Turizmi përballë vetvetes

by admin

Në një vend, institucionet e të cilit marrin veset e shefit të radhës, njerëzit janë të prirur të mos i besojnë deklaratave zyrtare, me idenë fikse se as vetë shteti nuk i beson ato çka thotë. Kështu ka ndodhur me shifrat për rritjen ekonomike të vendit, kështu ka ndodhur me raportet për përmirësimin e klimës për biznesin, e kësisoj, nuk ka pse të mos ndodhë kështu edhe me turizmin, sikurse kështu mund të ndodhë edhe me regjsitrimin e minoritetit grek në Fushë-Arrëz. Megjithatë, duke qenë medium, një revistë nuk mund t’i përkasë njërës palë. Pra shtetit që shkarkon bateritë në fushata propagandistike trushpëlarëse. E as turmës së madhe të nihilistëve, mosbesueve e indiferentëve që shtohen ora-orës. Në një moment të tillë krize, një medium ka mundësinë e madhe të pozicionohet mes palëve, në përpjekje për t’u kthyer atyre besimin te njëri-tjetri, duke u bërë në vetvete një faktor i rëndësishëm i zhvillimit, si dhe një shembull i respektueshëm i transparencës profesionale që do të duhej të ishte kudo.

Një detyrë të tillë ka marrë përsipër të kryejë këtë numër revista Travel, nëpërmjet angazhimit voluminoz e të mundimshëm për me thirrë në forum zërin e vërtetë të turizmit në Shqipëri: biznesin akomodues, i cili është ai që përballet drejtpërdrejt me turistët, ai që nuk pret t’ia thotë kush numrin e personave që kanë hyrë në këtë apo atë pikë të kalimit kufitar, numrin e pushueve ditorë apo të turistëve të huaj. Kanë marrë pjesë në këtë forum jo pak, por rreth 1.5 përqind e biznesit hotelier në Shqipëri, shifër kjo shumë herë më e madhe se ajo që njihet nga praktikat e sondazheve, kampionet e të cilave nuk e kalojnë 0.03 përqindshin e numrit të përgjithshëm të target grupit.

Nëpërmjet këtij forumi revista nuk merr përsipër të nxjerrë përfundime mbi gjendjen reale të turizmit në Shqipëri, tani që sezoni është në finalen e vet, duke ia lënë këtë ekskluzivitet lexuesit mendjehapur, i cili e ka mundësinë të krahasojë brenda së njëjtës revistë statistikat zyrtare mbi numrin e hyrje-daljeve të njerëzve e mjeteve në Shqipëri, me zërin e operatorëve turistikë që i janë përgjigjur në mënyrë të drejtpërdrejtë pyetjeve mbi ecurinë e biznesit të tyre në këtë sezon turistik. Me një shpërndarje gjeografike që e rrok krejt Shqipërinë turistike nga Valbona në Ksamil, nga Durrësi në Pogradec, nga Thethi në Voskopojë e Leskovik, nga Kavaja në Vlorë e nga Lura në Sarandë, duke kaluar edhe mespërmes Beratit e Gjirokastrës, biznesi hotelier është i pranishëm në këtë numër të revistës Travel me përvojat e këndvështrimet e larmishme për bukën e vet të përditshme. E meqë erdhëm në këtë pikë, është koha që institucionet ta shkëmbejnë në lekë rritjen e madhe të numrit të turistëve që deklarojnë se kanë hyrë në Shqipëri gjatë këtij sezoni, sepse ata që hanë bukë me këtë punë, nuk mendojnë aspak kështu.

You may also like

Leave a Comment

Adblock Detected

Please support us by disabling your AdBlocker extension from your browsers for our website.