

Dy fjalë rreth Terra Madre Balkans
Terra Madre Balkans është një rrjetëzim i të gjitha komuniteteve të ushqimit dhe projekteve Slow Food në Gadishullin e Ballkanit. Qysh nga viti 2010, ky rrjet ka bërë përpjekje të shumta për të shpëtuar traditat gastronomike dhe biodiversitetin ushqimor të një prej rajoneve më tërheqëse dhe më pak të njohura të Evropës.
Terra Madre Balkans është rrjeti i parë i këtij lloji që bashkon komunitete ushqimi nga vende të ndryshme të të njëjtit rajon. Slow Food dhe Terra Madre krijuan një rrjet me rrënjë të thella në rajon i mbështetur nga mijëra përkrahës, 24 Presidia (produkte të mbrojtura) Slow Food, 100 komunitete ushqimi, 50 shefa kuzhine, 15 programe edukuese mbi ushqyerjen dhe shijimin në shkolla dhe mbi 280 produkte nga Ballkani të listuara në katalogun e Arkës së Shijes së Slow Food.
Rrjeti i Terra Madre Balkans takohet çdo dy vjet, por energjia e tij është më së shumti e përhapur në nisma të vogla në të tërë rajonin: shkëmbime dijesh e njohurish, seminare trajnimi për studentët që janë nga vende të ndryshme, fushata që synojnë mbrojtjen e peisazhit agrar dhe të të drejtave të fermerëve dhe prodhuesve të vegjël, festivale nëpër fshatra që festojnë agro-biodiversitetin vendor dhe kuzhinën më të mirë vendase. E gjithë kjo është Terra Madre Balkans.