







Boga është një fshat i vendosur në një luginë 950 m mbi nivelin e detit, i rrethuar nga Alpet. Bukuria, pasuritë natyrore dhe kulturore të këtij fshati u lënë mbresa çdo vizitori.
Sipas gojëdhënave Boga ishte emri i djalit të dytë të Kelmecës (të parit të Kelmendit). Nga djali i dytë rrodhi fisi i vogël i Bogës, i cili bënte pjesë në Fisin e Kelmendasve. Deri në shekullin e XVII ky fshat ka qenë pjesë e Kelmendit, duke qenë një ndër katër bajraqet e tij. Në trojet e Bogës janë gjetur dëshmi arkeologjike të vendbanimeve të hershme ilire të shek. II-III.

Lugina e këtij fshati fillon me Përroin e Thatë në Grykë të Lugjeve dhe përfundon në Qafë T’thore në lartësinë 1650 m, luginë akullnajore e rrethuar nga male madhështore, të cilat i kalojnë edhe 2000m lartësi, si Mali i Livadhit me 2494 m, ku ndodhet dhe bjeshka më e bukur e Bogës, Mali i Rrabës me 2222 m lartësi dhe Mali i Bridashit me 2128 m lartësi. Këto male përveç se ia shtojnë bukurinë këtij fshati përbëjnë itinerare interesante për ngjitje malore si dhe mundësojnë lidhjen me fshatra të tjerë të Kelmendit (Nikçi, Kozhnje…), Thethin etj. Në malet e veshura me masive pyjesh drunore të ahut dhe pishave gjenden shumë bimë mjekësore. Një nga këto bimë është “Bari i Zemrës” ose Sanza, e cila u zbulua 2200 vite më parë nga mbreti ilir Genti, për nder të të cilit iu vendos emri shkencor, Gentiana Lutea. Rrënjët e kësaj bime kanë vlera kurative për enët e gjakut, zemrën dhe frymëmarrjen.

Boga ështe e pasur edhe me bimë endemike si: Wulfenia e Baldaçit (Shtegu i Dhenve, 1700m lartesi), Lilium Albanica, Kambanorja, etj.
Për të apasionuarit e spelologjisë Boga është vendi ideal, pasi këtu gjendet shpella të shumta si Shpella e Puçit, Shpella e Cilikokajve e eksploruar deri tani në thellësinë rreth 505 m, Pusi i Gjek Markut, më i thelli i eksploruar në Shqipëri ku gjendet akulli fosil, Shpella e Akullores, Shpella e Mullinit, Shpella e Livadhit Bogës, Shpella e Husit, Shpella e Njerëzve të Lagur etj. Shpella e Madhe njihet si dëshmi e vendbanimeve te para, ku sipas zbulimeve arkeologjike, mendohet të kenë qenë rreth viteve 300 pas Krishtit. Boga ka burime uji të mrekullueshme si Kroni i Bogës dhe burimet e ujit Ogovan.

Boga me klimën e saj kurative ofron turizëm gjithëvjetor pasi nuk bllokohet nga dëbora dhe është një vend mjaft i përshtatshëm për kamping dhe trekking, pasi ka shtigje të shumta që lidhen me Razmën, Thethin e Kelmendin.
Gastronomia tradicionale është shumë e zhvilluar me prodhime vendore, si: mish i thatë, ferliku, djathë i zier, kaçimak, kulaç me mazë, patatet në kaki, jarduni i deles, etj.. Gostitë e ndryshme, e mbi të gjitha mikpritja që gjen në shtëpitë e Bogës janë një traditë e ruajtur prej shekujsh.
Boga ofron edhe mundësinë e akomodimit në shtëpitë pritëse shumë komode e me arkitekturë tradicionale dhe restorante me gatime tradicionale.
burimi i informacionit: VIS Albania

Nga Kastriot Faci
ITINERAR MBRESËLËNËS MBI MBRETËRESHËN E ALPEVE SHQIPTARE…
U ndjeva i privilegjuar, pasi furgoni u ndal para zyrës sime për të më marrë – jam me vonesë. Pasi përshëndetem me pasagjerët e tjerë, rrasem në sediljen e fundit, si e vetmja mundësi që i kisha lënë vetes. Disa i njoh, pasi kisha qenë më parë në rrugëtime të tjera me ta, por po shoh dhe të tjerë që nuk i njoh fare. Të gjithë në humor të mirë, bëjmë një ndalesë për të blerë në një nga dyqanet në Dedaj, aty ku rruga merr kthesën për në pikën turistike të Razmës. Fshati i Bogës është kufiri ku rrugës së mirë e me asfalt i themi lamtumirë.
Tashmë furgoni dalëngadalë fillon t’i ngjitet rrugës me “thonj” sikur të ishte një mace e egër. Unë i kërkoj shoferit të bëjmë një ndalesë në Qafë Thore, tek liqeni. Pas zhgënjimit nga liqeni, të cilin thatësira e kishte shterrur deri në fund, marr nismën për të bërë një foto grupi, të parën foto grupi. Qafa e Thores njhet si pika më kritike e rrugës për në Theth. Çdo vit ajo bllokohet nga bora dhe hapja e saj bëhet e mundur vetëm në pranverën e vonë. E natyrshme, ndalojmë tek momunemti i Miss Durhamit, “Krajlicës së Malësorëve”. Nisemi në këmbë, do të vazhdojmë të zbresim deri poshtë në Theth. Roza, guida jonë, këmbëngul që të na shoqërojë, pasi së shpejti do të bjerë nata e udhëtimi ynë mund të vështirësohet. Sonte ne do të strehohemi në shtëpinë e saj. Ajo është një vajzë me humor të hollë dhe energjike. Me krenari ajo na “mburret” që ky vit ka qenë vit shumë i mirë. “Kemi pasë një numër më të madh turistësh këtë vit në Theth. Arsyeja që njerëzit e vizitojnë Thethin është sepse është një vend shumë i bukur. Ai ëshë Park Kombëtar e ndodhet në zemrën e Alpeve Ilirike, më pëlqen ti quaj kështu siç i quan Pr. Ahmet Osja. Thethi tashmë është edhe pjesë e Parkut Natyror të “Parkut të Paqes”, i cili përfshin tre shtete kufitare, Malin i zi, Kosovën dhe vendin tonë”.
DESTINACION I MREKULLUESHËM NË ÇDO STINË
Ndër destinacionet më të reja turistike të cila mund të hyjnë në listën e top destinacioneve kosovare, nuk mund të mos ju njohim me Bjeshkët e Rugovës, si një nga vendet më të bukura në Kosovë, ku mund të përjetoni përvoja të paharrueshme mes ajrit të pastër e natyrës që është treguar vërtet bujare me këtë vend. Ju mund ta vizitoni në çdo stinë këtë krahinë të mrekullueshme, duke qenë të sigurt për argëtimin tuaj, i cili fillon me shëtitjet në natyrë, me gjelbërimin marramendës, me ekspedita të gjata zbuluese të vendeve më të bukura, me shijimin e ushqimeve natyrale dhe mikpritjes së pashoqe, e përfundon me sportin e skive, që ju presin në zemër të dimrit, të rrëshqisni mbi shpatet e butë e të ashpër njëkohësisht.
Rugova është një lokalitet më vete që përbëhet prej 13 fshatrave, të cilat shtrihen në perëndim të qytetit të Pejës, nga të dy anët e këtij qyteti. Rugova fillon aty ku Bistrica e Pejës del nga Gryka e Rugovës dhe vazhdon gjatë këtij lumi deri te burimet e tij në Qafë të Qakorrit në perëndim.
Territori i Rugovës në kohën e sundimit osman ka qenë edhe më i gjerë. Kështu në perëndim përfshinte malet e Smajlovicës, Gllogjinë dhe Rekat e Shekullarit, dhe vazhdonte deri në afërsi të Tregovishtes (Rozhajës), ku përfshinte disa katunde. Pastaj vazhdon bjeshkëve dhe kufizohet me Bjeshkët e Rusolisë duke përfshire Lipën dhe përpjeket përsëri në Pejë. Në kohën e perandorisë osmane por edhe më vonë, Rugova përfshinte në gjirin e vet disa katunde e vende përreth si: Buxhovin, Husajt, Dacajt, Katundin Peshkaj, Plluncaj e deri ne Ballotiq. Shumica e këtyre banorëve janë Lajç e Nikç. Rugova tani në gjirin e saj përfshin këto katunde: Shtupeqin e vogël, Shtupeqin e Madh, Rekën e Allagës, Malajt, Drelajt Kuqishtën, Haxhajt, Stankajt, Bogët, Shkrelin, Dugajevën Koshutanin, dhe Pepajt. Pjesën dërrmuese të popullatës e përbëjnë Kelmendasit, por ka edhe pjestarë të fiseve Shalë Shkrel dhe Kastrat.
Kjo zonë e Kosovës, është kthyer sot në qëllimin turisik jo vetëm të shqiptarëve të Shqipërisë, por të shumë turistëve në kërkim të natyrës e aventurës, të cilët pranverës e verës, eksplorojnë pa fund nëpër magjitë e Bjeshkëve të Rugovës, e dimrit shëtisin me “Mace dëbore”, ose bëjnë ski. Nuk është kurrë vonë për të zbuluar të bukurën, e sidomos, kur ajo është fare pranë!


Ju rekomandojme një destinacion sa të veçantë aq edhe të njohur për shumicën nga ju. Rrallëkush mund të mos ketë dëgjuar për Kishën e Lacit, e ndokush prej jush tani që lexon, mund të kujtojë momentet e ngjitjes së “mundimshme” deri atje lart, në këmbë, nëpër pelgrinazhin e pafund të ditëve të para të qershorit, për t’i ardhur kishës tri herë qark, për të ndezur qirinj për shpirtrat e atyre që nuk janë më, për mbarësinë e të dashurve të zemrës, apo për të “gjetur derman” për problemet e ndryshme që ka në jetë. Por sa të tjerë nuk dinë asgjë për këtë destinacion fetar të famëshëm?
Në gjuhën letrare, do të thuhej Kisha e Shën Antonit, ose e shkurtuar letrarisht, Shën Ndout. Të gjithë veriorët, banorët e zonës, e kushdo që lëviz nëpër botë, origjinar i Laçit apo zonave përreth e që beson në shenjtërinë e saj, thotë: “Shna Nou ju ndihmoftë”.
Pelegrinazhi i Shna Nout zë fill 13 të marta para të martës së fundit, e cila përfshihet në triditëshin e pelegrinazhit, i cili fillon me 13 qershor. Me mijëra njerëz nga të gjitha qytetet e Shqipërisë, Kosovës, Maqedonisë e vendeve të tjera, si dhe shqiptarëve në emigrim, vijnë të marrin pjesë në këtë pelegrinazh, duke shpresuar se ndezja e një qiriri, lutja në shpellën e shenjtit, rrotullimi tre herë rreth kishës, apo fjetja një natë pranë saj, do t’u përcjellë një copëz të shenjtërisë. Madje disa prej tyre marrin me vete edhe një grusht dhe, ose gurë të vegjël nga pjesa e jashtme e shpellës.
Shpella e Shënavlashit ndodhet në lindje të Laçit, 250 m mbi nivelin e detit e gjatë disa metra, e lartë 2-3 m, e gjerë 1-4 m. Legjenda e lidh me shenjtin e Shën Ndout, i cili ka jetuar në mesjetën e hershme rreth viteve 1200. Njihet në historinë e krishtërimit si Shën Antoni i Padovës, ndërkohë që në Shqipëri shqiptimi i emrit të tij mer atributet e zonës ku jetoi, që i përket malësive të Kurbinit. Ai jetoi pikërisht në shpellën që sot mban emrin e tij e ku ndodhet edhe kisha rreth të cilës zhvillohet edhe pelgrinazhi.
Për fatin e mirë të turizmit, shumë gjëra kanë filluar të ndryshojnë në Shqipëri, kuptohet për mirë. E ndonëse jo të gjitha gjërat po ecin për mirë, është mirë të gëzohemi për ato me kahje pozitive. Marrim Krujën për shembull. Panoramika në rreze të gjerë vazhdon të jetë e trishtueshme prej peisazhit të ngrënë të malit të Krujës por ama kur kalon rrugën e bukur gjarpërushe nën aromën e pishave të egra detare dhe hyn në qytet, e ndjen menjëhërë ndryshimin e madh që po pëson qyteti i vogël, i cili po bëhet me shëtitore, me kalldrëme të bukura, me stacion madhor për autobusët e turistëve të shumtë që janë frymëmarrja e qytetit, për të mos folur për Pazarin, xhevahirin e qytetit i cili ka marrë akoma më shumë shkëlqim me ripërtëritjen që i bëri Fondacioni Shqiptaro-Amerikan, apo Muzetë lart në Kala, që janë “Meka” e pelegrinazhit turistik jo vetëm në Krujë por edhe në Shqipëri.


