
Në mëngjes u ula në tarracën e hotelit, i cili ishte i mbushur nga zotërinj të moshuar që mbanin në kokë kapele. Në tarracë është një pamje e bukur. Ka lule, bimë të bukura, lule portokalli dhe disa pemë të tjera mjaft të këndshme. Pas është parku me pemë palme. Dola dhe u ngjita rrugës për në kala. Shpresoja të gjeja muzeun ‘Onufri’. I zbulova pak më shumë rrugët e vogla duke u përpjekur edhe t’i njihja. Meqë vetëm nuk e gjeja dot, pyeta për ‘Onufrin’ një djalë të vogël, i cili më futi nëpër ca rrugica herë poshtë e herë lart, dhe ja ku ishim përballë tij. Fëmija ishte shumë i ëmbël dhe i bukur e, meqë nuk më kërkoi asgjë, i fala atij 40 lekë. Ai më tha faleminderit në anglishte e më pas, mirupafshim. Por, muzeu ishte i mbyllur. Ndërsa po ecja në disa rrugë të tjera m’u afruan dy burra. Ata më kërkuan t’i ndiqja dhe më çuan të shihja kishat. E pashë kishën e Shën Marisë, mjaft e bukur dhe e mbuluar me afreske, edhe pse disa prej tyre ishin dëmtuar. Njëri prej burrave më tha se ishin dëmtuar në kohën e komunizmit. Muret dhe çatia kishin imazhe të mrekullueshme të shenjtorëve dhe në veçanti të Shën Marisë. Punime prej guri në dysheme, që është dekoruar me disa dizajno yjesh. Kisha tjetër që ne vizituam ishte ajo që i kushtohej Shën Kollit. Pothuajse të gjithë afresket ishin dëmtuar, por kishte shenja të qarta të punës rikonstruktuese që ishin bërë aty. Më pas më çuan në një tjetër kishë që unë kisha parë ditën tjetër, atë kishën me tulla të kuqe dhe me atë kubenë e saj të bukur. U kthyem në kalanë e vjetër. Më treguan një tjetër pjesë të kalasë që unë nuk e dija. Ishte një dhomë e nëndheshme. Unë kalova përmes një hyrjeje me hark përsipër. Dyshemeja ishte nën ujë dhe aty ishte një atmosferë e një tmerri të pastër.



