Qytetari pas turistit? Koha për të rikthyer dinjitetin e komuniteteve tona

by admin

Në një mëngjes korriku, ndërkohë që turistët fotografojnë në Theth apo presin radhën në Ksamil për të zënë vend në plazh, banori lokal shqetësohet për ujin, për ndotjen, për çmimet që s’përballohen, dhe për zërin e tij që nuk dëgjohet më. Po e humbasim qetësinë për të fituar fluksin, dhe bashkë me të, po i japim më shumë hapësirë atij që vjen përkohësisht sesa atij që qëndron dhe kontribuon çdo ditë.

Në deklaratat institucionale, në raportet dhe madje edhe në gjuhën e përditshme, është bërë tashmë zakon të thuhet: “këto masa favorizojnë turistët dhe qytetarët”, “projekti është në shërbim të turistëve dhe komunitetit lokal” – por përse gjithmonë turisti përmendet i pari?

Kjo nuk është thjesht një formulë gjuhësore. Është një simptomë e një prirjeje më të thellë: vendimmarrja dhe planifikimi zhvillimor po orientohet gjithnjë e më shumë drejt nevojave të vizitorëve, duke e shtyrë qytetarin vendas në periferi. Ky rendim simbolik fjalësh përkon me një rendim real prioritetesh: politika që favorizojnë sezonin, biznesin e shpejtë dhe marketingun turistik, por që harrojnë cilësinë e jetës së banorëve, shërbimet bazë dhe ruajtjen e komunitetit si një organizëm i gjallë social dhe kulturor.

Po harrojmë një parim themelor: turizmi duhet të jetë në funksion të komuniteteve pritëse, jo anasjelltas. Ai duhet të jetë një mjet, një burim të ardhurash, një mundësi zhvillimi, dhe jo një qëllim në vetvete që i nënshtrohet çdo kompromisi në kurriz të jetës vendase.

Kur qytetari shtyhet në plan të dytë, ndodhin këto:

• Çmimet e rritura për qiranë apo ushqimin bëjnë që të rinjtë të largohen nga vendlindja.

• Shërbimet publike (si pastrimi, ujësjellësi, qasja në hapësirat publike) kthehen në të pamjaftueshme ose selektive.

• Komuniteti humbet identitetin e vet dhe shndërrohet në një “skenografi” për konsum të përkohshëm.

Zhvillimi i qëndrueshëm nuk është ai që sjell vetëm turistë, por ai që forcon komunitetin, ruan ekuilibrin, dhe gjeneron të ardhura që rishpërndahen në dobi të vendasve. Prandaj është jetike të ndryshojmë diskursin dhe rendin e përparësive.

Duhet të themi: “Kjo politikë u shërben qytetarëve dhe vizitorëve.” Dhe duhet ta mendojmë kështu në çdo investim, projekt, apo strategji. Vetëm kur komuniteti është i shëndetshëm, mikpritës dhe i fuqizuar, turizmi mund të jetë i suksesshëm – për të gjithë.

Qytetari nuk mund të jetë më një figurë dytësore në hartat e zhvillimit. Ai duhet të rikthehet aty ku e ka vendin: në qendër të politikëbërjes dhe qeverisjes. Politikat, investimet dhe vendimmarrjet nuk mund të ndërtohen mbi logjikën e sezonit, por mbi themelet e jetës së përditshme. Qytetari duhet të jetë jo vetëm përfituesi kryesor, por edhe bashkëhartuesi i zhvillimit. Ai duhet të dëgjohet, të përfaqësohet dhe të jetë pjesë aktive e çdo procesi. Ndërkohë, politikëbërësit duhet të kenë guximin të rishikojnë prioritetet dhe të rikthejnë misionin e tyre tek ajo që është më themelore: mirëqenia afatgjatë e komuniteteve. Sepse një vend ku qytetari ndihet i dëgjuar, i mbrojtur dhe i vlerësuar është një vend që ofron edhe eksperiencën më të mirë për çdo vizitor. Vetëm kështu, çdo stinë do të jetë e qëndrueshme, dhe çdo zhvillim do të ketë kuptim.

Ky shkrim është i pari si pjesë e ciklit “Qytetarët në Qendër të Vëmendjes”.

You may also like

Adblock Detected

Please support us by disabling your AdBlocker extension from your browsers for our website.