







A e dini se Leskoviku dikur ka qenë një “vend bejlerësh”? Me shtëpi ku veronin të pasurit e Korçës, me llixha ku vinin e “zbukuroheshin” bejlereshat? Me vreshta pa anë e fund? Leskoviku i sazeve, i natyrës së bukur, i Llixhave të Sarandaporit, i klimës së mrekullueshme, i burimeve e krojeve me ujë kristal, i mjeshtërve të drurit e gurit, ka pasur një periudhë shkëlqimi e begatie që vështirë se do të përsëritet ndonjëherë. Por kurrë nuk thuhet kurrë dhe Max Mavrud na e vërteton plotësisht këtë.
Familja Fejzulla, e Kantinës Max Mavrud me origjinë të vjetër nga kjo zonë, investoi për t`i dhënë edhe njëherë zonës së Leskovikut një identitet që të njihej ndërkombëtarisht për prodhimin supercilësor duke zgjedhur pikërisht këto varietete si Mavrud Pinot, Debinë e Bardhë dhe e Zezë dhe në kultivarë ndërkombëtarë, pasi këta kultivarë kishin lënë gjurmë në historinë e zonës së Leskovikut.
Vreshtat e Kantinës Mavrud në Leskovik
Gjithkush dëshiron ta shohë sa më mirë vendin e vet dhe bën ç`është e mundur për këtë, në mënyrën e tij. Familja Fejzulla bëri pikërisht këtë dhe nëse ky shkëlqim nuk do të vinte dot për të gjitha ato cilësi që Leskoviku kishte dikur, ka disa bulëza vezulluese që jo vetëm i janë rikthyer por kanë marrë vlerën e margaritarëve. Apo më mirë le të themi të rubinëve të kuq.
Vera Mavrud nëpër festat lokale
Po, sepse po flasim për vreshtat me nam të leskoviqarëve, që dikur prodhonin verë të cilësisë së lartë “vetëm për zotërinj”. Sot ato vreshta kanë marrë jetë falë Maksit e Dianës, që nuk deshën ta lënë në harresë origjinën, që erdhën e i rizgjuan vreshtat e harruara, u kthyen magjinë e dikurshme, i krasitën e nxorën sytha të rinj, e sot, në plot 16 hektarë, shpaloset një prej panoramave të më bukura të Juglindjes së Shqipërisë, që si në ato pikturat e Rilindjes Europiane, pasi krjohet sfondi idilik, vendoset me dorë një shtëpizë e bukur përrallash për ta bërë tablonë perfekte.
E dini se cili është varieteti i veçantë i Leskovikut? Është vetëm një dhe quhet Mavrud, edhe pse për dashuruesit e verës, që “marrin vesh” nga kultivarët, duhet të themi që në vresht kultivohet Debinë e bardhë dhe e zezë, Merlot, Pinot etj. E meqë vera është poezi, Mavrudi i Leskovikut mund të quhet me fat që për ta bërë edhe një herë një verë “me nam”, do të vinte pikërisht Maksi, që do t`i dhuronte një figurë aq të bukur letrare si aliteracioni, për ta prezantuar nëpër botë me emrin aq të bukur “Max Mavrud” që këndon si emër e vallëzon si shije.
Vera Mavrud në restorantet tradicionale shqiptare
Për verën është vështirë të flitet pa u ndjerë pak poet por natyra që rrethon vreshtat e Max Mavrud ta bën edhe më të thjeshtë dellin poetik. E për ta bërë mikpritjen mbresëlënëse, kantina është kthyer tashmë në një pikë të mrekullueshme agroturistike ku vera ekzaltohet në shije, shoqëruar me produkte të zonës, gatimet lokale, frutat e kopshtit, zahiretë e amvisave duararta. E kush mund t`ua kalojë gatimeve të Kolonjës?
Edhe pse kur bisedojmë me Florin ai flet thjesht, duke na shpjeguar se si kantina prodhon një lloj vere të kuqe, një blend i harmonizuar Mavrud dhe Merlot ose Pinot dhe Merlot nga një kombinim kultivarësh të kuq në momentin e ambalazhimit, ne e kuptojmë se ka një dashuri të sinqertë në fjalën e tij, siç mund të jetë vetëm dashuria për verën.



Sot Max Mavrud pa asnjë dyshim ia ka kthyer shkëlqimin Leskovikut me sqimën e hollë, me shijen aristokratike si dikur, me mikpritjen dhe dashurinë për vendin e origjinës, që ashtu si Maksi u kthye për të ringjallur vreshtat, ashtu të kthen pas në kohë, në atë kohë të artë kur Leskoviku i Sazeve, i Hafizesë e Asllanit, përmendej në të gjithë Shqipërinë, nëpër Janinë e Stamboll, për zërin e rrallë dhe lojën virtuoze me saze, muzikë për shpirtin e shije për zemrën. Ashtu si vera e e kuqe e Leskovikut që të llaston shpirtin e të shton jetën.
Kantina Max Mavrud ndodhet në zonën malore të Shqipërisë në Jug-Lindje në Leskovik. Aktualisht kantina prodhon një lloj vere të kuqe, një Blend e harmonizuar nga një kombinim kultivarësh të kuq në momentin e ambalazhimit.
Ngarkesa mesatare e vreshtit varion nga 50 deri 60kw për Hektar, mesatarisht 1,4kg rrush për rrënjë hardhi. Verërat shprehen me një vlerësim organoshqisor të shkëlqyer e mbresëlënës. Vreshtat e kantinës janë kultivuar në terren malor në lartësinë 750 metra mbi nivelin e detit me kundrejtim jugor ku rrezet e djellit e rrahin nga lindja e deri në perëndim. Terreni është gëlqeror me pH 7.2. Kantina disponon 16 hektarë vreshta; 5 Ha Mavrud 3 Ha Debine e zezë dhe e bardhë 3 Ha merlot, pjesa tjetër Pinot Syrah Perla. Tendenca është në rritje nga viti në vit me kultivarë: Mavrud, Merlot, Pinot Noir, Debine e Bardhë, Debine e Zezë dhe Perla.

Më shumë foto: këtu
Jonida Shano *
Gjithçka ndryshon me ndryshimin e epokave, zakoneve, mendimeve, madje edhe shijet për ushqimin.
Çdo gjë ka kohën e vet.
Patjetër, derisa atje, nëpër rrugë, mes njerëzve, nëpër sheshe, nëpër shtëpi, në qytete, në botë, u përhap aroma e atyre recetave të lashta, të gatuara ngadalë, pa nxitim. U përhap edhe aroma e grurit të sapobluar, bukës së gatuar në furrë druri, e djathit “Mishavinë” nga Kelmendi, domateve dhe hideve në vaj, “Osave” të Gjirokastrës të gatuara me mishin e thatë nga Malësia e Madhe.
Dhe ja tek u zgjua menjëherë ajo lidhje e pazgjidhshme mes ushqimit dhe kujtesës, e aftë për të ngjallur kujtime të një epoke të shkuar dhe që na shoqëron gjatë gjithë jetës, si ëmbëlsirat tona të preferuara kur ishim fëmijë, eksperimentet tona të para në kuzhinë, drekat e bëra nga gjyshja, receta familjare që kalojnë brez pas brezi, ai ushqim i veçantë që prej vitesh ka shënuar momentet tona të lumtura.
Ndaj është e natyrshme të mos habitemi përse stenda e Shqipërisë në “Terra Madre Salone del Gusto” 2022 ishte më e dyndyra me njerëz nga mëngjesi herët deri në orët e vona të mbrëmjes.

Ishte një pjesëmarrje madhështore që erdhi si rezultat i sinergjive pozitive nëpërmjet Ministris së Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural, Agjencisë Italiane për Bashkëpunim për Zhvillim (AICS Tirana), VIS Albania, DeP Dora e Pajtimit, anëtarët e Slow Food Albania nga Veriu në jug, si dhe Aleancës së Slow Food e shefave të kuzhinës në Shqipëri me përfqësuses Mrizi i Zanave, Luga e Argjendtë dhe Naim Bashmili.
Shqipëria u prezantua në Torino me një triumf shijesh, aromash dhe ngjyrash, në harmoni të përsosur me konceptet shtytëse të Slow Food: pastër, mirë dhe drejtë.
Skenari i një stende druri tërësisht ekologjike, i zbukuruar nga prania e mullirit të gurit të prodhuar në mënyrë artizanale nga dy të rinj nga Tale në krahinën e Shëngjinit.
Një ide e realizuar brenda 24 orëve nga Altin Prenga i Mrizi i Zanave, Besmir Rrjolli i DeP Dora e Pajtimit, shefi i kuzhinës Arbër Kukaj dhe vullnetarë shqiptarë me banim në Itali.
Këtë vit Terra Madre Salone del Gusto iu kushtua RIGJENERIMIT dhe komuniteti Slow Food Albania, i mbështetur për herë të parë nga Ministria e Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural, krijoi një zinxhir ushqimor kushtuar grurit, kësaj kulture bujqësore themelore dhe të rëndësishme për jetën tonë.
Një stendë e furnizuar me energji elektrike nëpërmjet paneleve diellore dhe që donte të demostronte kuzhinat e nje kohe te shkuar por aktuale ne shume zona te Shqiperise, ku gatuhej me furra dhe soba druri dhe ku, shume shefa kuzhine nga vende të tjera te botes, përgatitën recetat e tyre.
Aty ku fuqia e kujtesës së ushqimit, mes pasionit dhe nostalgjisë, bëri që kuzhinierë shqiptarë, të cilët kanë emigruar në Itali prej më shumë se 20 vitesh, erdhën për të bashkëpunuar në stendën e Shqipërisë në Terra Madre Salone del Gusto 2022.
Shefa kuzhine të cilet se bashku me kuzhinierët e Aleancës, kanë bërë të pamundurën për të promovuar punën e vazhdueshme të kryer nga Komuniteti i Slow Food. Te cilet me një vokacion inteligjent inovativ, por gjithmone duke respektuar traditën, kanë mundur të transformojnë cilësinë e jashtëzakonshme të brumit, lendeve te para dhe specialiteteve agroushqimore shqiptare, në bizhuteri gastronomike.
Shefa te kuzhinës të cilet duke përzier me mjeshtëri produktet tipike të zinxhirit Slow Food nga Veriu deri në Jug, ju ofruan vizitorëve gatime të shkëlqyera të kuzhinës tradicionale që në Shqipëri është një realitet i së tashmes.
Përfundoi kështu rrugëtimi i Shqipërisë në edicionin e 14-të të Terra Madre Salone del Gusto 2022, i cili përfaqësoi një moment takimi midis ekspozuesve dhe vizitorëve të pasionuar dhe të magjepsur nga historitë, produktet dhe territoret.
Një emocion unik që tregoi edhe një herë se sa energji dhe sa pasion sjell rrjeti Slow Food, por mbi të gjitha, tregoi një Shqipëri të mrekullueshme që më në fund ecën në unison, duke lartësuar pasuritë e saj mjedisore, natyrore, peizazhore, identiteti dhe agro-ushqimore.
Duke u fokusuar te njeriu si punëtor i tokës, ruajtes se traditës, mjeshtërise se duarve dhe e mendjes së tij, simbol i qëndrueshmërisë dhe elasticitetit, shtylla e ekonomisë sonë.
* Eksperte komunikimi. e dërguara e Travel the Balkans Magazine në “Terra Madre – Salone del Gusto”
Golem, 27 gusht 2022
Të shtunën e 27 gushtit, Bulevardi i Pishave të plazhit të Golemit u gjallërua dhe zbukurua nga ngjyrat dhe motivet e trashëgimisë sonë të pasur kulturore dhe tingujt e muzikës etno. Panairi i Artizanatit bëri bashkë dhjetra artizane nga Kavaja dhe qytete të ndryshme të Shqipërisë si Durrësi, Tirana, Elbasani, Vau Dejës, Berati dhe Gjirokastra, të cilat ekspozuan produktet të prodhuara mjeshtërisht nga duart e tyre dhe tërhoqën vëmendjen dhe zgjuan kuriozitetin e të gjithë të pranishmëve. Shumë turistë, vizitorë dhe pushues vendas dhe të huaj vizituan panairin dhe u ndalën në tavolinat e mbushura me produkte të ndryshme artizanati: punime tezgjahu, pocerie, kostume popullore, qilima, qëndisme, punime grepi dhe shtize, makrame, filigrani, rezine etj duke u njohur me mjeshtërinë dhe kreativitetin e artizaneve në prodhimin e produkteve të punuara me dorë.

Panairi ofroi workshopse demonstruese të punës me dorë duke ftuar fëmijë, të rinj e të reja, të cilët nën kujdesin e artizaneve provuan të realizojnë procese të thjeshta të punës së dorës. Fëmijë të shumtë u bashkuan për të provuar magjinë e të krijuarit art me duart e tyre dhe u larguan të lumtur duke marrë e vete copëzën e artit që sapo krijuan. Panairi synoi promovimin e artizanatit si instrument i fuqizimit ekonomik të grave, rëndësisë së sektorit për turizmin, trashëgiminë kulturore dhe identitetin kombëtar dhe mirëqenies sociale dhe ekonomike të grave dhe vajzave. Gjithashtu, një ekspozitë modeste e fotografive të vjetra në lidhje me artizanatin dhe Kavajën krijoi një kënd tërheqës për shumë vizitorë.

Aktiviteti u cel nga tingujt dhe performanca e grupit të valleve të Qendrës Kulturore të Fëmijëve eKavajë të cilët na prezantuar Vallen e Qilimave. Organizatorët e këtij eventi përshëndetën artizanet pjesëmarrëse dhe të pranishmit. Fillimisht, Evelina Azizaj, Koordinatore Kombëtre e Rrjetit Shqiptar për Zhvillimin Rural tha ndër të tjera: “Organizatorët e këtij aktiviteti – ANRD, Bashkia Kavajë, UN Women– ndajnë njëmendësi mbi rolin e rëndësishëm të grave dhe vajzave në mirëqenien familjare dhe komunitare, të vështirësive që ato përjetojnë, dhe rëndësisë së fuqizimit ekonomik të tyre. Një cështje e tillë kërkon instrumente të ndryshëm që përshtaten me kontekste të ndryshme vendore në të cilat gjenden gratë dhe vajzat dhe të mbështeten në potencialet vendore. Për këtë arsye, panairi synon të promovojë artizanatin si instrument të fuqizimit ekonomik të grave dhe vajzave dhe mirëqenies sociale dhe ekonomike të tyre, si dhe për mbrojtjen e trashëgimisë së pasur kulturore dhe identitetin kulturor të vendit tonë”.

Nënkryetarja e Bashkisë Kavajë, Valbona Karkini Mustafa përmendi traditën e pasur artizanale të qytetit Kavajë dhe shprehu angazhimin e Bashkisë në rigjallërimin e kësaj trashëgimie të pasur dhe fuqizimin social ekonomik të grave dhe vajzave të angazhuara në zinxhirin e vlerës së artizanatit.
Zëvendës shefe e UN WOMEN Shqipëri, Estela Bulku përshëndeti këtë aktivitet duke theksuar mbështetjen për rimëkëmbjen ndaj tërmetit që UN Women në bashkëpunim me partnerët po ofron, pjesë e së cilës është edhe ky event. “Zona e Durrësit, Kavajës dhe të tjera qytete ende vuajnë pasojat e tërmetit të nëntorit 2019. Projekti synon të mbështesë gratë që të fuqizohen ekonomikisht si pjesë e përpjekjeve të rimëkëmbjes pas tërmetit”.

Pas vizitave në tavolinat e panairit dhe njohjes dhe bisedave me artizanet pjesëmarrëse, u zhvillua një panel diskutimi me fokus artizanatin, sfidat dhe potencialet që ai ofron për mirëqenien e grave dhe vajzave të reja. Në panel u ndanë ide të ndryshme mbi sfidat dhe problematikat që hasen në këtë sektor, vështirësitë e artizaneve, si dhe përvoja konkrete nga artizane të ndryshme me fokusmundësitë për të përmirësuar situatën dhe rekomandimet në këtë drejtim.

Panairi ishte një mundësi ideale që krijoi ura lidhëse midis konsumatorëve dhe artizaneve. Vizitorë dhe turistë të shumtë vendas dhe të huaj u mahnitën nga punimet e mrekullueshme që artizanet kishin krijuar dhe shpesh herë nuk hezituan që të blenin produkte me vlerë nga fondi i pasur i trashëgimisë së pasur kulturore. Aktiviteti dëshmoi qartë se si nisma të tilla ndihmojnë në rritjen e vetvlerësimit të artizaneve për punën e tyre, përmirësimit të marketingut, rrjetëzimit dhe fuqizimit të grave artizaneve. Të tilla aktivitete duhet të jenë të qëndrueshme në kohë dhe të mbështeten nga të aktorët.

Ky aktivitet u organizua nga Rrjeti Shqiptar për Zhvillimin Rural në bashkëpunim me Bashkinë e Kavajës dhe me mbështetjen e UN Women (Enti i Kombeve të Bashkuara për Barazinë Gjinore dhe Fuqizimin e Grave) në Shqipëri në kuadër të Ndërhyrjës FUQIZIM EKONOMIK I GRAVE NË ZINXHIRIN E VLERËS SË ARTIZANATIT NË BASHKINË KAVAJË, i mbështetur nga Projekti me Ndjeshmëri Gjinore për Rikuperimin dhe Rindërtimin pas Tërmetit, mbështetur nga UN Women në Shqipëri, me mbështetjen financiare të Qeverisë Suedeze, përmes Fondit të Objektivave të Zhvillimit të Qëndrueshëm të Kombeve të Bashkuara në Shqipëri.






për më shumë imazhe, vizitoni linqet e mëposhtme:
Apiterapia është një lloj terapie alternative që përdor produkte që vijnë direkt nga bletët përmes një sistemi thithjeje me të ngjashëm me aerosolin. Ajo përdoret për të trajtuar sëmundjet dhe simptomat e tyre, si dhe dhimbjet nga lëndimet akute dhe kronike.
Apiterapia është përdorur për mijëra vjet në lashtësi. Ajo mund t`i ketë gjurmët në Egjiptin e lashtë dhe Kinë. Grekët dhe romakët përdornin produkte bletësh edhe për qëllime mjekësore, ku helmi i bletës përdorej për të trajtuar dhimbjet e kyçeve nga artriti.
Arsyeja se pse po ju flasim për Apiterapinë është se më në fund, për herë të parë kjo metodë shërimi natyral mund të gjendet edhe në Shqipëri.
Është pikërisht Farma Sotira Agroturizëm, që mendoi t`ia shtonte këtë aspekt të rëndësishëm ofertës së saj agroturistike, duke u dhuruar kështu pushuesve të saj jo vetëm relaks por edhe mundësi të shkëlqyera për të trajtuar një sërë sëmundjesh që apiterapia ndihmon të reduktohen ose zhduken plotësisht.

Sëmundjet që mund të trajtojë Apiterapia, përfshijnë:
Astma
Alergjitë
Skleroza e shumëfishtë
Artriti
Infeksionet
Herpes
Lëndimet që mund të trajtojë apiterapia përfshijnë:
Plagët
Dhimbjet e ndryshme të trupit
Dhimbjet e kokës
Djegiet
Tendonitis
Apiterapia mund të përfshijë përdorimin e të gjitha produkteve të krijuara natyrshëm nga bletët. Kjo përfshin: Helmin e bletës, Polenin, Propolisin, Dyllin dhe qumështin.
Përfitimet dhe përdorimet e apiterapisë.

Apiterapia mund të përdoret për të trajtuar një sërë problemesh të ndryshme:
Lehtëson dhimbjet e artritit
Ul enjtjet e ndryshme. Ul nevojën e përdorimit të ilaçeve, ul rrezikun e infeksionit. Shëron plagët, si djegiet, çarjet, psoriazat, falë vetive të tij antibakteriale, anti-inflamatore dhe qetësuese.
Ndihmon me alergjitë
Apiterapia mund të ndihmojë në trajtimin e alergjive në disa mënyra sepse përmes polenit të luleve që kanë tërhequr bletët, kthehet në një alergjen shumë të mirë. Gjithashtu ajo mund të qetësojë dhimbjen e fytit të shkaktuar nga alergjitë dhe të veprojë si një frenues natyral i kollës.
Ajo e injekton këtë alergjen në trup, duke krijuar potencialisht një imunitet ndaj alergjisë.
Trajtoni gjendjet imune dhe neurologjike
Apiterapia mund të përdoret si një trajtim plotësues për sëmundjet e lidhura si me sistemin imunitar ashtu edhe me sistemin neurologjik, duke përfshirë:
Sëmundjen e Parkinsonit
Sklerozën e shumëfishtë
Sëmundjen e Alzajmerit
Rregullon funksionin e tiroides
Reduktoni gingivitin dhe pllakën dentare.
Apiterapia madje mund të ndihmojë në shërimin dhe parandalimin e plagëve të kancerit.
Ja pse, tani e tutje, duhet të keni një arsye më shumë për të vizituar Farma Sotirën në Kolonjë, në mënyrë që kur të shkoni për të gjetur pak relaks e ushqim të mirë në shoqërinë e natyrës, të mund të gjeni gjithashtu përmes apiterapisë, edhe shërminin e sëmundjeve tuaja. Sepse, dihet asnjë mjek nuk shëron më mirë se natyra!
Agroturizmi ka kohë që është kthyer në kryefjalën e turizmit në Shqipëri. Themi në Shqipëri se në botë po e po. Edhe pse prurjet më të mëdha në ekonomi nga sektori turistik vijnë prej bregdetit apo turizmit masiv, ai nuk është një sektor që e lidh Shqipërinë në mënyrë aq organike sa agroturizmi. Kjo sepse turizmi bregdetar është i përqendruar vetëm në një rrip të ngjeshur përgjatë Ultësirës Perëndimore, duke ushqyer me mirëqenie vetëm qytetet përkatëse, ndërkohë që agroturizmi është një rrjet i imët kapilar që “injekton” mirëqenie në zonat më të varfra të Shqipërisë, që janë ato rurale, deri në fshatrat më të largëta e pa infrastrukturë rrugore.

Agroturizmi gjithashtu ka edhe plot tipare të tjera të vyera, që e bëjnë të jetë as më pak e as më shumë por e ardhmja e turizmit të qëndrueshëm në botë. Ai është i lidhur fort me bujqësinë, që është sektori më jetik e më i madh në Shqipëri, është një respektues i madh i mjedisit, një mësues i shkëlqyer i dashurisë për tokën dhe natyrën, një vitrinë muzeale e gjallë, ku ekspozohet e gjithë trashëgimia jonë kulturore dhe materiale, tryeza e gastronomisë autentike shqiptare, dhe, dhe, dhe, mbi të gjitha, është dashuria e madhe e turistëve të huaj në mbarë botën, që në dekadën e fundit janë të etur për përvojat lokale, jetën mes vendasve, ushqimin e thjeshtë e natyral dhe jetën në fermë a në natyrë.
Prandaj gjithçka që ndodh në të mirë të agroturizmit, e presim me gëzim dhe e përcjellim me dëshirë të madhe, duke qenë edhe vetë kontribues të pakursyer në promovimin e tij të vazhdueshëm me të gjitha mënyrat.
Kështu u gëzuam edhe kur mësuam për themelimin e Shoqatës së Agroturizmit Shqiptar, një përfaqësi zyrtare tashmë e këtij sektori, ndërmarrë nga 71 njësi ekzistuese agroturistike dhe mbështetur nga GIZ-I, ky kontribues i palodhur i qeverisë gjermane, ne ndihmë të zonave rurale të Shqipërisë dhe jo vetëm të tyre.

Më poshtë po ju përcjellim komunikatën që kjo shoqatë përcolli si një përshëndetje të parë me publikun shqiptar.
I urojmë mirëseardhjen dhe suksese nga Revista Travel!
Ndryshimet e vazhdueshme të sektorit buqësor kërkojnë që fermerët tanë të përshtaten me realitetet e reja dhe të përqafojnë strategji alternative për t’i mbajtur fermat e tyre të qëndrueshme. Diversifikimi i fermave është kthyer në një strategji për fermat tona duke u shndërruar në njësi agoturistike model.
Sot agroturizmi shikohet si mënyra alternative më efikase për të përdorur burimet e fermave dhe gjeneruar të ardhurat shtesë, rritur punësimin e të rinjve, sot agroturizmi është kthyer në një trend për të rinjtë që duan bujqësinë.

Në situatat ku sfidat janë komplekse dhe kërkojnë një përgjigje ndër/ose multi-organizative, kërkohet bashkëpunim. Rrjeti është një sistem ndërveprimi midis aktorëve të ndryshëm me synim shkëmbimin e burimeve, informacioneve, aktiviteteve dhe mbështetje të ndërsjella në rritjen e kapaciteteve me përfitime reciproke.
Iniciativa më e fundit e ndërmarrë nga 71 sipërmarrjet agroturistike nuk është thjesht një shoqatë, por është një Rrjetëzim, që përfshin partnerë ndërveprues, partnerë mbështetës, ku në qendër të së cilës qëndron bërthama “Shoqata e Agroturizmit –Shqipëri”.
Qëllimi kryesor i shoqatës është rritja e industrisë së agroturizmit, nëpërmjet ngritjes së kapaciteve njerëzore dhe transferimit të njohurive, marketingut, vendosjes së standardeve, rritjen e të ardhurave për të ofruar një kontributit social-ekonomik-arsimor.

Veprimtaria që shoqata mbulon është advokimi i interesave të njësive agroturizëm, lobimi, promovimi, dhe forcimi i imazhit të Shqipërisë Agroturistike.
Të qenit të gjithë bashkë në një bosht na forcon, e duke qenë të forte, ne synojmë të jemi faktor në zhvillmin e zonave rurale, krijimin e një profili të vetëm të agroturizmit në Shqipëri. Ne duam të vendosim identitet, të udhëhiqemi nga parimet e agroturizmit, toka, autenticiteti, tradita, kultura, natyra, rrënjët tona.
Sapo kemi mbyllur me dinjitet një proçes shumë të rëndësishëm të zgjedhjes së organeve drejtuese të shoqatës, ku udhëheqësit janë të rinj, sipërmarrës të suksesshëm të njësive agroturistike, të cilët kanë një vizion të qartë.

Shoqata drejtohet nga Kryetari Z. Flori Uka dhe Bordi Drejtues Znj. Jonida Hëna, Znj. Elona Bejo, Z. Altin Prenga, Z. Fatmir Ndoj, Z, Rigers Kaçorri.
Shoqata udhëhiqet nga një plan konkret operacional, propropozime që prekin aspekte ligjore, fiskale, promovimin, propozime për bashkë-vendimmarrje (qeverisje) dhe projekte që vinë në ndihmë njësive agroturistike.
Kjo iniciative e nisur nga nismëtarët në rradhët tona, ka gjetur mbështetje nga Qeveria Gjermane, projekti SRD, ekspertë të fushës, partnerë insitucuionalë me të cilët bashkëpunimi do të i vazhdueshëm.
Së shpejti në Ditën Ndërkombëtare të Agroturizmit 16 Maj, shoqata po me mbështetje nga GIZ do të organizojë eventin e parë, më të madh në vend kushtuar këtij sektori, “industrisë me potencial të jashtëzakonshme, si një ndër resurset e vetme dhe më të rëndësishme që i ka mbetur vendit tonë” shprehet, Kryetari i Shoqatës së Agroturizmit Shqipëri, sipërmarresi më i ri, origjina e të cilit është “Toka Mëmë, Ferma e tij”.
Për të mesuar më shumë për sipërmarrjet e shoqatës, tashmë ka një website i cili është dhe në formatin aplikacion (AgroTime AL) tek e cili do të gjeni Shqipërinë e vërtetë rurale, si informacione të aktiviteteve në vazhdim që shoqata do të ndërmarrë.
Faleminderit të gjithëve!
#Koha për Agroturizëm!
#Koha për Bashkëpunim!
Na ndiqni:
FB: Shoqata Agroturizmit – Shqipëri
Instagram: shoqata_agroturizmit
LInked In: Agritourism Association-Albania
Nëse vërtet e keni ëndërruar një shtëpi të tillë, qoftë edhe për pak ditë, apo net, kjo që do t`ju tregojmë i kalon të gjitha pritshmëritë tuaja. Ajo që është është më e rëndësishme dhe që i jep vlerë kësaj rezidence, janë objektet e trashëgimisë, që zbukurojnë çdo dhomë, aq sa do t`ju duket sikur jeni në një shtëpi të vjetër tironce. Këto objekte të çmueshme e bëjnë vilën të marrë vlerën e një muzeu etnografik, ku shumica e objekteve janë pjesë e përdorimit të përditshëm por edhe të trashëgimisë kulturore. Nëpër mure, ju përshëndesin punë artistike dhe fotot e vjetra historike të Tiranës, që vijnë përmes objektivit dhe arkivës së pasur të Foto Rreli. Po flasim për #IONIA HOUSE Vila Rreli Surrel
Të gjithë ne në ëndrrat dhe dëshirat tona, teksa jetojmë jetën tonë të vrullshme e të zhurmshme në kaosin e përditshëm të qytetit, dëshirojmë të shkëputemi qoftë edhe një ditë të vetme diku larg, në natyrë, në një shtëpi të bollshme plot hapësirë e lule, ajër të pastër e veranda plot dritë, ku boritë e makinave dhe pluhuri i trafikut nuk mbërrijnë dot. Ose nganjëherë kemi dëshirë të mblidhemi me miqtë dhe të dashurit e zemrës, për të kaluar ca momente të hareshme në mënyrën tonë, e jo në cep të ndonjë restoranti, ku urimet dhe të qeshurat tona duhet t`i dëgjojnë edhe klientët e tjere, por edhe jo ngushtë e ngushtë në apartamentet tona.

Ambienti i ndjenjjes tek Ionia House
E pra, në ditët e sotme gjithçka gjen zgjidhje, nëse mund t`ia lejoni vetes të tilla kënaqësi. Madje do t`ju thoshim se nëse vërtet e keni ëndërruar një shtëpi të tillë, qoftë edhe për pak ditë, apo net, kjo që do t`ju tregojmë i kalon të gjitha pritshmëritë tuaja.
Diku në Surrelin që kohët e fundit lakohet shumë për faktin se aty jeton kryeminstri me dëshira të çuditshme i Shqipërisë ndodhet një vilë e tillë, që është as më pak e as më shumë por pronë e familjes Rreli. Nëse e njihni Tiranën, duhet ta njihni patjetër edhe Foto Rrelin, diku në krye të bulevardit “Zogu i I-rë”. Në fakt mbiemri “Rreli” për Tiranën është i njohur në shumë hapësira e përmasa, pasi I ka dhënë kryeqytetit shumë personalitete që përfshijnë fusha të ndryshme, si arti, sporti apo shkenca por për këtë do t`ju falsim ndoshta në një numër tjetër. Për këtë herë po përqendrohemi tek ajo që për pak ditë mund ta shijoni si shtëpinë tuaj.

Nëse e keni ndarë mendjen që doni të planifikoni diçka në fundjavë, ato duhet të jenë patjetër dy netë, që të keni mundësi me qëndrimin tuaj, të shijoni çdo mjedis të kësaj vile të bukur. Kopshtet e mbjella me pemë, që në çdo stinë ju shpërblejnë me fruta e perime, ku natyrisht mund të merrni sa të doni për të pregatitur vaktet tuaja, pishina që edhe në stinën e dimrit është një mjedis i këndshëm e ku në ditë me diell po të doni edhe mund të laheni, verandat e gjera e plot dritë, ku mund të shtroni drekën tuaj e të rrini deri vonë duke soditur perëndimin e diellit, ballkonet e shumta që shikojnë një panoramë 360 gradë të natyrës së mrekullueshme përreth, do t`ju bëjnë të harroni për pak momënte kaosin e zhurmshëm urban ku jetoni çdo ditë. Këtu koha nuk ka minuta e orë që vrapojnë.

Mjediset e jashtme të vilës
Por ajo që është është më e rëndësishme dhe që i jep vlerë kësaj rezidence, janë objektet e trashëgimisë, që zbukurojnë çdo dhomë, aq sa do t`ju duket sikur jeni në një shtëpi të vjetër tironce. Këto objekte të çmueshme e bëjnë vilën të marrë vlerën e një muzeu etnografik, ku shumica e objekteve janë pjesë e përdorimit të përditshëm por edhe të trashëgimisë kulturore. Nëpër mure, përveç fotove të anëtarëve të shtëpisë (që do t`ju bëjnë të ndiheni sikur keni ardhur mik), ju përshëndesin edhe fotot e vjetra historike të Tiranës, që vijnë përmes objektivit dhe arkivës së pasur të Foto Rreli.

Vila ndodhet në zonën e Dajtit, 440 m mbi nivelin e detit me një temperaturë shumë të këndshme në raport me qytetin, dhe distanca është 10.2 km nga qendra e Tiranës.
Në vilë janë të disponueshme 5 dhoma, secila me tualet, një ambient i bollshëm ndenjeje, ambient i madh më vete për të gatuar dhe për të ngrënë, pishinë e hapur, kopsht me shumë gjelbërim dhe parkim të konsiderueshëm për makinat. Dhomat janë të kompletuara dhe të sistemuara si në hotelet bashkëkohorë, madje secila prej tyre ka emrin e vet, çka i bën me tipare të veçanta.
Ja pra se si edhe po nuk patët një shtëpi tuajën në fshat apo edhe në ndonjë zonë të bukur natyrore, ku do të donit të mblidheshit me miqtë, mund ta keni të paktën për një fundjavë.

Adresa Surrel, Surrel, Dajt, Tiranë, Albania
Tel: +355 682029675.
Air Bnb: #IoniaHouse
Më shumë foto për këtë mjedis të mrekullueshëm:
Në historinë e turizmit shqiptar, nëse je një pionier, ose do të kthehesh në model për të tjerët, ose do të shndërrohesh në një udhërrëfyes të atyre që duan të ndjekin këtë model.
Kështu mund ta nisim rrëfimin për Margjelon, por pa ditur se në cilën kategori të turizmit ta përfshijmë, sepse ka marrë përsipër një nismë, që nga përpjekjet e ngjashme në këtë sektor, ne e quajmë laborator turizmi. Për ta përmbledhur në pak fjalë, një punishte artizanati e produktesh lokale, ku turistët mund të vijnë të shohin drejtpërdrejt copëza nga e shkuara jonë në drejtim të traditës, nga duart e artizanëve dhe prodhuesve që po i bëjnë ato në kohë reale. Në një mjedis të përbashkët ku secili sektor ka rëndësisnë e vet, ata mund të shohin se si mjeshtrat punojnë filigranin, këtë traditë të hershme të Shkodrës, që nga lënda e parë argjendi, telëzimi, punimi, krijimi i figurave. E deri tek produkti final, ku çdo artizan ka detyrën e tij të veçantë dhe mjetet përkatëse në punishte. Nga ana tjetër, në një dhomë të bukur tradicionale dy-tri gra mund të qepin e qëndisin, të thurin me grep apo me shtiza zbukurime të ndryshme shtëpiake e personale apo edhe veshje të traditës. Diku në një kënd qëndron tezgjahu, ku do të enden copat e famshme që sot i ka traditë ende të gjallë Zadrima, dheqë aq shumë pëlqehen sot, jo vetëm nga të huajt por edhe nga shqiptarët që duan t`i kthehet tradtitës. Diku në pjesën e pasme, në një kënd të oborrit të gjelbëruar, mbushur plot lule e pemë frutore, do të zihet raki e bëhet verë sipas stinës, nga rrushi i vreshtave aty pranë, ose sipas rastit, do të përgatiten zahire dimri, duke filluar që nga mishrat, e deri tek frutat e perimet, duke i shndërruar në turshi, reçelna, gliko e lëngje frutash. Vizitorët e rastit mund të përfshihen sipas dëshirës në këto procese ose thjesht të degustojnë produktet, të cilat do të ofrohen në lulishten e bukur në çdo stinë.

Të gjitha punimet që do të prodhohen në këto punishte, do të zënë vend në një vitrinë të madhe e të bukur në ballë të ndërtesës, organizuar në formën e një dyqani por edhe të një ekzpozite, ku do të serviren jo vetëm produkte nga ato që prodhohen në laboratorin-punishte por edhe punë e produkte të tjera të zonës, duke filluar qysh prej veriut të skajshëm të Malësisë së Madhe, e deri në kufirin e poshtëm të zonës së Shkodrës, Vau i Dejës, Zadrimë e Pukë, për t`i dhënë mundësi çdo objekti që flet me gjuhën e traditës, që të shkojë në dorën e turistit, jo vetëm të huaj por edhe atij shqiptar, nga çdo cep i Shqipërisë dhe i trevave shqiptare në rajon.

Grupin e vizitorëve do ta presë një prej vajzave ose grave të stafit të punishtes, ashtu si vajza e shtëpisë pret miqtë që i vijnë n`derë, duke e qerasur sipas rastit me fruta, lëngje frutash të stinës, të shtrydhura, ëmbëlsira ose ndonjë gatim shtëpie që mund të bëhet në kushtet e punishtes, si pjesë e ofrimit të traditës.

Sot kudo në botë, turizmi më i kërkuar është ai i përvojës. Njerëzit tashmë janë ngopur me vende të bukura, monumente madhështore, kisha e katedrale shekullore, qendra historike qytetesh, muze të pasur në artefakte apo rrënoja të antikitetit të lavdishëm, që edhe pse të bukura, ngjajnë pak a shumë kudo njëlloj. Sot një vizitor që shkon në një vend të caktuar ka dëshirë të njohë njerëzit e tij, mundësisht njerëzit e thjeshtë, ata të punës, ata që ruajnë traditat dhe zakonet, që i bëjnë të ndryshëm e njëkohësisht të veçantë. Njohja e kulturës së një kombi përmes traditave popullore, këngëve, valleve, festave, zakoneve, objekteve dhe sendeve të përdorimit të përditshëm, është një pasuri më e madhe për një turist, sesa vizita në një muze. Ndaj dhe turizmi i përvojës po merr gjithmonë e më shumë vëmendje, duke u shndërruar edhe në kryefjalën e paketave turistike.

Natyrisht për Margjelon, shkaku kryesor i kësaj ideje, që Aurora me bashkëshortin e saj, jo vetëm e ushqyen por edhe guxuan ta vënë në jetë, , ishte Filigrani. Duke pasur një punishte filigrani në Shkodër, dëshira për ta ruajtur këtë traditë të hershme të qytetit, që dikur ishte një kryeqendër tregtare me lidhje të shtrira në të gjithë botën, duke dashur të ruajnë si sytë e ballit ata pak mjeshtra të punimit të kësaj gjinie të bukur të artizanatit, duke shpresuar se dikush nga brezi i ri do ta përqafojë këtë “zanat” e do ta trashëgojë më tej, ata u kujtuan se edhe plot mjeshtëri të tjera po shkojnë drejt zhdukjes, si endja e qilimave, tezgjahu, qëndismat apo punimet artistike në lëndë të ndryshme. Ndaj dhe menduan: pse të mos i bëjmë bashkë të gjitha në një vend e të ftojmë turistët të vijnë e t`i shikojnë, teksa artizanët e mjeshtrit punojnë?

Kurse emri, ah emri. E kush nuk e njeh këngën e bukur të Margjelos sojnike, perlën e Prenk Jakovës, që sot është bërë e pavdekshme? A kishte emër më të bukur për një aktivitet me mision ruajtjen e traditës që do të vinte nga Shkodra?

Vetëm t`i shikoni se sa të bukura janë punimet në filigran që vijnë nga duart e mjeshtrave të Margjelos. Simbolet e Shkodrës hedhin valle nëpër vitrina, duke e bërë unik çdo punim, edhe pse Margjelo punon gjithçka edhe sipas dëshirave tuaja, për një dhuratë të personalizuar. Një shërbim tjetër i vyer që i bëhet tregut të artizanatit me këto produkte unike, që nuk përsëriten dy herë, është edhe mbajtja larg e punimeve abuzive, që vijnë nga Turqia e fatkeqësisht shiten si filigrani i Shkodrës. Por Margjelo e ka vendosur, që edhe në këtë drejtim, çdo punë do të vijë vetëm nga duart e artizanëve dhe jo nga përmbytja e tregut global.


Sepse prandaj e nisi këtë mision. Që të ruajë traditën, identitetin kombëtar dhe t`u tregojë të huajve se sa shumë pasuri të çmuar ka brenda gjirit të kombit shqiptar, e veçanërisht Shkodrës.
E kur të vish në Shkodër, mos harro me ardhë tek Margjelo!

