Shtysa Njerëzore për të Pavdekësuar Mendimin

by admin

Që nga gërvishtjet më të hershme në muret e shpellave deri te alfabetet e ndërlikuara të qytetërimeve të lashta, historia e shkrimit është, në thelb, historia e dëshirës së njerëzimit për të ruajtur mendimin përtej kohës dhe hapësirës. Kalimi nga traditat gojore kalimtare te mbishkrimet që sjellin elementin e tejkohshmërisë shënoi një ndryshim rrënjësor kognitiv dhe kulturor, duke e shndërruar kujtesën nga një funksion biologjik në një artefakt material.

Në thelb të saj, shkrimi funksionon përmes një sistemi trebrinjësh: forma, tingulli dhe kuptimi. Këto tre elemente ndërveprojnë për të koduar gjuhën edhe në mënyrë vizuale. Forma i referohet trajtës dhe strukturës së simboleve; tingulli – vlerave të tyre fonetike; dhe kuptimi – koncepteve që ato përfaqësojnë. Sistemet e hershme të shkrimit, si kuneiformi dhe hieroglifët, nisën si logografike (duke qenë se kodonin në mënyrë të drejtpërdrejtë kuptimin), por evoluan drejt sistemeve fonetike, ku forma gjithnjë e më shumë filloi të përfaqësonte tingullin.

Drejtimi i shkrimit vjen me variacione të thella. Disa alfabete të hershme si ai fenikas dhe aramaik shkruheshin nga e djathta në të majtë. Të tjera (si p.sh. alfabetet greke dhe latine më të vona) preferonin drejtimin nga e majta në të djathtë. Një mënyrë veçanërisht interesante është mënyra bustrofedonike e të shkruarit, e përdorur herë pas here nga grekët e lashtë, ku drejtimi alternohej me çdo rresht, duke imituar kthesat e kaut gjatë lërimit të arës. Në Azinë Lindore, veçanërisht në shkrimin tradicional kinez, tekstet shkruheshin nga lart-poshtë, në kolona vertikale, duke u zhvendosur nga e djathta në të majtë në faqen e shkruar.

Ndër kulturat e lashta të Mesdheut, Etruskët, Grekët e Lashtë dhe Mesapët ishin kontribuues kyçë në zhvillimin e sistemeve alfabetike. Etruskët përshtatën një formë të hershme të alfabetit grek. Mesapët, një popull që jetoi në Italinë jugore, përdorën një variant të alfabetit grek dhe lanë mbishkrime që pasqyrojnë identitetin e tyre kulturor. Jo pa qëllim përmendëm Etruskët dhe Mesapët. Lidhje të besueshme janë treguar mes shqiptarëve dhe tyre. Për më tepër, këta popuj lanë piktura dhe mbishkrime me shumë vlerë sot. Secila nga këto kultura e modifikoi shkrimin për t’iu përshtatur strukturës fonetike të gjuhës së vet, duke treguar përshtatshmërinë e sistemeve të shkrimit ndaj shumëllojshmërisë gjuhësore njerëzore.

Shkrimi u shfaq jo thjesht si një mjet për regjistrimin e të dhënave, por edhe si një përgjigje ekzistenciale ndaj vdekshmërisë. Nëpërmjet shkrimit, mendimet i mbijetojnë mendimtarit. Përpjekja e vazhdueshme njerëzore për të “pavdekësuar të përkohshmen” qëndron në thelb të çdo mbishkrimi. Shkrimi, pra, mbetet një nga shpikjet më të thella të njerëzimit: një urë lidhëse mes vetëdijes së përkohshme dhe qytetërimit që mbetet në kohë.


Petroglifet janë gdhendje ose gërvishtje të skalitura në sipërfaqe shkëmbore, që datojnë që nga periudha paleolitike. Ato shfaqin figura njerëzore, kafshë, skena gjuetie, simbole rituale dhe forma gjeometrike. Megjithëse qëllimi i saktë i shumë petroglifeve mbetet subjekt interpretimi, ato përfaqësojnë një përpjekje të dukshme për të regjistruar përvoja, besime dhe ndoshta edhe struktura shoqërore.

Piktogramet, nga ana tjetër, janë figura vizuale që përfaqësojnë objekte reale ose veprime, dhe shpesh konsiderohen një hap më pranë shkrimit të mirëfilltë. Ndryshe nga petroglifet, të cilat janë më shpesh të ngulitura në mjedis natyror, piktogramet hasen edhe në materiale më të lëvizshme si balta e druri. Piktogramet u bënë themel për sisteme të mëvonshme si shkrimi kuneiform sumerian apo hieroglifët egjiptianë.

Këto forma të hershme shkrimi vizual nuk kërkonin një gjuhë të përbashkët: imazhet ishin universale në kuptimin e tyre bazë, duke kaluar kufijtë gjuhësorë. Në këtë kuptim, ato përmbanin një fuqi komunikative të veçantë që i parapriu nevojës për konvencione fonetike.

Petroglifet dhe piktogramet nuk janë vetëm dëshmi arkeologjike, por dritare mbi mendësinë, ndjeshmërinë dhe botëkuptimin e njeriut të hershëm. Dëshmojnë se para se të shkruanim me zë, kemi shkruar me imazh.


Ngjashmëritë e paraqitjeve në artin shkëmbor
Më poshtë do paraqesim një nga ngjashmëritë e subjekteve të piktogrameve në Shqipëri, Kosovë, Mal të Zi dhe Maqedoninë e Veriut: Drerin.

Piktogramet e Trenit, Bilisht, Korçë

Por, sa të vjetra janë piktogramet? Shumë të vjetra. Disa janë aq të vjetra saqë datojnë përpara historisë së dokumentuar. Raportimi i parë për piktogramet është vetë shumë i vjetër. Rreth 2300 vjet më parë, një filozof kinez i quajtur Han Fei qe i pari që raportoi studimin (ose vrojtimin) e piktogrameve. Plini Plaku (shekulli i 1-rë i erës sonë), ai që shkroi enciklopedinë 37-vëllimëshe që cekte të tëra fushat e njohurisë romake, përshkroi pikturat në shpella dhe sugjeroi lashtësinë e tyre me referencat e tij ndaj ndoshta artit të hershëm mural ose shkëmbor. Ai vuri në dukje se njerëzit e hershëm “gërvishtnin dhe pikturonin sipërfaqet” përpara se të shkruanin.

Këto në foto ama janë piktogramet më të bukura të të tërë Ballkanit të anës së Adriatikut. Është një skenë e përbërë gjuetie që përfshin 3 kalorës, qen dhe drerë. Dreri nuk është i vetmi element lidhës mes pikturave shkëmbore (piktogrameve) e petroglifeve që dallojmë, por është e vetmja kafshë e përfaqësuar në zonën të cilën tani e mbulojnë katër shtetet e lartpërmendura (Shqipëri, Maqedoni e Veriut, Mal i Zi).


Piktogramet e Lipcit, Risan
Edhe pse nuk është e kollajtë të bësh paralelizma, hapësira relativisht e vogël e konstelacionit Tren–Prilep–Lipci–Prizren, dhe elementët e përbashkët të zgjedhur për të treguar entuziazmin e jetës së atyre që i pikturuan – si në rastin e drerëve ose elementëve të tjerë – mund të merren si tregues i një grupi etno/kulturor të vetëm. Kjo do mund të ishte një argument për një racë të vetme dominante në zonë. Është pistë shumë e gjerë, e me piktogramet/petroglifet thjesht mund të hidhnim ca më tepër dritë në atë që mbetet gjithsesi e mugët në thellësinë e shekujve.


Piktogramet e Prilepit
Edhe pse dëgjon rëndom që këto janë marrëzi e se janë thjesht piktura/shkarravina barinjsh, faktikisht është i pamohueshëm fakti që është e pamundur që barinjtë të mund të krijonin bojë të tillë që i mbijetoi mijëvjeçarëve në shkëmbinj krejtësisht të ekspozuar ndaj elementëve të natyrës.


Piktogrami i Prizrenit
Boja e këtyre është e bardhë ose e kuqe. Në ca raste, boja është analizuar në laborator dhe një sërë përbërësish kanë rezultuar se e bëjnë absolutisht të pamundur të mendosh se janë punë ngjyerje gishti të ndonjë bariu diku në gëlqere të shkrirë. Është shumë më e ndërlikuar se aq. Vetë përgatitja e bojës është art më vete dhe është një nga arsyet e habisë me artin e stër-stër-stërparaardhësve të banorëve të këtyre trevave tona.

Sigurisht që është e natyrshme të mendohet se përpara se përfytyrimet dhe idetë njerëzore të bëheshin të shikueshme nëpër faqet e murit/drurit/shkëmbit, tatuazhet e përkohshme/përhershme në lëkurë e stampimet nëpër rroba/mbulesa do kenë qenë më të zakonshme.

Për mjetet e punës nuk është se jemi në terr. Vegla të epokës së gurit (neolitike) janë gjetur rëndom (kujtojmë edhe gjetjet e Ugolinit në shpellat e Velçës – ende të ekspozuara në Itali e jo në Shqipëri). Ja për shembull një thikë guri e gjetur në Reç, pranë zonës së petroglifeve. Për përbërjen dhe formimin e bojës ka qëmtuar edhe i nderuari, ndër të tjera, antropologu Shaban Sinani.


Të futesh në semantikën e piktogrameve – si ato të mësipërmet me skena gjuetie apo paraqitje të njerëzve apo kafshëve me, në dukje, pa ndonjë simbolikë të nënkuptuar – nuk është edhe kushedi çfarë. Por, edhe pse të lashta përtej përfytyrimit, ato në fakt mbërrijnë tek ne në forma të ndryshme dhe shumë më të ndërlikuara. Të tilla janë p.sh. vijueset:

  • Ideogramet (tregojnë një ide ose koncept)
  • Logogramet (tregojnë një fjalë ose morfemë)
  • Simbole (përfaqësuese të objekteve ose marrëdhënieve si abstrakte ashtu edhe konkrete)

Ka disa interpretime për raste të caktuara që shkojnë drejt interpretimit të veprimeve haluçinante në krijimin e artit shkëmbor të lashtë. Kjo mund të shpjegojë edhe figurat antropomorfe ndoshta, ose vizatime/gdhendje me kuptim ende të panjohur.


Në Shqipëri, sistematizimi i njohurive mbi petroglifet dhe piktogramet ka nisur relativisht vonë, dhe literatura përkatëse mbetet ende e kufizuar, shpeshherë pa qasje krahasuese me zhvillimet në rajon apo më gjerë. Ekziston ende një terren i gjerë pune për të evidentuar gjurmë të reja të kësaj trashëgimie të palexuar, të cilat vazhdojnë të dalin në dritë, shpesh pa qenë dokumentuar më parë. Po ashtu, mbetet sfidë deshifrimi i kuptimit të tyre simbolik, që kërkon ndërthurjen e dijes nga disiplina të ndryshme.

Lëvizjet migratore të parahistorisë mund të ndihmojnë shpjegimin e pranisë së elementeve të përbashkët në petroglifet dhe piktogramet shqiptare me ato të hasura në hapësira të tjera të globit, çka sugjeron rrjedha kulturore më të ndërlikuara sesa mendohej më parë. Zhvillimi i shkencave ndihmëse, si shpellologjia, arkeologjia eksperimentale apo analiza e materialeve, mund të kontribuojnë ndjeshëm në thellimin e interpretimit dhe në rikthimin e zërit të këtyre mesazheve të ngurtësuara të banorëve të hershëm të këtyre trojeve.


Pyetja që mbetet e hapur është:
Përse ndodhi ndërprerja e kësaj krijimtarie vizuale? A ishte koha e petroglifeve dhe piktogrameve një lloj “Rilindjeje” parahistorike, një kulm i hershëm i shprehjes simbolike dhe kolektive, i cili më pas u shua për t’u zëvendësuar nga forma të tjera të komunikimit?

Kërkimi i përgjigjes ndaj kësaj pyetjeje nuk është vetëm një sfidë shkencore, por edhe një ftesë për të rimenduar vendin tonë në historinë më të gjerë të shkrimit dhe të mendimit vizual njerëzor.

Në fund, pyetja nuk është vetëm çfarë duan të na thonë këto shenja, por nëse jemi ne të aftë t’i kuptojmë. Do të ishte mendim shumë i ngushtë ideja që brezat e mijëvjeçarëve të parë komunikonin vetëm me kuptime të drejtpërdrejta, pa shtresime simbolike apo nëntekste. Gjuha, në të gjitha format e saj, synon të përcjellë një mesazh, shpesh edhe një mesazh brenda një mesazhi. Ka raste kur bota e brendshme njerëzore nuk gjen përkthim të gatshëm në repertorin tonë të sotëm të shenjave e germave. A do të arrijmë vërtet të deshifrojmë këto gjurmë të para të shkrimit, këto fletë shkëmbore të Shqipërisë? Nëse po, a do të mund të themi me siguri se dikur, në agun e historisë, një banor i këtyre trojeve shkroi diçka që ia doli t’i mbijetojë kohës?

Mali i Buzëderrit. Kurvelesh.
Dhe tradita e përjetësimit të ideve fikse në mendjen tonë, vazhdon.

You may also like

Adblock Detected

Please support us by disabling your AdBlocker extension from your browsers for our website.