrës.
Ju mund të zgjidhni të merrni ushqime me vete, për të kaluar një ditë të gjatë, që mbaron pak para perëndimit (që të keni mundësi të shijoni edhe magjinë e fundit), por mund edhe të drekoni në të vetmin restorant të vogël e të thjeshtë, që ju ofron peshk të freskët e fruta deti. Dreka sigurisht do t’ju shijonte më shumë në verandat e vogla e të drunjta, që e shtojnë edhe më shumë shijen ekzotike të tropikut që transmeton i gjithë plazhi.
Çdo detaj që vesh këtë udhëtim, që nga momenti kur anija shkëputet nga porti i Sarandës, çdo milje që përshkoni teksa lini në të djathtë qytetin, e sidomos çdo momet që do të kaloni në gjirin “breathtaking” (që të lë pa frymë), siç i thonë të huajt që e kanë vizituar atë, do ta shijoni aq shumë, sa kur të largoheni prej tij, do t’ju kaplojë një ndjenjë trishtimi e braktisjeje. Nuk kuptohet nëse ky trishtim ju vjen për se do të lini këtë parajsë pas vetes krejtësisht të braktisur e të heshtur, apo se ju vetë po ktheheni drejt civilizimit ku asgjë nuk është e ngjashme me magjinë dhe bukurinë e këtij vendi.
Sidoqoftë kur të kenë kaluar ditë nga aventura juaj, mbresat e këtij udhëtimi do të mbeten, por ato do të marrin përmasa të tjera, të ngjashme me ato të një ëndrre të bukur që ju e keni përjetuar dikur në një ditë vere….
Ky është Krorëzi i magjishëm, plazhi që do ta dashuroni që në takimin e parë, ku nuk është e lehtë të kthehesh dy herë, por që mund të mbetet në mendjen tuaj si përvoja më e bukur e pushimeve që keni përjetuar…


Para se ta zgjidhnim Ksamilin si një destinacion të propozuar për numrin e parë të “Travel”, u menduam shumë të kuptuar nëse vazhdon të jetë tërheqëse apo e rekomandueshme kjo zonë, për shkak të ndërtesave të shumta e të rrëmujshme, që e kanë prishur disi peisazhin e mrekullueshëm të fshatit me ishuj, ku mijëra pushues vijnë verës për të shijuar gjiret e vegjël, plot bukuri e ngjyra marramendëse. Dhe akoma jemi në dilemë nëse duhet t’jua rekomandojmë. Por nëse ndodh kështu me atë çka shihni mbi ujë, nuk do kishim hezitim për botën nënujore të Ksamilit e të krejt gjirit të Sarandës.
Duke ju ofruar për joshje, një pamje mahnitëse të ishujve nga ajri, nëpërmjet fotografive spektakolare të Alket Islamit, ne do donim t’ju sillnim deri këtu, për t’ju shoqëruar më pas në botën e nënujit, këtë herë nëpërmjet djemve të kompanisë Water Sport Tourism Albania, të cilët tashmë prej një viti e më shumë, janë “dislokuar” në Gjirin e Bukenvileve, për të zhvilluar ekspeditat e tyre nënujore, në kërkim të thesareve të nënujit. Bota e pafundme e nënujit, ruan për ju surpriza të vazhdueshme për shkak se çdo herë zbulohen gjëra të reja, në ndryshim nga kodrat dhe plazhet tashmë të njohura të ishujve.
Përveç bukurive natyrore, koraleve shumëngjyrëshe, peshqve dhe gjallesave të larmishme që do të mbushin udhëtimin tuaj me kënaqësi të vogla, ju do të keni privilegjin të jeni gjithmonë vizitorë të veçantë të muzeve në natyrë, duke kundruar anijet e mbytura, reliket historike dhe objektet e shumta që bota ujore e jugut të Shqipërisë ruan në gjirin e saj.
E mos harroni një fakt të rëndësishëm; për të bërë zhytje me Water Sport Tourism Albania, nuk është nevoja të dini not! E gjithashtu mund të bëheni zhytës profesionistë nëse doni!
