

Nga: Ilirjan Gjika
Dikur këtu niste një nga rrugët më të rëndësishme që lidhte Perëndimin me Lindjen, apo Romën me Kostandinopolisin. Ndërsa tani Apolonia shënon fundin e një rruge rurale që të çon drejt e në të.
Qysh nga viti 2005, Apolonia, kjo qendër arkeologjike e Shqipërisë funksionon si park arkeologjik kombëtar dhe është i hapur për tu vizituar nga turistë vendas dhe të huaj. Ndërsa çdo verë aty zhvillohen ekspedita arkeologjike, të cilat së bashku me muzeun dhe manastirin mesjetar krijojnë të gjitha kushtet që këtu të zhvillohet një turizëm i mirfilltë kulturor dhe historik, ku karakterin shlodhës të të cilit ja shton edhe natyra e bukur e pejsazhit përreth. E çdonjëri prej atyre që vjen këtu për herë të parë, ose për të disajtën herë, nuk mund ti shkojë mendja sesi kanë qenë monumentet e Apolonisë atëherë kur kazma e arkeologut nuk kishte nisur të ‘’trokiste’’ në tokë.
E ndodhur vetëm 10 km në perëndim të qytetit të Fierit, në Apoloni mund të shkosh shume lehtë.Vetëm 15 minuta udhëtim me makinë nga ky qytet, përmes Myzeqesë së vogël të shfaqen përpara në ‘’kurriz’’ të të cilave gjendet qyteti i ‘’diellit’’, Apolonia.
Pikërisht këtu në hyrje të Parkut Arkeologjik na pret Admiri, një arkeolog i ri, i veshur sportiv ashtu siç rrinë përherë arkeologët, por syzet optike që ai mban i japin një pamje prej intelektuali. Pasi prezantohemi i bëjmë të ditur qëllimin e vizitës sonë, pra pregatitjen e një reportazhi per revistën më të re turistike ‘’Travel Albania’’.
-Vizitën mendoj ta nisim nga ‘’Vila me impluvium’’, propozon Admiri, vendi ku verën e shkuar, Misioni Arkeologjik Shqiptaro-Francez zbuloi dy bustet që bënë përveç bujës edhe xhiron e botës. Ketu në fund të këtij kanali, i cili ndan dy insulat siç quhen në arkeologji blloqet e banesave, ramë në ‘’gjurmët’’ e tyre fare rastësisht gjatë gërmimeve, flet pa e fshehur entuziazmin arkeologu i ri.
Pasi vizitojmë banesën, mozaikët e së së cilës për tu mbrojtur janë mbuluar me rërë, Admiri na drejton për tek muzeu, i cili përbën edhe ‘’zemrën’’ e parkut. I hapur në vitn 1958 në ambientet e manastirit të shën Marisë ai përmban 200 objekte si: mbishkrime, statuja, objekte qeramike, sarkofagë, gurë miljarë, etj. E veçanta e tij eshtë se, vlerat ja shton edhe kisha bizantine, një vepër e mirëfilltë arkitektonike e shekullit të XII-të, të cilën Noli i madh e quan ‘’një kryevepër të artit bizantin’’.
Tek portiku i kishës, Admiri na prezanton me at Sokratin, një figurë simpatike dhe babaxhane që nuk përton të na shpjegojë në rolin e ciceronit, portikun romanik të kishës, afreskun e perandorit bizantin Mihal i VIII-të Paleolog, kolonat, mbishkrimet, tamburin, pra gjithçka nga kisha, e cila përbën një muze brenda muzeut.

-Kjo është dhoma ku ka banuar dikur shkrimtari i njohur Jakov Xoxa. Këtu ai shkroi romanin e tij të famshëm ‘’Lumi i Vdekur’’. Jakovin e kemi dashur të gjithë dhe në fshat tonë në Pojan, përpiqeshin se kush ta respektonte dhe ta gostiste më parë, vijon më tej at Sokrati, duke na udhëhequr drejt dhomave të manastirit, ku pasi hap një baule, nxjerr një shishe raki për të na qerasur sipas traditës së zonës.
Pasi ndahemi nga at Sokrati, lëmë manastirin dhe futemi drejt rrënojave të monumenteve antike. Duke udhëtuar mes barit të gjelbër dëgjojmë disa hapa pas nesh.-Mos u trëmbni, na drejtohet Admiri, është Lulja, qeni i Parkut.
Lulja është vërtet një qen paqësor që nuk do të na ndahet deri në fund të vizitës sonë. –Ajo u shfaq fare rastësisht përpara disa vitesh këtu dhe tashmë të gjithë janë mësuar me praninë e saj, si arkeologët, punonjësit e parkut apo turistët. Të ngacmosh Lulen shkakton incident diplomatik, shton duke qeshur Admiri dhe na tregon një episod, kur një ambasador i njohur ju ‘’hakërrye’’ operatorit të një televizioni, i cili e goditi me shkelm Lulen që i doli ‘’padashje’’ përpara objektivit të kamerës.
-Jemi në pranverë dhe pas disa muajsh do të fillojnë punë dy ekspeditat arkeologjike, vijon të bëjë punën e tij Admiri. Ajo franceze këtë vit do të gërmojë agoranë helenistike, gjurmët e të cilës i kemi gjetur disa vite më parë, ndërsa ekspedita gjermane ka vite që punon në teatër. Punimet këtu i drejton Burhan Dauti, arkeologu më i vjetër në Shqipëri, i cili ka edhe meritën se e zbuloi këtë objekt në vitin 1971 së bashku me të shoqen, të parën arkeologe femër, Aleksandra Manon.
Së bashku me shoqëruesin tonë simpatik vizituam një grup monumentesh si Buleterionin, Bibliotekën, tempullin e Dianës, Odeonin, murin e Temenosit, obeliskun e Apolonit dhe Stoan, të gjitha objekte të zbuluara nga Misioni Arkeologjik Francez, i drejtuar nga Leon Rei. Pas Reit, i cili punoi për 14 vjet në Apoloni duke zbuluar ‘’qytetin e Diellit’’, do të jenë të gjithë emrat më të njohur të arkeologjisë shqiptare që kanë gërmuar këtu. Më pas u ndalëm në majën e kodrës më të lartë të qytetit antik, kodrës me kuotë 104 m. Aty dikur ngrihej tempulli i Artemisës, nga i cili ruhet vetëm njëri nga blloqet e themeleve. Pikërisht këtu në vitin 1933 Leon Rei ngriti shtëpinë e Misionit Arkeologjik Francez, që u pagëzua nga vendasit me emrin ‘’shtëpia e frëngut’’. E përdorur edhe nga ekspeditat e mëvonshme arkeologjike ajo u restaurua në vitin 2001. E kthyer sot në një bar-restorant në formën e një minimuzeu etnografik ajo ka mirëpritur me dhjetra arkeologë, studjuesë dhe turistë nga të gjashtë kontinentet. Një mysafir i veçantë i saj ishte dhe i biri i Leon Reit, Zhan Gabrieli, i cili së bashku me arkeologun shqiptar, Neritan Ceka, ‘’zbuluan’’ bustin dhe pllakën përkujtimore kushtuar, Leon Reit, ‘’Shlimanit’’ të Apolonisë. Në lokalin e rrethuar nga ullinjtë dhe stendat me foto që pasqyrojnë gërmimet e Reit, kafen mund ta shijosh edhe në këmbë. Kështu vepruam edhe ne, ku me ‘’një palë’’ dylbi që na i ofroi Petriti, administrator i “Reit”, soditëm edhe panoramën e bukur përreth, nga e cila me lehtësi shquhej Adriatiku, Karaburuni, Sazani, mali i Tomorrit dhe krejt fusha e Myzeqesë.

-Vizitorëve, Apolonia, nisi të shpjegonte rishtazi Admiri, tashmë ‘’arkeologu i misionit tonë’’, ju ofron jo vetëm rrënojat, muzeun, manastirin mesjetar, monumentet, por edhe pejsazhin shlodhës së bashku me menunë e pasur të kuzhinës bendase të trevës së Myzeqesë.
Duke vijuar bisedën befas syri ‘’na zuri’’ një nuse të veshur me fustanin dhe vellon e bardhë, e cila kishte ardhur këtu së bashku me dhëndërrin për të pregatitur videoklipin e martesës.
-Është bërë një dukuri e zakonshme prania e nuseve me të bardha në Apoloni, nxiton të ndërhyjë miku ynë arkeolog, saqë në këtë sezon mund ta quajmë edhe ‘’qyteti i nuseve’’.
Pasi bëjmë disa shkrepje të tjera të aparatit këmbët na çojnë tek porta ku ndeshemi me një grup turistësh italianë. Gjuha e tyre na tregon se tashmë vizitës sonë i ka ardhur fundi. E ndërsa shkelim tokën e butë mendja na shkon se nën këmbët ndodhet ‘’miniera’’ më e madhe arkeologjike e Shqipërisë, e cila ruan në vetvete një të njëqindën e asaj që është zbuluar deri më sot. Kjo është Apolonia, për të cilën duhen dy deri në tre orë për ta vizituar dhe ku miliona copëra qeramikash të thyera nga koha dhe shekujt të shoqërojnë ngado.
Gjatë periudhës së Luftës së Parw Botërore, pikërisht në vitet 1916-1918, arkeologët austriakë Prashniker dhe Shober ndërmorrën gërmimet e para arkeologjike në Apoloni. Misioni i tyre ishte organizuar nga Akademia e Shkencave të Vjenës, që në bashkëpunim me komandën ushtarake të Austro-Hungarisë, kishte si qëllim gjurmimin arkeologjik të zonave të pushtuara dhe dërgimin e objekteve të tyre në Vjenë. Në Apoloni, Prashnikeri gërmoi në disa pika të qytetit si në akropol, banesa, nekropol dhe murin rrethues. Ai grumbulloi shumë objekte, shumicën e të cilave e mori në manastirin e Apolonisë dhe në kishat përreth. Rezultatet e gërmimeve dhe studimeve, Prashnikeri i publikoi në librin e tij: “Muzakia dhe Mallakastra”, i cili u botua në Vjenë në vitin 1920.
Me krijimin e shtetit shqiptar nisi në Apoloni “era” e gërmimeve të mirëfillta arkeologjike. Në vitet 1924-1939 këtu punoi misioni francez, i cili financohej nga Akademia e Arteve të Bukura dhe Shoqëria e Arkeologjisë Franceze. Misioni drejtohej nga arkeologu Leon Rei, i cili gjatë këtyre viteve zhvilloi 15 fushata gërmimesh, duke zbuluar nga pluhuri i harresës së shekujve, qytetin e dikurshëm. Rezultatet e punës së misionit francez ishin të suksesshme. Kështu në vitin 1924 u zbuluan dy banesa romake, ndërsa në vitet 1925-1929 doli në dritë portiku i ri. Më 1930 u përcaktua vendodhja e nekropolit të vjetër në Kryegjatë. Po këtë vit u zbulua godina e buleterionit, ndërsa në vitin 1932 u zbulua odeoni, biblioteka, një pjesë e mureve rrethuese dhe shumë objekte të rëndësishme. Rezultatet e punës së tij, Rei i botoi në revistën: ‘’Albania’’, organ i misionit arkeologjik francez. Me objektet e zbuluara në Apoloni u hap më 8 tetor 1936 në Vlorë, muzeu arkeologjik: “Zogu I”. Si ndërtesë e tij shërbeu një pjesë e shtëpisë që kishte qënë seli e qeverisë së Ismail Qemalit. Ky muze u grabit nga ushtria Italiane në vitin 1939, kur Shqipëria u pushtua prej tyre. Po këtë vit autoritetet italiane nuk e lejuan misionin arkeologjik francez të punonte në Apoloni dhe e zëvendësuan me një ekspeditë arkeologjike italiane. Në vitin 1945 Leon Rei tentoi përsëri për tju rikthyer punës që kishte lënë përgjysëm në Apoloni, por edhe autoritetet komuniste e ndaluan atë.

Kështu, në vitin 1941 gërmimet rinisën nën drejtimin e arkeologut Klaudio Sestieri. Rezultati i tyre ishte zbulimi i një gjimnazi, i një pjese të murit rrethues dhe i një ndërtese pranë mureve të manastirit. Zhvillimet e mëtejshme të luftës bënë që, Sestieri të largohej nga Shqipëria dhe gërmimet arkeologjike të ndërpriteshin për një periudhë të shkurtër. Ato rinisën pas luftës por në kushte të tjera. Arkeologu i parë shqiptar, i cili u angazhua në gërmimet në Apoloni ishte Hasan Ceka. Ai e nisi punën në vitin 1930 si përfaqësues i ministrisë Shqiptare të Arsimit dhe Kulturës, pranë misionit arkeologjik francez. Pas luftës së II-të Botërore, në vitin 1948, Hasan Ceka rifilloi në Apoloni punën, që dikur e kishte lënë përgjysëm me francezët. Tanimë ai nisi të punojë me kolegun tjetër shqiptar, Skënder Anamalin. Të dy së bashku ata punuan në muret rrethuese, në lagjet e qytetit dhe tarracat perëndimore, për të spostuar dherat, rizbuluar monumentet, si dhe për të përfunduar gërmimet e zhvilluara më parë. Në vijim të kësaj pune në vitin 1958 Hasan Ceka botoi të parin libër mbi qytetin antik të titulluar: “Apolonia”, i cili përmbante një historik të qytetit, të gërmimeve arkeologjike dhe një përshkrim mbi monumentet e zbuluara deri në atë kohë. Në Apoloni Hasan Ceka punoi për rreth 40 vjet, duke përfunduar gërmimet e nisura me Rein dhe duke bërë disa zbulime të rëndësishme monumentesh siç ishin: portiku, në vitin 1952; muri rrethues; fontana, në vitet 1963-1968 dhe muri i akropolit. Në vitin 1957, ekspeditës së Apolonisë e cila ishte e përhershme ju shtuan edhe arkeologët Selim Islami, Frano Prendi dhe Aleksandra Mano. Dy vjet me radhë (1958-1960) në Apoloni, krahas arkeologëve shqiptarë punuan edhe tetë arkeologë sovjetikë, të drejtuar nga Vladimir Bllavatski dhe Irida Borisova. Ndihmesa më e madhe e tyre ishte në ngritjen e muzeut arkeologjik, i cili u hap në vitin 1958. Po gjatë kësaj kohe u zbuluan edhe një pjesë e murit lindor, tempulli i Dianës, prytaneoni, banesat D dhe G etj. E veçanta ishte se midis arkeologëve punoi edhe arkeologia; Aleksandra Mano, e cila ishte e para femër shqiptare në këtë profesion. Do të ishin dy drejtimet e punës së saj në Apoloni: nekropoli, i cili u gërmua në vitin 1962 dhe teatri i cilin e zbuloi në verën e vitit 1971, së bashku me të shoqin, arkeologun Burhan Dautaj. Aleksandra Mano ishte ndër specialistet që zotëronte mjeshtërinë e leximit dhe deshifrimit të stampave të qeramikës. Të gjitha studimet e saj për Apoloninë, të botuara në revistat shkencore “Iliria” dhe “Monumentet” u botuan në vitin 2006 me titullin “Apolonia e Ilirisë”. Së bashku me A. Manon për disa vite punoi edhe Burhan Dautaj, i cili përveç teatrit zbuloi edhe rrugën perëndimore që dilte nga qëndra e qytetit. Një tjetër arkeolog që punoi në Apoloni ishte edhe Dhimosten Budina. Ai së bashku me kolegun Frano Prendi e zhvilloi punën e tij në banesat e periudhës së shekujve të dytë dhe të tretë. Në njërën prej tyre, në banesën D, Dhimosten Budina zbuloi “dhomën e Akilit”, e cila u quajt kështu për mozaikun që mbarte në dysheme, i konsideruar si një nga më të bukurit e zbuluar në Apoloni. Në Apoloni punoi për një periudhë të gjatë edhe një nga përfaqësuesit më në zë të arkeologjisë së sotme shqiptare: Neritan Ceka, i cili qysh në moshë të re ishte angazhuar në ekspeditat që organizonte i ati, arkeologu Hasan Ceka. Krahas studimeve të shkëputura të botuara në shtypin e specializuar si në: revistat Iliria dhe Monumentet, ai botoi në vitin 1982 librin “Apolonia e Ilirisë”. Në të, Neritan Ceka përmbledh të gjitha të dhënat e studimeve të kryera nga historia dhe arkeologjia deri në atë kohë mbi Apoloninë. Në vitin 2004 N. Ceka botoi edhe guidën e Apolonisë një botim që kishte më shumë karakterin e një guide turistike. Krahas arkeologëve, arkitektëve, etnografëve dhe historianëve, në Apoloni punuan për një kohë të gjatë edhe restauratorët: Koço Zheku, Guri Pani, Spiro Koçi, Lazër Papajani, etj. Me punën e tyre u konservuan dhe u restauruan disa monumente, të cilat u bënë të vizitueshme si: Fontana monumentale, muri dhe porta e temenosit, portiku, odeoni etj. Në vitin 1975 u ringrit me një punë të jashtëzakonshme fasada e buleterionit, simbolit të qytetit të Apolonisë, që në të vërtetë është një vepër e arrirë arkitektonike. Ndërkohë që, pas rënies të regjimit komunist edhe për arkeologjinë u krijuan kushte të tjera zhvillimi. Pas përpjekjeve të shumta në vitin 1992, u themelua nga arkeologët Pier Kaban dhe Neritan Ceka, misioni arkeologjik shqiptaro-francez, i financuar nga Ministria e Jashtme franceze dhe Instituti Arkeologjik i Tiranës. Ai kishte si qëllim ndërmarrjen e gërmimeve të reja në Apoloni dhe studimin e monumenteve antike të qytetit, që nga periudha arkaike e deri tek ajo mesjetare, si dhe botimin e studimeve të tyre. Nga veprimtaria e programeve të misionit shqiptaro-francez mund të përmendim: llogaritjen e sipërfaqes së qytetit, zbulimin e rrugës që lidhte portikun me akropolin, disa ndërtime, ku mund të përmendim: një banesë, disa magazina, trakte muresh, një tempull, si dhe dy bustet e vitit tw kaluar. Ndërkohë që, një nga programet e studimeve të misionit shqiptaro-francez do të ishte edhe publikimi i Atlasit arkeologjik të Apolonisë, e cili ishte një përmbledhje e të gjitha rezultateve të gërmimeve të bëra, që nga shekulli i XIX e deri në ditët tona. Ai u realizua në vitin 2007, në Romë, në autorësinë e një grupi studjuesish. Ekipi francez bëri edhe llogaritjen e re statigrafike, duke e nxjerrë sipërfaqen e qytetit antik prej 85 ha. Në vitin 2001 në Apoloni nisi veprimtarinë e tij edhe Misioni Arkeologjik shqiptaro-gjerman, i cili u përqëndrua në dy sektorë: në teatër dhe në taracën e stoas së vjetër. Në teatrin antik gërmimet rifilluan atje ku ishin ndërprerë në vitin 1981 nga Aleksandra Mano dhe Burhan Dautaj Kësaj radhe pa bashkëpunëtoren dhe bashkëshorten e tij A.Mano, arkeologu Burhan Dautaj u përqëndrua në pjesën veriore të kaveas dhe orkestrës së teatrit. Ndërkohë që, grupi tjetër i këtij misioni nën drejtimin e arkeologut Bashkim Lahi, u përqëndrua në murin e amforave, gërmimi i të cilave kishte nisur qysh nga Leon Rein në vitet 1930. Pas gjashtë fushata gërmimesh, u gjetën rreth 2000 amfora, të cilat ishin vendosur nga ndërtuesit apoloniatë për filtrimin e ujrave, në taracën lindore të shëtitores, me qëllim për ta ruajtur atë nga rëshqitja e dherave.

Apolonia e cila jetoi për 11 shekuj midis viteve 620 pk dhe 479 ishte një qytet-shtet që lindi si produkt i proçesit të ‘’Kolonizimit te Madh Grek’’ të shekujve VIII-VI pk, në brigjet e Ilirisë, të cilat banoheshin nga bashkësia fisnore e taulantëve. Stefan Bizantini, njëri prej autorëve antikë thotë se :’’ ajo ishte qyteti më i madh dhe më i rëndësishëm nga të 30-të kolonitë që u themeluan përgjatë Mesdheut me emrin e perëndisë Apolon’’.
Sipas Strabonit, qyteti u ngrit 60 stade (9 km) nga bregdeti dhe 10 stade (1.5 km) nga shtrati i lumit Vjosa, në shpinën e një vargu kodrash. Kolonistët e parë ishin 200 korintas që drejtoheshin nga prijsi Gylak. Më pas një grup tjetër të ardhurish mbërriti nga Korkyra, Kikusi dhe Dysponti.
Emri fillestar i qytetit ishte Gylakea për nder të themeluesit të saj, ndërsa më vonë ai u quajt Apoloni. Me kalimin e kohës këtu u vendos edhe një popullsi e konsiderushme ilire, e cila dotë luajë një rol të rëndësishëm në jetën e këtij polisi.
Apolonia u ngrit mbi shpinën e dy kodrave me lartësi 101 dhe 104 m, duke u shtrirë drejt fushës. Qyteti u ndërtua sipas planit arkitektonik të Hipodampit, arkitektit të njohur të lashtësisë. Ai kishte rrugë të drejta, kryesore dhe dytësore, të cilat kryqëzoheshin me njëra tjetrën duke krijuar blloqe të vogla banimi. Terreni i thyer rregullohej me anë të taracave, ndërsa një rrjet i gjerë kanalesh nëntokësore shërbenin për mbledhjen e ujërave rrjedhëse, të cilat depozitoheshin në sterna dhe përdoreshin si rezerva ujore. Nevoja diktoi që apoloniatët për tu mbrojtur nga sulmet e ndryshme të ndërtonin një rrjet të fuqishëm muresh mbrojtës, të cilat arrinin një gjatësi prej 4.5 km. Brenda këtyre mureve ngrihej një kompleks i tërë ndërtesash me karakter publik dhe privat siç ishin : akropoli, tempujt, teatrot, agoratë, stoat, buleterioni, biblioteka, ndërtesat publike dhe private.
Me kalimin e kohës Apolonia do të shdërrohet ‘’në një qytet të madh dhe të rëndësishëm’’, siç e quante me të drejtë Ciceroni, politikani dhe oratori i njohur romak në vitin 43 pk. Në hapesirën e saj ushtruan veprimtarinë e tyre personazhe të famshëm të Historisë si Glaukia i taulantëve, Pirrua i Epirit, Kasandri dhe Filipi i V-të i Maqedonisë, Pompeu i madh, Çezari, apo Oktaviani, i cili kaloi një pjesë të kohës së studimeve këtu. Nga Apolonia dilte edhe dega jugore e rrugës antike Egnatia, e cila ishte arteria më e rëndësishme që lidhte Perëndimin me Lindjen. Rëndësinë e tij ky qytet e ruajti deri në antikitetin e vonë kur do të shdërrohet në një nga qendrat e përhapjes së krishtërimit. Peshkopi i Apolonisë, Marini, eshtë njëri prej 70 peshkopëve të parë të emëruar nga vetë Shën Pali. Ndërsa peshkopët e tjerë si Eukariti dhe Eusebi do të marrrin pjesë në koncilet kishtare më të rëndësishme të klerit. Tërmetet e viteve 234 dhe 345, zhvendosja e shtratit të Vjosës dhe sulmet e popujve barbarë, bënë që Apolonia të braktiset përfundimisht në shekullin e V-të.

Leon Rei lindi në vitin 1877 në Formantier pranë Parisit dhe gjtë periudhës së fëmijërisë dhe runisë pati fatin të studjonte në shkollat më të mira, ku në fund u diplomua për arkeologji në universitetin ‘’Chartre’’, I njohur si një shkollat më të famshme të arkeologjisë franceze. Pas një përvoje të çmuar arkeologjike në misionin arkeologjik ushtarak francez në vitet e Luftës së Parë Botërore, në vitin 1924 ai zgjodhi Apoloninë, monumentet e së cilës ‘’i nxori nga harresa e shekujve’’. Këtu erdhën edhe sukseset e Reit, për të cilin qyteti antik do të shdërrohej në ‘’shtëpinë e tij të dytë’’. Nga ajo ai do të ndahej vetëm i detyruar, sepse autoritetet italiane të pushtimit ja ndaluan hyrjen në Shqipëri. Po kështu edhe tentativat e tij në vitin 1945 për tu rikthyer në Apoloni dështuan, pavarësisht nga përpjekjet energjike që ai bëri. I pikëlluar nga puna e lënë përgjysëm, Leon Rei, vdiq në Francë në vitin 1954. Ndërkohë që tetë vjet më vonë ai u shpall qytetar nderi dhe një nga rrugët kryesore e Fierit mori emrin e tij.
Misioni arkeologjik francez u themelua në vitin 1924 me inisiativën e senatorit Justin Gotard. I drejtuar nga Leon Rei ai organizoi 15 fushata gërmimesh që nisnin në pranverë dhe përfundonin në vjeshtë duke zbuluar 80 të monumenteve të Apolonisë. Peripecitë dhe pengesat e kohës në Shqipërinë e kohës midis dy luftërave botërore, nuk e penguan arkeologun francez me ‘’zemër shqiptare’’, të realizonte në këtë cep të Myzeqesë bregdetare kryeveprën e jetës së tij.


Para se ta zgjidhnim Ksamilin si një destinacion të propozuar për numrin e parë të “Travel”, u menduam shumë të kuptuar nëse vazhdon të jetë tërheqëse apo e rekomandueshme kjo zonë, për shkak të ndërtesave të shumta e të rrëmujshme, që e kanë prishur disi peisazhin e mrekullueshëm të fshatit me ishuj, ku mijëra pushues vijnë verës për të shijuar gjiret e vegjël, plot bukuri e ngjyra marramendëse. Dhe akoma jemi në dilemë nëse duhet t’jua rekomandojmë. Por nëse ndodh kështu me atë çka shihni mbi ujë, nuk do kishim hezitim për botën nënujore të Ksamilit e të krejt gjirit të Sarandës.
Duke ju ofruar për joshje, një pamje mahnitëse të ishujve nga ajri, nëpërmjet fotografive spektakolare të Alket Islamit, ne do donim t’ju sillnim deri këtu, për t’ju shoqëruar më pas në botën e nënujit, këtë herë nëpërmjet djemve të kompanisë Water Sport Tourism Albania, të cilët tashmë prej një viti e më shumë, janë “dislokuar” në Gjirin e Bukenvileve, për të zhvilluar ekspeditat e tyre nënujore, në kërkim të thesareve të nënujit. Bota e pafundme e nënujit, ruan për ju surpriza të vazhdueshme për shkak se çdo herë zbulohen gjëra të reja, në ndryshim nga kodrat dhe plazhet tashmë të njohura të ishujve.
Përveç bukurive natyrore, koraleve shumëngjyrëshe, peshqve dhe gjallesave të larmishme që do të mbushin udhëtimin tuaj me kënaqësi të vogla, ju do të keni privilegjin të jeni gjithmonë vizitorë të veçantë të muzeve në natyrë, duke kundruar anijet e mbytura, reliket historike dhe objektet e shumta që bota ujore e jugut të Shqipërisë ruan në gjirin e saj.
E mos harroni një fakt të rëndësishëm; për të bërë zhytje me Water Sport Tourism Albania, nuk është nevoja të dini not! E gjithashtu mund të bëheni zhytës profesionistë nëse doni!
Një nga qytetet më të bukura e më karakteristike të Kosovës, një vepër e vërtetë arti, që dëshmon kulturën mesjetare, me origjinalitet të spikatur e stil të hollë, është pikërisht Prizreni. Nuk do të kishte kuptim të vizitoni Kosovën, nëse nuk e keni vizituar edhe këtë qytet të ngrohtë, por edhe sikur, ju nuk do të mundeshit, pasi Prizreni është qyteti i parë që ju mirëpret, sapo kaloni kufirin e Shqipërisë përmes doganës së Morinës. Kur mund ta vizitoni? Qershori është momenti më i mirë. Por edhe pranvera e vjeshta është shumë e bukur, jo vetëm në Prishtinë por edhe në Prizren.
Qyteti i Prizrenit shtrihet ne pjesën jugore të Rafshit të Dukagjinit, në rrugën që lidhte më parë bregdetin verior të tokave shqiptare dhe qendrat e tij qytetaro- tregtare me rajonet e brendshme të Kosovës dhe të Ballkanit.
Të dhënat arkeologjike dëshmojnë për ekzistencën e një jete aktive në territorin e Prizrenit të sotëm qysh në antikitet e më përtej, kur njihej me emrin Theranda e në këtë trevë banonte një popullsi e pastër ilire, Dardanët.
Në shek XI njihet si qendër e rëndësishme qytetare. Më 1019 përmendet si një seli e ipeshkevisë të perandorisë Bizantine. Gjatë sundimit serb (shek XII-XIV) u vendosën në këto treva pjesëtarët e popullsisë sllave. Në kohën e sundimit të mbretërve Dushan dhe Urosh, Prizreni qe herë pas here selia e mbretërive të tyre.
Pas pushtimit nga Perandoria Osmane (1455) Prizreni ndonëse humbi përkohësisht rëndësinë e tij, u bë përsëri qendër e fuqishme ekonomike, kulturore dhe administrative (qendër Sanxhaku dhe Vilajeti). Në shekullin XIX Prizreni ishte qendra e dytë më e rëndësishme ekonomiko tregtare e trojeve shqiptare me rreth 1.500 dyqane në fund të kësaj periudhe. Si pas vjetarit turk të vitit 1874 qyteti i Prizrenit kishte 44.000 banorë nga të cilët mbi 35.000 shqiptarë.

Prizreni zë një vend të veçantë në historin e Lëvizjes Kombëtare Shqiptare, u bë kryeqendër e Lidhjes Shqiptare të Prizrenit, që u themelua me 10 Qershor 1878. Në Prizren pati selinë e vet edhe Qeveria e përkohshme Shqiptare (1881) e kryesuar nga banori i njohur i këtij qyteti, Ymer Prizreni.
Në vitin 1913 vendoset pushteti serbo-malazez e për këtë shkak, një numër i madh i familjeve shqiptare nga qyteti u shpërngulën në Turqi. Gjatë luftës së II botërore banorët e tij dhe rrethit të tij u përfshin në Lëvizjen Antifashiste Nadonalçlirimtare. Prizreni u çlirua më 17 nëntor 1944.
Pas luftës deri më 1947, Prizreni ishte qendra e Qarkut Autonom të Kosovës. Megjithatë nuk pati ndonjë zhvillim të ndjeshëm. Edhe më pas ishte një ndër qendrat më të prapambetura në gjithë Jugosllavinë.Në fund të viteve të 50-ta deri në mesin e viteve të 60-ta nga Prizreni u shpërngulën mbi 3.200 familje në Turqi.
Nga e kaluara e bujshme historike, qyteti i Prizrenit ka trashëguar një numër të madh objektesh kulturo-historike. Më të rëndësishme janë : Kompleksi i Shatirvanit, Nënkalaja, Marashi, Kalaja, Kisha e Shën Premtës, Kisha e Shën Shpëtimit, Xhamia e Bajraklisë, Xhamia e Safi Sinan Pashës, Hamamet e qytetit, krojet e qytetit, Ura e Gurit dhe një numër i madh i shtëpive folklorike të qytetarëve të trashëguar ndër shekuj.

“O i huaj mos iu shmang vështrimit nga bukuria e Bylisit, muret rrethuese të të cilit, dikur të rrënuara i rindërtoi Viktoriani guximtar”
I vendosur në zemër të krahinës së Mallakastrës në Bylis, shkohet shumë lehtë. Pasi lëmë pas qytetin e Ballshit dhe rrugën nacionale, mund të marrësh drejtimin për në jug, drejt fshatit Hekal, ku tashmë gjenden rrënojat e shumta të qytetit të dikurshëm antik.
Bylisi, ka qenë qyteti më i madh i Ilirisë së jugut, i cili përmendet për herë të parë nga autori antik Skylaksi, që në veprën e tij të titulluar “Lundrimi”, në shekullin IV p.k., thekson: “prej këtij gadishulli, gjatë bregut të detit banojnë bylinët që janë Ilirë”.
Qyteti ngrihej mbi një kodër të fortifikuar në lartësinë 524 m dhe rrethohej me mure që arrinin një gjatësi prej 2250 m, trashësi 3.5 m dhe lartësi 8-9 m. Brenda tyre ndodhej një sipërfaqe prej 30 ha, e cila kishte një planimetri në formë trekëndëshi me bazë nga lindja.
Kjo sipërfaqe ishte e ndarë në tre zona kryesore si: ajo për banim, që e ndeshim në pjesët lindore dhe perëndimore të qytetit, me një sipërfaqe prej 20 ha, në të cilat janë gjetur një sërë shtëpish banimi. Zona e dytë është ajo e Agorasë që ishte tregu dhe sheshi kryesor i Bylisit, në të cilin ndodheshin teatri, stoat, (shëtitorja e vogël dhe ajo në formë L-je), gjimnazi, prytaneoni, stadiumi, etj.
Stadiumi i Bylisit me një gjatësi prej 190 m është stadium i dytë i ruajtur më mirë në vendin tonë, krahas atij të Amantias. Sot prej tij ruhen 19 shkallë të ndërtuara me blloqe prej guri gëlqeror. Nën pistën e pjesës jugore ndodhej një sterë për grumbullimin e ujit me një thellësi prej 6 m, e cila mbulohej me harqe guri. Kanalet e shumta të ujit përreth saj dëshmojnë se si grumbullohej uji në të. Fare pranë saj u ndërtua monumenti më i rëndësishëm kulturor i Bylisit, siç ishte teatri me kapacitet prej 8000 vendesh. I vendosur në shpinë të kodrës ai përbëhej nga 40 shkallare, diametri i së cilës arrinte gjatësinë prej 78 m. Sot prej tij ruhen bazamentet e orkestrës, skenës, proskenës, muret mbajtëse dhe disa ndenjëse prej guri, në të cilat uleshin njerëzit më të shquar të qytetit. Me blloqet e gurëve të tij u ndërtuan gjatë mesjetës së hershme muret bizantine, të cilat vihen re tek kulla jugore dhe terma e Justinianit. Nga agoraja antike kanë mbetur edhe bazamentet e stoas së teatrit dhe stoa e madhe. Të dyja këto ndërtime ishin të tipit monumental dhe u ndërtuan me dy kate. Edhe sot vizitori mund të dallojë qartë bazamentet e trarëve të gurtë që mbanin dyshemenë e katit të dytë. Në pjesën perëndimore të stoas së teatrit gjendet një nga portat e qytetit, të cilën arkeologët e kanë quajtur porta nr 5-së. Me gjatësi 7 m dhe gjerësi 3 m, në të dallohet qartë mbishkrimi i periudhës romake, i cili përkthehet:” Augusti, bir i perandorit, Çezarit të hyjnueshëm” dhe “Colonia Iulia Augusta”.
Të tjera monumente me të cilat ndesh syri i vizitorit janë edhe prytaneoni, ndërtesa ku ndodhej selia e funksionarit më të lartë të qytetit; arsenali, një ndërtesë nëntokësore ku ruheshin armët e forcave të armatosura; tempulli i kultit të perandorit romak, ku ai nderohej duke u njehsuar njëlloj si perënditë, gjimnazi dhe termat.
Pjesa e tretë e Bylisit shtrihej në anën juglindore të tij dhe shërbente për strehimin e popullsisë në rast lufte. Kjo pjesë me sipërfaqe prej 6 ha u quajt “euhorion” dhe në të nuk u bënë ndërtime. Qyteti u ndërtua njëlloj si Apolonia dhe Nikaja në bazë të planit arkitektonik të Hipodamnit. Edhe këtu u krijuan blloqe kuadratike banesash që ndërpriteshin nga rrugë të drejta.
Gjatë historisë së tij të trazuar Bylisi do të ishte herë pjesë e shtetit epirot, herë atij ilir, maqedonas apo romak. Diku nga viti 224 p.k. bylinët u bënë të pavarur dhe kështu i ndeshim ata në vitet 224-213 p.k., si aleatë të Lidhjes së III Epirote. Ndërkohë që në vitin 213 p.k., bylinët do të pushtohen nga mbreti Filip V i Maqedonisë, i cili nëpërmjet territorit të tyre depërton drejt Apolonisë. Pas shumë vitesh konflikti, në vitin 198 pk, me thyerjen e Filipit V nga romakët, Bylisi fitoi autonominë, tashmë si aleat i Romës.
Këtë status, Bylisi, do ta ruajë deri në antikitetin e vonë, kohë kur ai përmendet edhe në katalogun e Hieroklit, një guidë udhëtimi e shekullit të IV, ku ai përmendet si një ndër tetë qytetet kryesore të provincës romake të Epirit të ri, me qendër Durrësin, i cili shtrihej nga lumi Drin në veri dhe deri në lumin Vjosa në jug..
Gjatë periudhës Bizantine do të ndryshojë edhe emri i qytetit. Diku nga mesjeta e hershme, ai filloi të quhet nga vendasit Ballës, sipas termave Byllis-Ballis-Ballës-Ball. Këtë emër qyteti e mori për shkak të pozicionit të tij mbizotërues mbi lumin Vjosa, që do të thoshte, kryevend apo ballë i vendit.
Ky emër do të përdoret edhe nga të huajt në dokumentet e ndryshme historike. Kështu bizantinët do ta emërtojnë atë me emrin “Kefalini” (kefalos në greqisht do të thotë krye-kokë), ndërsa bullgarët do ta quajnë “Gllavinicë” (gallava në bullgarisht do të thotë krye-kokë). Këto dy terma nuk janë veçse përkthime të fjalës shqipe “kryevend”, që përkojnë me termin Ball-Ballës-Ballësh.
Një nga arritjet e qytetërimit gjatë antikitetit të vonë në Bylis ishte Krishtërimi, ku në bazë të dokumentacionit historik, si qendër peshkopale na del edhe ky qytet. Në këto dokumente përmenden disa përfaqësues të lartë të klerit bylin. Në vitin 431 peshkopi i Bylisit dhe Apolonisë Feliks, mori pjesë në koncilin ekumenik të Efesit. Disa vite më vonë, përmendet në letrën e drejtuar perandorit Leon, në vitin 458 edhe peshkopi tjetër i qytetit të Bylisit, “Filohari”.
Pas braktisjes së Apolonisë në vitin 458, Bylisi kthehet në qendrën më të rëndësishme peshkopale në këtë rajon. Këtë fakt e tregojnë edhe ndërtimet e kultit paleokristian, siç janë pesë bazilikat e qytetit të ndërtuara midis shekujve V-VI.
Ndërtimi i këtyre bazilikave, ku dy të parat kanë përmasa monumentale, tregon për organizimin e konsoliduar të kishës, por dhe për rëndësinë e Bylisit si qendër kishtare. Të kësaj periudhe në krahinën e Mallakastrës janë një sërë bazilikash, rrënojat e të cilave i ndeshim në vendbanimet e sotme të kësaj krahine si në Margëlliç, Panahor, Dukas, Gorishovë, Kraps, Plyk, Cakran dhe Ballsh, të dhënat për të cilat janë botuar në formën e studimeve shkencore nga zbuluesit e tyre, arkeologët Skënder Anamali dhe Skënder Muçaj.
Por rëndësia e Bylisit nuk do të ishte kjo e sotmja n.q.s. nuk do të ishte zhvilluar një veprimtari intensive nga arkeologët. Historia e arkeologjisë këtu nis në vitet e luftës së parë botërore. Gërmimet e para në Bylis i ndërmori arkeologu Austriak Kamilo Prashniker në vitin 1916. Edhe këtu njëlloj si në Apoloni ai veproi nën goditjet e artilerisë Italiane, e cila ishte vendosur përtej Vjosës, në fshatin Karbunar të Vlorës. Ndërkohë në vitin 2004, arkeologët Neritan Ceka dhe Skënder Muçaj botuan në Tiranë, librin e tyre të titulluar “Bylisi”, ku trajtonin historinë e qytetit, monumentet dhe kërkimet arkeologjike të kryera në të, të pasqyruara me foto shënime e skica.
Sot Bylisi me rrënojat dhe historinë e tij i ofron vizitorëve zhvillimin e një turizmi historik dhe kulturor, interesin e të cilit ia shtojnë edhe ekspeditat e përvitshme që zhvillohen tashmë. Por e veçanta është se këtu zhvillohet edhe festivali i isopolifonisë, i cili ngjit çdo vit në skenën e teatrit antik, ku dikur janë luajtur tragjeditë e Eskilit dhe të Sofokliut, me dhjetëra grupe polifonike nga vendi dhe bota. Ky është Bylisi, ku e vjetra ndërthuret me të renë dhe ku peizazhi i bukur të relakson me pamjet e tij.

Ftesën e këtij numri për rubrikën “No(w) more secrets”, e kemi marrë prej vetë banorëve të këtij destinacioni, të cilët përmes komunikimit të gjerë në internet, na kanë sugjeruar ta “zbulojmë” edhe para vëmendjes tuaj, këtë perlë të fshehur vërtet në zemër të maleve të Labërisë.
E kemi fjalën për Progonatin, një nga fshatrat më të njohur të historisë shqiptare, i cili është njëkohësisht edhe një nga fshatrat më të mëdhenj të Shqipërisë, sipas informacioneve të intelektualëve dhe studiuesve të kësaj zone. Më shumë se një përshkrim të vendit, ne do t’ju përcjellim këtë herë fjalët bujare të vetë banorëve të kësaj zone, të cilët “të ndëshkuar” prej arsyeve të migrimit dhe emigrimit, vuajnë mungesën njerëzore, e cila është vërtet e rëndë për një fshat dikur të madh, që konsiderohej udhëheqësi i gjithë kësaj krahine të Labërisë.
Progonati është një fshat me emër magjik që perceptohet trimërimshëm në kujtesën e çdo shqiptari për mbresat e të kaluarës dhe për emrin e mirë të bijve të kësaj krahine. Progonati për qytetin e Tepelenës, për atë rrethinë Labërie të mbushur me traditë dhe kulturë, përbën një kryeqytet të mendimit, trimërisë, bujarisë dhe intelektualëve të njohur, që sot janë shpërndarë në të gjithë Shqipërinë, dhe me valixhen e traditës së vendlindjes krenarisht kanë pushtuar botën.
Por megjithë largimin e të rinjve drejt shpresës e një jete tjetër dikur të largët, ka ende të rinj që vazhdojnë të qëndrojnë në Progonat, dhe njëri prej tyre është Shpati Hila, autori i ftesës për rubrikën tonë,i cili këmbëngul se Progonati është një vend që ia vlen ta vizitosh për shumë e shumë arsye, duke fillluar që nga mikpritja e rrallë, e deri tek natyra e mrekullueshme, thuajse fare e pazbuluar për syrin e shumëkujt, që në mendje e në veshë mund të ketë pika natyrore të njohura tashmë për Shqipërinë, por jo Progonatin.
Nëse progonatasit janë shpërndarë nëpër botë e disa prej tyre kthehen të sjellin në vend përvojat e tyre, ju duhet të shkoni të paktën një herë në këtë karahinë të bukur shqiptare, ku kanionet dhe ujvarat, duken si strehë zanash, me rrëke uji që bien nga qielli, gjelbërime të fshehura nëpër shkëmbinj, maja të thepisura e pellgje të thellë, ujvara që bien mbi njëra-tjetrën e segmente lumi me pllaka si të vëna me dorë nga ustallarë-mjeshtër…
Ju do të provoni patjetër shijen e pashlyeshme të mikpritjes së këtyre banorëve, e do të merrni me vete copëza historie, që në fakt tashmë janë kthyer në legjenda, si ajo e Bilbilenjve, që “vanë në litare vetë”, për të shpëtuar prej ndëshkimit të armikut, popullin e pafajshëm. Bilbilenjtë, që u varën në Rrapin e Janinës, ishin nga Progonati. Burimi kryesor i krenarisë së këtyre banorëve, ishin pikërisht këta burra guximtarë, që e pritën vdekjen duke qeshur e duke dredhur cigare.
Ison labe mund ta shijoni pa masë edhe këtu në Progonat, shoqëruar patjetër me zëra të fuqishëm burrash, e pse jo edhe me aromën e mirë të mishit të pjekur e rakinë bërë vetë me vreshtat e Progonatit.
Shpati është një djalë i apasionuar pas fotografisë. Aq shumë foto ka shkrepur për vendin e tij, sa ua dërgon miqve në internet, duke postuar albume të tëra. “Dua t’u tregoj atyre vendlindjen”, thotë, që të mos e harrojnë, edhe pse jetojnë larg. Kemi një vendlindje të bukur. Vetëm te Ujvara të shkosh, mbetesh pa fjalë. Pale ta shëtisësh gjithë zonën, të bësh një xhiro të gjatë nëpër kanionet që nuk kanë fund. Të gjithë ata që kanë jetuar këtu, janë rritur me ujët e lumit Gurra, gjithë fëmijëria e tyre, ka kaluar nëpër skutat e fshehta të kësaj ujvare, të këtyre pellgjeve me ujë kristal…
Vërtet mahnitëse ujvara…
Uji që binte nga lart, e pengohej disa dhjetëra metra poshtë, përfundonte në një pellg e binte sërish, duke formuar një ujvarë tjetër. Një katarakt në seri…
Progonati bën çdo vit një festë, që quhet “Takimi i Brezave”. Pleq të moçëm vijnë aty për të parë nipërit e stërnipërit, që nuk jetojnë më aty, bij që vijnë të takojnë etërit, ata që kanë mbetur gjallë, fëmijë të vegjël, lindur nëpër botë, vijnë të njohin rrënjët e vendlindjes së prindërve, rrënjët e tyre. Është e bukur kjo festë, ku gjithkush kërkon të ushqejë me sadopak dashuri, historinë e vendit të tij, për të mos u zhdukur në asgjë, e gjthë historia jo pak e lavdishme e kësaj zone të Shqipërisë. E mblidhet kjo festë në mes të sheshit tek Rrapi i Progonatit, nën jehonën e këngës labe, nën tingujt e muzikës e zërit të bukur, që nuk zbehet as nga ngjyra e zezë e grave të veja apo plakave të moçme që kanë përcjellë para tyre shumë njerëz të dashur e megjithatë, vazhdojnë të jetojnë në këtë botë, për të gëzuar me gëzimin e të tjerëve.
Progonati, është një vend që ndodhet diku në jugperëndim të qytetit të Tepelenës (Shqipëri), shtrirë mbi një rrafshnaltë, 900 metra mbi nivelin e detit. Është i rrethuar nga një kurorë malesh si valltarët në dasëm dhe rrihet vazhdimisht nga erërat e perëndimit. Karakteristikë ndryshe nga shumë fshatra të Labërisë, është se shtëpitë janë pranë njëra-tjetrës të rrethuara nga pemë frutore, arra e gështenja, e sidomos qershi. Në dimër bie dëborë që u rri kurorave të maleve si qeleshe, ndërsa vera vjen e freskët. Klima dhe uji i ftohtë kanë qenë dhe mbeten dy pasuri të pandryshueshme dhe të pazvëndësueshme për vendasit. Sipas shumë historianëve Progonati është vendbanim shumë i hershëm me toponime interesante para kristiane e kristiane të hershme. Fshati është rritur deri 350-400 shtëpi, e pastaj si për çudi, për shkak të migrimit dhe emigrimit, sfumohet në 70-199 shtëpi. Migrimet më masive që mbahen mend kanë qenë në Himarë, Progër-Korçë, Lazarat, Mallakastër, etj. Ka disa vende historike të përmendura ku mblidheshin burrat e krahinës së Labërisë në kuvende si Lisat e Kadhe, Përralli i Buxe, Rrapi i Progonatit etj.
Kush ka njohur nga afër një progonatas, ka bërë një mik për kokë, i cili nuk e braktis kurrë as në momentet më të vështira. Kështu thonë progonatasit, e kështu thonë edhe ata që i kanë njohur progonatasit. Kështu mund të thoni edhe ju pasi të jeni kthyer nga udhëtimi, pasi të keni shijuar natyrën e pabesueshme të kësaj zone, e sidomos pasi të keni provuar edhe mikpritjen e këtyre njerëzve të mrekullueshëm, që do t’ju mbeten gjatë në kujtesë…




