Prej kohësh kam dashur të ndaj me ju një opinion timin në lidhje me produktin turistik në përgjithësi dhe atë shqiptar në veçanti. Në opinionin tim produkti turistik shkon përtej destinacionit. Nxitjen për këtë shkrim e mora nga diskutimet e fundit rreth propozimit që fitoi për logon, sloganin por edhe fushatën e marketingut në tregun e huaj për tërheqjen e investimeve të huaja dhe zhvillimin e turizmit në Shqipëri. Diskutime të nxehta që kryesisht përqëndrohen në ngjyra që duhen të jenë patjeter si ato të flamurit, në sloganin që detyrimisht duhet të jetë patetik sikur nuk mjafton ky që kemi. Dikush shkon dhe më tej: Mjaft më, nuk mund ta shohim Shqipërinë si e shohin të huajt! Po a nuk mund ta bëjmë së bashku? A nuk mund ta zbulojmë dhe ta tregojmë së bashku me të huajt këtë Shqipërinë tonë?
Unë do të përpiqem t’ju tregoj sot Shqipërinë time, atë që zbuloj çdo ditë, së bashku dhe me ndihmën e mysafirëve të huaj! Jemi mësuar të dëgjojmë që Shqipëria është vendi i mrekullueshëm, me peisazhe që të lenë pa frymë, me trashëgiminë e madhe arkeologjike dhe kulturore. Mund të jete dhe kështu, por Shqipëria ime është më parë Shqipëria e njerëzve të mirë e mikpritës, e mijëra mungesave por dhe e mijëra të mirave që duhet ti zbulosh thellë, thellë!