Sot në Koridorin e Pallatit të Kulturës dhe në ambientet e Ministrisë së Bujqësisë u shpalos projekti Agroturistik “Rruga e Verës dhe e Ullirit” në Shqipërinë e Mesme, një projekt i Agjencisë Rajonale për Zhvillim (AZHR2) dhe mbështetur nga Ministria e Turizmit me pjesëmarrje të bashkive Tiranë, Shijak, Kavajë, Dibër e Vorë. Shqipëria e Mesme, kjo zonë e begatë kulturash bujqësore po kthehet me shpejtësi në një zonë të mirëfilltë agroturizmi, në gjirin e së cilës po rriten ferma, kantina, restorante e biznese të tjera me natyrë agroturistike që kanë krijuar një produkt të pastër turistik, siç është projekti “Rruga e Verës dhe e Ullirit”. Vizitorë të shumtë patën mundësi të shijojnë apo siç thuhet në gjuhën turistike “të degustojnë” shijet e veçanta të verërave shqiptare të Kantinave Belba Kavajë,Kantina Kokomani në Eminas, Shijak, Herta Maminas, Duka, Vila Shehi, Kantina Dervishi, “Gjergj Kastrioti” etj., si dhe të shijojnë janin e ullirit të shumë kompanive që kanë shtrirë tashmë aktivitetin e tyre në këtë zonë.