Shpeshherë qytetet e mëdha, prej njohjes më të gjerë, marrin meritat e qyteteve të vogla. Një gjë e tillë po ndodh kohët e fundit edhe me Luginën e Lumit të Vlorës, një pjesë e mirë e të cilës i përket bashkisë së Selenicës por emrin e saj rrallë dëgjohet ta përmendë njeri. E pra, Selenica është një vendbanim që na vjen së largu nga thellësia e mijëvjeçarëve, si burimi asfaltit me të cilin janë shtruar të gjitha rrugët e botës antike.
Por ajo nuk është vetëm kaq. Gjithë pasuria e antikitetit shtrihet në territorin e saj. Amantia, Olimpia e Mavrovës, Shpellat e Shkruara të Lepenicës, Shpellat e Velçës, Vajzës, fshatrat e vjetër karakteristikë, majat krenare të Çipinit, Stogoit, Tartarit, Bolenës, etj, Ura mejsetare e Bratit, grupet e këngëve e valleve polifonike, vetë shpirti i Labërisë është limfa e kësaj krahine plot karakter e identitet të spikatur kombëtar.E banuar qysh në parahistori kjo nënzonë të befason me resurset natyrore, monumentet e kulturës dhe folklorin e pasur. E njohur për patriotizmin, burrat e shquar, kapedanët e Labërisë, ajo ia vlen për t’u vizituar. Këtu gjen trashëgimi, mikpritje, natyrë të bukur, polifoni dhe natyrisht çlodhje.
Qyteti i Selenicës është qendra e bashkisë Selenicë. Selenica ndodhet në lindje të qytetit të Vlorës, 27 km larg tij. Qyteti është i vendosur në një zonë kodrinore në bregun e majtë të rrjedhjes së poshtme të Shushicës. E quajtur ndryshe edhe malësia e Vlorës, në dukje një zonë e ashpër dhe e sertë, Selenica është në fakt një oazë e mbushur plot me njerëz të qeshur e bujarë, që ta bëjnë qëndrimin të paharrueshëm.
Disa nga fshatrat e bashkisë Selenicë; Drashovica e Ploça, janë përzgjedhur në projektin e 100 fshatrave turistikë, ndërkohë që në këtë bashki bëjnë pjesë edhe Armeni, Karbunara, Brataj, Gjormi, Bashaj, Ramica, Mesapliku, Lepenica, Sevasteri, Vajza, Treblova, ,Velça, Shkoza, Peshkëpia, Lubonja, Kota, Mavrova, Vllahina, Gumenica, Gorishti e të tjerë fshatra.
Përse duhet të vini në Selenicë?
Sepse këtu gjenden disa prej monumenteve me vlerë botërore e kombëtare, unike jo vetëm për zonën ku ndodhen, por për të gjithë trashëgiminë kulturore e historike të vendit tonë.
Sepse mikpritja e banorëve të zonës do t`ju lërë pa fjalë.
Sepse në shumë prej fshatrave për shkak të mungesës së infrastrukturës së dikurshme shumë vlera e zakone janë ruajtur të paprekura dhe ju do të keni mundësi të ktheheni pas në kohë për t`i përjetuar edhe njëherë ato si dikur.
Sepse natyra është është aq e bukur dhe e larmishme saqë do të keni mundësi të përjetoni gjithçka, që nga ecjet në natyrë, mes kullotave, tufave të bagëtive e barinjve gazmorë, e deri tek aventurat më të çmendura, që nga guvat më të thella të shpellave e ujvarave e deri tek majat e maleve.
Sepse festat lokale tregojnë shpirtin e vërtetë të këtyre njerëzve bujarë, dashurinë e tyre për tokën dhe për vendin por edhe vlerat që përcillen brez pas brezi përmes këngëve, valleve, kostumeve e zakoneve.
Shumë shpejt, në të gjithë zonën do të grihen bujtinat e para turistike dhe kjo do t`ju japë mundësinë që ta merrni në konsideratë jo thjesht si një rrugë që ju çon më shpejt në bregdet por si një destinacion të vërtetë natyror e kulturor.
Çfarë mund të vizitoni në Selenicë
është e pamundur t`ju rreshtojmë në një artikull të vetëm të gjitha pikat e bukura natyrore dhe kulturore por po ju sugjerojmë ato që kurrsesi nuk duhet t`i humbisni në një udhëtim drejt kësaj zone.

Parku Arkeologjik i Amantias
Gjendet në territorin e fshatit Ploçë. Sot ai përbën një nga parqet më interesantë arkeologjikë të Shqipërisë, në të cilin ndodhen objekte unikalë, siç është rasti i stadiumit të tij, I përmendur për lojrat popullore. Rrënojat e qytetit të dikurshëm ndodhen në një kodër me sipërfaqe prej 20 ha, e cila rrethohej nga një mur me perimetër prej 2100 m. Autorët antikë që japin të dhëna për amantët janë të shumtë. Njëri ndër ta Stefan Bizantini, tregon se qyteti kishte si legjendë, themelimin nga abantët e luftës së Trojës. Pavarëssht historive të shumta, monumentet e Amantias si tempulli dorik i Afërditës, stadiumi, muret rrethuese, bazilika e antikitetit të vonë, nekropoli, etj, përbëjnë një tur tërheqës për vizitorët.
Sot Bashkia e Selenicës organizon çdo vit aktivitetin “Amantia në Festë, ku në qendër të saj janë pikërisht lojrat e dikurshme antike dhe ka për qëllim ta kthejë atë në një festë kombëtare.
Olimpia
Është një tjetër qytet antik i këtij rajoni, i cili mendohet se u quajt me këtë emër, nga e bija e mbretit Pirro të Epirit, Olimpia. Rrënojat e saj ndodhen në fshatin e sotëm Mavrovë, në anën e djathtë të lumit Shushica. Qyteti ngrihej mbi një kodër të fortifikuar me një sipërfaqe prej 13 ha. Muret fortifikuese dhe akropoli tregojnë rëndësinë e Olimpes. Historia na dëshmon se qyteti drejtohej nga Politarkesi, që ishte zyrtari më i lartë. Ai ndihmohej në veprimtarinë e tij nga Gramateusi (sekretari) dhe një kolegj nëpunësish të quajtur Synarkontë. Zhvillimin më të madh, Olimpe e arriti në shekujt III-II p.k, me nxjerrjen e monedhave, të cilat përdoreshin vetëm brenda juridiksionit të këtij qyteti. Ato kishin simbole të ngjashme me monedhat e qyteteve fqinj të Apolonisë, Amantias dhe Bylisit dhe mbanin monogramin Olympiastan. Edhe në antikitetin e vonë është Stefan Bizantini që e përmend Olimpen te vepra e tij, “Mbi qytetet dhe popujt”, si pjesë e këshjtellave që u rindërtuan nga perandori
Justinian.
Qyteti antik i Cerjes apo Kalaja e Cerjes, siç njihet nga banorët e Labërisë është e vendosur në faqen jugore të një kodre, rreth 250 m mbi nivelin e detit, në bregun e djathtë të lumit Shushica.Cerja ka shërbyer si një qendër e fortifikuar që ka luajtur një rol të rëndësishëm, për kontrollin e kufirit juglindor të koinonit të Amantëve. Për komunikimin me bregun e majtë të luginës së Shushicës, në shek. III para Krishtit, poshtë kodrës së Cerjes është ndërtuar një urë, rrënojat e të cilës ruhen ende dhe njihen me emrin Ura e Bogdanit.
Drashovica
Kur lexon historinë qindra vjeçare të fshatit dhe kur rreshton peshën e lavdisë, ngjarjeve, monumenteve të natyrës, duket sikur Drashovica është e destinuar dhe e bekuar për të bërë histori.
Në Drashovicë janë zhvilluar dy luftëra me rëndësi në historinë kombëtare, më 1920, Lufta e Vlorës që përfundoi me çlirimin e Vlorës nga italianët dhe më 1943, Epopeja e Drashovicës, luftë frontale popullore kundër nazistëve gjermanë. Dhe nuk kanë ndodhur rastësisht këtu. Luftërat e mëdha ndodhin gjithmonë në kufi dhe për kufijtë. Pushtuesit kanë dashur ta kalojnë gjithnjë urën – kufi, të hynin në Labëri, ta pushtonin atë, të zotëronin majat e larta të saj.
Më datën 14 shtator të vitit 2016, Presidenti i Republikës, Sh.T.Z. Bujar Nishani, nderon fshatin Drashovicë me Dekoratën “Nderi i Kombit”.

Ura e Bratajt
Ndodhet në fshatin Brataj dhe është monument kulture që nga viti 1963. Ajo përbëhet nga dy harqe. Harku më i madh ndodhet mbi shtratin e lumit Shushica dhe është nëntë metra i lartë. Ndërsa harku më i vogël shërben si portë për shkarkimin e ujrave të tepërta të lumit, kur ai arrin pikën maksimale
të prurjeve. Ura e Bratajt është ndërtuar diku në shekullin e XVI dhe funksionon që nga ajo kohë pa ndërprerje. Me një gjatësi prej 30 m ajo lidh fshatrat e Bratajt dhe Smokthinës.

Shpella e Lepenicës
Quhet nga vendasit edhe “Shpella e shkruar” dhe ndodhet në shpatin lindor të malit të Lungarës, në perëndim të fshatit Lepenicë, i cili ndodhet në bregun e majtë të Shushicës. Mendohet se është banuar gjatë mijëvjeçarit të IV-III-të në periudhën parahistorike. Dallohet për pikturat në shkëmb, të cilat konsiderohen nga studiuesit si veprat më të vjetra artistike në vendin tonë. Në muret e shpellës së Lepenicës janë pikturuar figura antropomorfe dhe gjeometrike, që mbartin vlera studiuese.

Shpella e Velçës
Ndodhet përballë asaj të Lepenicës në krahun tjetër të lumit Shushica. Ky monument
natyror mendohet të jetë banuar dikur qysh në periudhën parahistorike të Neolitit. Edhe sot ajo përdoret për qëllime te tjera, hyrja e së cilës është zënë nga një mur i fortifikuar guri, i cili nuk ia zbeh natyrën monumetale.

Kisha e Shën Athanasit
Ndodhet në Selenicë dhe u ndërtua në vitin 1814 sipas një dokumenti të evidentuar në vititn 1955, fakt e gjejmë në librin e autorit Theofan Popa,ku përfshihen të gjitha mbishkrimet e gjetura në kishat e Shqipërisë. Kisha u ndërtua nga disa fise arumune që erdhën në mesin e shekullit XVIII nga Përmeti dhe Voskopoja. Pas disa shkatërrimeve të njëpasnjëshme për fshirë edhe përiudhën e sistemit komunist, sot është plotësisht e rindërtuar dhe shërben për të gjithë komunitetin e zonës.
Të veçanta nga Selenica
Miniera e Selenicës
Në shkrimet e dijetarit dhe filozofit të kohës së vjetër, Aristotelit, për vendburimin e serës së Selenicës thuhet: “Në Apolloni, që ndodhet pranë krahinës ilire të Atlantitëve (Atintanëve, Taulantëve), thonë se ka asfalt që nxirret nga toka dhe zift që shpërthen prej saj si uji dhe nuk ndryshon aspak nga ai i Maqedonisë, por është i një natyre më të zezë e më të trashë”.
Miniera e bitumit, në Selenicë, është nga më të vjetrat në vendin tonë, dhe nga më të rrallat në të gjithë Evropën. Sipas të dhënave historike në Selenicë, “zjarret e përhershëm” ose “çezmat që digjen”, që shumë autorë të antikitetit i kanë paraqitur si shfaqje të mrekullueshme dhe objekte adhurimi e besimi, kanë qenë të njohura qysh në kohën e Aristotelit, Strabonit, Elianit, Plintit, Plutarkut, deri tek Karl Paçi, Novak, Baldaç, për të përfunduar tek ata të sotmit.
Treni – dekovil Selenicë – Vlorë.
Linja e dekovilit Vlorë-Selenicë, e ndërtuar nga ushtria italiane gjatë Luftës së Parë Botërore, shënon fillimet e transportit hekurudhor në Shqipëri. Mjeti bënte udhën e hekurt, nga qyteti i Selenicës drejt qytetit të Vlorës, duke përshkuar edhe rrugë malore. Dekovili i Selenicës është shfrytëzuar relativisht deri vonë. Ai sillte nga Selenica në Skelë, rrotullat e asfaltit. Më 1926 qeveria shqiptare ia dha me koncesion shoqërisë së Selenicës riparimin dhe shfrytëzimin e këtij dekovili.
David Selenicasi (Davidi nga Vlora)
Piktor i madhi shekullit të 18-të
Në qendrën e re të qytetit, është vendosur busti i një prej piktorëve më të njohur të Ballkanit, të shekullit XVIII, David Selenicasi. Afresket e punuara prej tij kanë zbukuruar kishën e virgjëreshës, në malin Athos, në Greqi, kishën e shën Prodhomit, në Kostur, të shën Kollit në Voskopojë etj. Jeta e Davidit, përmblidhet në vitet 1715-1727 dhe në trekëndëshin Vlorë (Selenicë) – Athos – Voskopojë, dhe përfundon në një pikë jo larg Voskopojës, në Kostur. Ai mendohet të ketë lindur në dhjetëvjetëshin e fundit të shekullit të 17-të në Selenicë të Vlorës, ku mendohet të ketë kaluar dhe fëmijërinë.
Vllehët- banorë të hershëm të Selenicës.
Vllehët përbëjnë sot shumicën e popullatës në qytetin e Selenicës. Pas ikjes së sllavëve ata kanë qenë të parët që ringritën qytezën e Selenicës. Pasi u vendosën këtu, ata vazhduan të ushtronin gjithashtu dhe profesionin e tyre të vjetër, atë të karvanëve. Për të përballuar nevojat për jetesë ata filluan të mblidhnin serën e sipërfaqes dhe ta shisnin atë në Fier, Lushnjë e deri në Kavajë e Durrës, të transportonin gjithashtu kripën nga Narta e Vlora drejt Beratit, Korçës e Përmetit. Duke qenë mjeshtër të vërtetë të transportit me mushka, ata (vllehët) tërhoqën vëmendjen e të gjitha shoqërive koncesionare të huaja turke, angleze, franceze dhe të asaj italiane SIMSA, të cilat i organizuan karvanët e tyre për transportin e serës nga Selenica në Skelën e Vlorës. Pas çlirimit të vendit në Selenicë erdhën dhe u vendosën mjaft familje dhe individë, kryesisht nga Shqipëria e Jugut, të cilët, së bashku me vllehët e këtij vendbanimi dhanë një kontribut të çmuar për rimëkëmbjen, zgjerimin dhe zhvillimin e minierës së bitumit, për zhvillimin dhe progresin e kësaj qendre të rëndësishme minerare. Vllehët, ndonëse të integruar plotësisht në shoqërinë shqiptare, vazhdojnë të flasin gjuhën e tyre, të kultivojnë traditat dhe zakonet e tyre të veçanta. Krahas vlerave të mësipërme, ata nuk harrojnë asnjëherë të kultivojnë folklorin e tyre të mrekullueshëm. Mënyra e tyre e të kënduarit është kryesisht polifonia, ndonëse nuk mungon as monofonia. Polifonia e vllehëve të Selenicës është shumë e ngjashme me polifoninë toske të Korçës, Përmetit e Kolonjës, duke qenë se nga këto zona është edhe origjina e tyre e largët.
Mozaiku i Mesaplikut
Ky mozaik i famshëm konsiderohet si një nga perlat e artit paleokristian. Ai u zbulua në vitin 1979 nga arkeologu Damian Komata, në rrënojat e një kishe të shekullit të VI-të, e cila përbëhej nga tre anijata.
E ndodhur në vendin e quajtur “Bregu i Kishës”, faltorja ka një gjatësi prej 13.80 m dhe gjerësi prej 11 m. Kisha përbëhej nga naosi (salla), kthina e altarit, absida e të cilit ishte tre faqëshe dhe ikonostasi me bazamentin prej guri, etj. Mozaiku i Mesaplikut është ndërtuar me teknikën romake opus teselatum. Tek mozaikët që përbëhen nga disa medalione ndërthuren figura e njeriut me motivet gjeometrike dhe zoomorfe. Figura kryesore e mozaikut është ajo e një burri. Ai është paraqitur në profil duke buzëqeshur dhe në koke mban një kësulë me antenë, në të cilën është lidhur një kordele dyshe. Përpara fytyrës së personit është shkruar vetëm një frazë e vendosur në kolonë që lexohet AΠAPKEAC (Aparkeas). I fotografuar tridhjetë e pak vite me parë kur u zbulua, mozaiku i Mesaplikut ka bërë tashmë xhiron e botës. Imazhet e tij i gjen në libra të historisë së artit, kartolina, guida dhe albume turistike. I vendosur që nga viti 1981 në Muzeun Historik Kombëtar në Tiranë, Mozaiku i Mesaplikut mund të vizitohet në mënyrë komode në çdo kohë nga vizitorët.
Ali Asllani, poeti i dashurisë
Poeti i mirënjohur atdhetar, diplomat, i shkolluar edhe për mjek, ishte nga fshati Vajzë i Selenicës. Edhe pse veprimtaria e tij atdhetare është e larmishme dhe kontributi i tij për vendin mjaft I shquar, Ali Asllani përmendet më shumë për poezitë e tij të dashurisë, të cilat nuk ishin edhe aq “klasike” por shprehnin ndjenjat me gjuhën e vendit. Fshati Vajzë sot jua uroj mirëserdhjen pikërisht me një tabelë ku janë gdhendur disa vargje dhe një foto e autorit.