Tirana do të kthehet sërish në qendër të vëmendjes së industrisë turistike ndërkombëtare më 11–12 shkurt, me zhvillimin e edicionit të katërt të “Tourism Fair Albania”, një nga eventet më të rëndësishme të sektorit në vend.

Panairi synon të nxisë bashkëpunimin mes aktorëve të turizmit, duke krijuar ura komunikimi mes operatorëve vendas, institucioneve publike dhe partnerëve ndërkombëtarë. Fokus i veçantë i këtij edicioni do të jenë inovacioni, rrjetëzimi profesional dhe krijimi i marrëveshjeve konkrete të biznesit.
Ministri i Turizmit, Kulturës dhe Sportit, Blendi Gonxhja, u shpreh se ky panair përfaqëson një mundësi reale për forcimin e pozicionit të Shqipërisë në tregun ndërkombëtar të turizmit, duke mbledhur në një hapësirë të vetme profesionistë të industrisë, destinacione turistike dhe investitorë.
Sipas tij, Ministria e Turizmit, Kulturës dhe Sporteve, në bashkëpunim me Agjencinë Kombëtare të Turizmit, mbeten mbështetësit kryesorë të këtij eventi, me objektivin e promovimit të Shqipërisë si një destinacion turistik gjithëvjetor.
“Tourism Fair Albania”, i organizuar nga Iceberg Exhibitions, është konsoliduar ndër vite si një platformë strategjike që bashkon operatorë turistikë, struktura akomoduese, institucione publike dhe blerës profesionistë nga tregje të ndryshme ndërkombëtare. Theksi vihet veçanërisht te zhvillimi i qëndrueshëm i turizmit dhe bashkëpunimet afatgjata.
Edicioni TFA26 pritet të sjellë në Tiranë përfaqësues nga mbi 18 vende të botës, përfshirë tregje me potencial të lartë si Shtetet e Bashkuara të Amerikës, Kanadaja, Japonia, Kina dhe Tajlanda, si dhe vende të rëndësishme europiane si Anglia, Gjermania, Irlanda dhe Franca.
Përmes kësaj platforme, panairi synon jo vetëm të rrisë vizibilitetin ndërkombëtar të Shqipërisë dhe Tiranës si destinacione turistike, por edhe të gjenerojë flukse të reja vizitorësh dhe marrëveshje konkrete biznesi për sezonet turistike në vijim.



