
Lajme

Shqipëria punon tokën. Panairi i madh i agrobiznesit, që sjell në sofër të mirat e tokës, nga duart e punëtorëve. Pavarësisht problemeve të shumta që kemi, festat janë të bukura e duhen festuar. Festat e Tokës na kujtojnë se pa të dhe pa punuar, nuk mund të jetohet. Festat e kësaj natyre janë të mira se nderojnë duarartët, artizanët, punëtorët, tokëdashësit, se nxjerrin në pah punën e tyre të vështirë e shpesh të pashpërblyer. Kujtojeni kurdoherë këtë, sa herë që të blini. Produkti i një artizani të vogël vlen shumë herë më shumë se çdo produkt industrial sepse përveç cilësisë së padiskutueshme, në të është derdhur edhe shumë përkushtim e dashuri. Duajeni Tokën, siç e duan ata që e punojnë atë.

Janar 2019
Tashmë duket qartë se, natyrën që e ka fal Zoti, i ka dalë pronari. Skandali i publikuar pak kohë më parë, vazhdon të marrë përmasa të mëdha, duke bllokuar tërësisht hyrjen në kanionin e Holtës.
Gramshit i hiqet nga harta një perlë natyrore, e cila mirëpriste dimër e verë turistë nga të gjithë trevat e Shqipërisë.
Kompania “Era Hydro” sh.p.k, vazhdon të punojë e qetë, duke mos lejuar askënd të kalojë murin, pasi kanionet e Holtës janë privatizuar totalisht. Sakaq ata që na qeverisin ne, janë duke u lumturuar, pasi në xhepat e tyre është derdhur një rryshfet i madh, një vjedhje e pastër, e cila na ka dhënë këtë pamje kaq të shëmtuar.
Burimi: www.portaligramsh.com

Nga Klotilda Saraçini
TIRANË, 21 janar/ATSH/ – Në panairin e përvitshëm ndërkombëtar të Turizmit në Helsinki, më i madhi në këtë fushë në Skandinavi, ndër të 80 vendet pjesëmarrëse, sivjet ishte dhe Shqipëria me një stendë dinjitoze.
Ky ishte rezultat i bisedimeve dhe përpjekjeve më se 2-vjeçare të ministrit të Turizmit dhe Mjedisit, Blendi Klosi dhe Konsulles së Përgjithshme të Nderit të Shqipërisë në Finlandë, Liliana Verdha, me drejtuesit e këtij panairi të rëndësishëm ndërkombëtar.
Në “Matka 2019” nga data 17-20 janar përveç 3 përfaqësuesve të Bordit Kombëtar të Turizmit të Shqipërisë, ishin edhe 7 firma të tjera turistike me mbi 13 vetë gjithsej, të cilët patën dhe mbështetjen e shqiptarëve me banim në Finlandë.
Interesi i vizitorëve të Panairit për Shqipërinë ishte mjaft i madh, aq sa edhe materialet e shtypura mbaruan në 2-3 ditë.
Në Panair Shqipëria u prezantua edhe nga kompania finlandeze e udhëtimeve turistike “Apollo”, si dhe nga kompania immobiliare finlandeze “Habitare” dhe ajo finlandeze-shqiptare “TripAID Albania”.
Gjatë të katër ditëve të panairit në stendën shqiptare qëndroi edhe Konsullja e Shqipërisë, Lili Verdha, e cila ndihmoi në organizimin e takimeve me biznese finlandeze, si edhe me mjaft gazetarë finlandezë e të huaj që kanë shkruar dhe do të shkruajnë për Shqipërinë. /k.s/ /a.g/

Nga Pandi Skaka
TIRANË, 20 janar/ATSH/-Gazeta britanike “The Sun” ka botuar një artikull mbi dhjetë destinacionet më të mira në të gjithë botën për turizëm mes të cilave përmend edhe Rivierën Shqiptare.
“Nëse po kërkoni të filloni vitin me një aventurë të re, këtu janë disa sugjerime që do t’ju ndihmonin për udhëtimet tuaja,” shkruan gazeta.
Riviera Shqiptare
PSE ËSHTË E NJOHUR: Vendasit i kanë ruajtur me dinakëri për vete plazhet dhe gjiret e detit për dekada të tëra.
Por tani, Lonely Planet e ka quajtur vendin një destinacion të mirë për 2019. Mund të vini bast se është vetëm çështje kohe para se Shqipëria të bëhet një Kroaci e re.
ÇFARË PRESIN TURISTËT: “Njerëzit shpesh kanë një imazh të ashpër për Shqipërinë,” na tregon Tom.
“Prandaj, ata mbeten të befasuar kur shohin se sa idilik është ai vend”.
Në Drimadhë, vizitori ndjen shijen e parajsës shqiptare: hotelet e bukura dhe baret rreshtohen përgjatë rërës së bardhë, plazhit dhe detit si pastër si kristali.
Gjithashtu, Shqipëria në mënyrë të konsiderueshme ia kalon Greqisë dhe Italisë fqinjë kur është fjala për koston.
Vera nё Shqipёri ka temperaturat mё tё mira mbi 20°C, por edhe turmat më të mëdha për shkak të popullaritetit të saj në rritje.
Prandaj, provo tё vizitosh Shqipërinë në maj dhe shtator.
“Mundohuni të vizitoni Shqipërinë gjatë majit ose shtatorit për të shmangur turmat e mëdha për shkak të popullaritetit të saj në rritje”, përfundon “The Sun”/p.s./
Burimi: ata.gov.al

Nga R Hoxha – January 22, 2019
Shqipëria është cilësuar si një nga perlat e Ballkanit nga shumë persona që e kanë vizituar. Edhe vizitorja britanike Edith Durham, kur vizitoi për herë të parë trojet shqiptare ka ngelur e mahnitur nga peizazhi, por jo vetëm.
Së fundmi, media e njohur “Al Jazeera” ka publikuar një reportazh për Shqipërinë. Reportazhi është i realizuar përmes tre episodeve, të cilat nisin me veriun e Shqipërisë, një pjesë të Kosovës e vazhdojnë me Krujën.
Në reportazh thuhet:
Perlë e fshehur është një fjalë e tepruar, por kur flasim për Shqipërinë, të dyja fjalët kanë kuptimin të vërtetë. Duke u mbyllur nga bota për dekada të tëra, të sunduar nga forcat despotike, Shqipëria hapi dyert e saj vetëm një çerek shekulli më parë.
Pas rënies së komunizmit, Shqipëria u zbulua menjëherë në botë. Shpella malore, jashtëzakonisht të pasura me ujë blu të thellë që rrjedh nëpër lumenjtë e këtij vendi, burimet e nxehta, një shpirt mesdhetar, njerëzit më miqësorë dhe trashëgimi historike shumë interesante; kështjella, rrënojat nga perandoritë e mëdha deri te bunkerët e mbetur në shekullin e kaluar.”
Burimi: http://korrieri.com.al

Nga G Bara – January 22, 2019
Jo më kot konsiderohen si perla të vendit tonë, por jo vetëm, pasi mbartin vlera dhe bukuri vërtet të mahnitshme. E ajo çka po rrezikon të ndodhë me to, është me të vërtetë e trishtë.
Shumë prej ‘shoqeve’ të vendeve të pasqyruara më poshtë, janë zhdukur në mënyrë mizore duke u ndërtuar në vend të tyre HEC-e.
E pikërisht edhe kanionet e Holtës në Gramsh, lumi i Vjosës apo ai i Valbonës, ku për to u zhvilluan disa protesta, duket se janë drejt të njëjtës rrugë. I njëjti problem duket se është dhe në Zagori.
Burimi: Shqipëriaime

Nga Adela Alla – 23/01/2019
TIRANË, 23 janar /ATSH/ – Shqipëria merr pjesë në Panairin Ndërkombëtar të Turizmit FITUR në Madrid, Spanjë.
Ky panair zhvillohet në datat 23-27 janar, dhe është i rëndësishëm pasi ofron mundësi të mira kontaktimi me operatorë, media dhe vizitorë potencialë nga Spanja dhe Portugalia.
Njëkohësisht është një pikë shumë e mirë kontakti edhe për tregje të largëta të Amerikës Latine, të cilat mund të rriten në të ardhmen.
Ky panair është më i madhi që zhvillohet në Gadishullin Iberik me rreth 10190 kompani ekspozuese nga 165 vende/rajone, 140120 pjesëmarrës tregtarë dhe 110860 njerëz nga publiku i gjerë.
Shqipëria prezantohet nëpërmjet Ministrisë së Turizmit dhe Mjedisit dhe Agjencisë Kombëtare të Turizmit me 8 operatorë turistikë që operojnë në tregun spanjoll. Gjatë ditës së parë ka pasur një interesim të lartë të publikut, medieve ku janë realizuar disa takime të rëndësishme. /a.a/ /a.g/
Burimi: www.ata.gov.al

