Nga balta në përvojë: Poçeria e Vjetër, shpirti i Kavajës mes traditës dhe finesës

by admin

Një hyrje që të fton të ndalosh kohën

Imagjino një vend ku sapo kalon portën, ritmi ngadalësohet pa e kuptuar. Një rrugicë e shtruar thjesht, gjelbërim që të rrethon dhe një qetësi që nuk është bosh por e mbushur me jetë. Syri të kap menjëherë detaje që duken sikur janë aty prej shekujsh: mure me teksturë natyrale, elementë qeramike që mbajnë gjurmët e dorës së njeriut, dritë që bie butë mbi çdo sipërfaqe.

Ti hyn dhe ndjen një përzierje të çuditshme familjariteti dhe elegance. Nuk është një luks që të imponohet, por një ndjesi e fortë sikur ke hyrë në të kaluarën dhe një ndjenjë ngrohtësie shtëpie që të përqafon. Një vend ku çdo cep duket i menduar, por asgjë e sforcuar dhe gjithçka në vendin e vet.

Kjo është Poçeria e Vjetër, një vend i veçantë në hyrje të Kavajës, ndërtuar pikërisht aty ku deri tri dekada më parë, ndodhej punishtja e përpunimit të qeramikës, një prej ndërmarrjeve me natyrë artizanale më të vjetra në qytet.

Poçeria e Vjetër, mbi gjurmët e “Poçerisë”

Poçeria e Vjetër është një restorant i ndërtuar mbi ish-punishten e vjetër të poçeve prej balte, e cila daton rreth vitit 1900. Më pas, gjatë periudhës së regjimit komunist, u ndërtua punishtja e Poçerisë së Vjetër të Kavajës, e cila u zgjerua me disa reparte të ndryshme për punimin e enëve prej balte dhe atyre qeramike. Aty ku dikur prodhohej art me baltën, sot gatuhet dhe shërbehet arti i kulinarisë në enë prej balte dhe qeramike.

Që prej vitit 2014, ky vend është shndërruar në një nga restorantet më të vizituara në vend, dhe prej asaj kohe ka qenë dëshmi e ruajtjes së historisë, traditës dhe kulturës, si edhe e përkushtimit për sigurinë e konsumatorëve në çdo gjë që ofrohet.Ambienti është i qetë dhe relaksues, në një zonë plot histori dhe gjelbërim.

Poçeria është një destinacion ideal për çdo familje.

Një trashëgimi që nis nga balta

Në një qytet si Kavaja, historia nuk është e largët – ajo është pjesë e përditshmërisë. Tradita e punimit të qeramikës këtu daton që në antikitet, kur balta e kësaj toke filloi të merrte formë në duart e mjeshtrave dhe të kthehej në objekte që i rezistonin kohës.

Poçeria e Vjetër lindi pikërisht mbi këtë kujtesë të gjallë. Nuk është thjesht një emër, por një vazhdimësi. Një hapësirë që dikur ka shërbyer për krijim, sot shndërrohet në një vend ku ajo frymë ruhet dhe interpretohet ndryshe. Çdo element duket sikur mban një histori – jo si dekor, por si identitet. Një identitet që u kthye në gastronomi mbi trashëgiminë dhe traditën.

Arkitektura që flet me natyrën

Ndërsa ecën brenda hapësirës, syri të kap harmoninë. Asgjë nuk është e tepërt. Materialet janë të natyrshme, format të buta, dhe hapësira hapet drejt gjelbërimit sikur nuk ka kufij. Drita hyn lirshëm, duke krijuar një lojë të vazhdueshme hijesh dhe ngjyrash. Në një cep mund të ndjesh intimitet, në një tjetër hapje dhe liri. Është një vend që të lejon të jesh- pa zhurmë, pa nxitim.

Kjo është një arkitekturë që nuk kërkon vëmendje, por e fiton atë natyrshëm. Aty-këtu të ze syri objektet e dekadave të shkuara – vazo, kupa, këpucë me xhufka, taketuke, mbajtëse kafe-sheqeri – gjithë trashëgimia e “Poçerisë” së viteve të ish-regjimit komunist, ajo që zbukuronte shtëpitë tona të thjeshta.

Por në respekt e vlerësim të artit të qeramikës, Poçeria e Vjetër është kthyer në një muze të vërtetë, për shkak të dashurisë së krijuesve e drejtuesve të saj, që kanë sjellë aty ekzemplarë nga e gjithë bota, që nga produktet italiane të baltës, vazot e xhamit të famshëm të Muranos, e deri tek porcelani i famshëm kinez, i shpalosur mjeshtërisht mbi vazo e pjata.

Po ashtu një trashëgimi po aq e pasur janë plot elementë të tjerë që flasin përmes historisë dhe tregojnë periudhat ku kanë jetuar. Objektet e zbukurimit prej qelqi të Fabrikës së Qelqit Kavajë, karriget dhe tavolinat e Zdrukthtarisë së dikurshme, që punonte me dru (madje edhe dru arre), qilimat dhe sixhadetë e Leshpunueses, ku më shumë se dymijë gra e vajza ushtronin artin e endjes së qilimave, objektet e bakrit dhe drurit nga Artisitkja, punimet në alabastër që vinin nga miniera e mermerit dhe alabastrit në Mengaj e kështu me radhë, një pafundësi objektesh, të denja e të mjaftueshme për të çelur një muze gjigand trashëgimie popullore…

Shija si përvojë, jo thjesht ushqim

Kur ulesh në tavolinë, kupton që përvoja sapo ka filluar. Këtu, ushqimi nuk vjen vetëm si pjatë, por si rrëfim.

Shijet tradicionale shqiptare ndërthuren me finesë me ndikime mesdhetare. Çdo përbërës është i zgjedhur me kujdes, çdo pjatë e menduar për të ruajtur autenticitetin dhe për ta sjellë atë në një formë më bashkëkohore.Ti mund të shijosh me po aq ëndje gatimet e detit sa a to të tokës, apo edhe ndikimet, tashmë të pamungueshme të kuzhinës italiane, që aq shumë ka ndikuar në formimin tonë gastronomik postmodern.

Vakti tek Poçeria e Vjetër nuk është thjesht një drekë apo një darkë – është një moment që zgjat më shumë seç duhet, sepse nuk ke dëshirë të mbarojë dhe ti do që ta shijosh në shoqrinë e miqve dhe mjedisit të magjishëm.

 

Një vizion që shkon përtej restorantit

Pas kësaj hapësire qëndrojnë njerëz me një vizion të qartë. Jo vetëm për të ndërtuar një restorant të suksesshëm, por për të krijuar një destinacion.

Drejtuesit e Poçerisë së Vjetër kanë arritur të bëjnë diçka më të rrallë: ta lidhin biznesin me kulturën, përvojën me komunitetin. Me përkushtim dhe largpamësi, ata kanë kthyer këtë hapësirë në një pikë referimi jo vetëm për gastronominë, por edhe për jetën artistike të Kavajës.

Përmes mbështetjes së aktiviteteve kulturore dhe promovimit të traditave të vjetra, ata kontribuojnë në mënyrë aktive për ta mbajtur gjallë shpirtin krijues të qytetit.

 

Një destinacion që të mbetet

Poçeria e Vjetër nuk është thjesht një vend ku shkon. Është një vend që të mbetet.

Në një kohë kur shumë hapësira duken të njëjta, edhe pse të bukura, ajo arrin të jetë ndryshe – jo duke bërë zhurmë, por duke qëndruar besnike ndaj vetes. Duke u mbështetur tek historia, tek toka dhe tek dora e njeriut.

Dhe ndoshta, në fund, kjo është ajo që e bën të veçantë: ndjenja se ke qenë diku në një vendt të vërtetë, me tipare të theksuara e karakter të fortë.

Sepse luksi më i madh nuk është ajo që shkëlqen më shumë – por ajo që ndjehet më thellë.

 

 

Rruga Mjeshtrat e Qeramikes, Kavajë, Albania,

Tel: +355 69 208 5102

poceriaevjeter@gmail.com

poceria_vjeter

You may also like

Adblock Detected

Please support us by disabling your AdBlocker extension from your browsers for our website.