I përhershëm në strategjitë kombëtare të turizmit, qëkur këto nisën të hartoheshin, turizmi bregdetar mund t’i ketë sjellë Shqipërisë të ardhura të konsiderueshme, sepse shumica e frekuentuesve të plazheve tona ishin shqiptarë nga jashtë kufijve. Mirëpo sikurse e kemi thënë që në editorialin e numrit të parë të revistës Travel (Maj 2011), shtegtimi patriotik i kosovarëve drejt Shqipërisë po ulet gradualisht, e këtë e konfirmoi edhe INSTAT, sipas të cilit, vetëm gjatë Korrikut 2017, në krahasim me një vit më parë, në vendin tonë erdhën 33% më pak pushues nga Kosova. Në jo pak raste të zhgënjyer nga diferencimi në shërbime, dyndja e tyre krijoi idenë e një turizmi të përjetshëm, duke e shtyrë biznesin e ndërtimit drejt një krimi thuajse të pazhbëshëm: shëmtimin e qyteteve. Metastazat e betonit e kanë zgjeruar shkatërrimin mjedisor në secilën perlë të banuar përgjatë 400 km bregdet, duke i kthyer disa prej kryeqendrave, si Durrësin, Vlorën dhe Sarandën, në qytete fantazëm me përbindësha – bunkerë të frikshëm që hanë pyje dhe male e në të cilat, në këtë Tetor të ngrohtë, nuk gjendej turist që të ndizte një dritare, ndërsa ne pretendojmë zgjatjen e sezonit turistik deri në 10 muaj. Dhe nëse komentet negative të turistëve të huaj në TripAdvisor duken dashakeqe, një natë e kaluar në të ashtuquajturat hotele të bregdetit kundrejt kushteve dhe çmimeve të papërshtatshme, është provë se sa jostrategjike vazhdojnë të jenë investimet e biznesit të betonit në territorin e një shteti që nuk arrin ta shtrijë sovranitetin e tij territorial, në kuptimin më të drejtpërdrejtë të fjalës.