Nga Sonila Gruda
Në Shqipëri, kur vjen puna për të “pastruar” imazhin para Europës, nuk fshijmë korrupsionin, por kafshët, në këtë rast qentë. Helmi është zgjidhja, krenaria jonë ashtu sikur puthim shqiponjën mbi flamur.
Në një vend ku realiteti shpesh sfidon imagjinatën, Shqipëria shënon një tjetër rekord europian: duke mirëpritur një nga ngjarjet më të rëndësishme sportive të kontinentit, Giro d’Italia, ndërkohë që pastron trotuaret jo nga korrupsioni apo papastërtitë urbane, por nga qentë. Jo me strehim, as me sterilizim. por me helmim.
Po, po, helm, e lexuat mirë, nuk keni nevojë as të hapni sytë, as të vendosni gjyslykë.
Pra, pak ditë para se Giro d’Italia të shkelte me rrota bulevardet shqiptare për herë të parë në histori, autoritetet vendore në Tiranë, Vlorë dhe Durrës vendosën të bëjnë një “make-up” të shpejtë për qytetarët dhe rrotat e çiklistëve që do të shkelnin mbi asfalt. Rrugët, natyrisht, duhet të ishin të pastra, jo nga mbeturinat, as nga ndërtimet pa leje, ato mund të mbulohen me dhe ose me ndonjë pankartë, por nga kafshët endacake. E çfarë mund ta prishë më shumë imazhin e Shqipërisë në sytë e Europës? Kafshët, kush tjetër, kuçedra të tmerrshme që do na trembnin çiklistat trima. Edhe Hitchcock do e kishte zili mizorinë tonë për ndonjë film të tjin.
Le të kthehemi në realitet. Cila ishte zgjidhja që ofroi shteti ynë? Do të kishte qenë një ëndërr e bukur sikur të kishin menduar për ndërtimin e strehave, për fushata të qëndrueshme sterilizimi dhe mbi të gjitha për edukim qytetar, një përpjekje e bukur për të bashkëjetuar me dinjitet me qeniet e pambrojtura. Por dihet, çdo ëndërr ka makthin e saj. Dhe në këtë rast, makthi mori formën e një vendimi të ftohtë, të shpejtë, të heshtur.
Krijimi i strehave, trajnimet dhe kujdesi afatgjatë ishin “shumë të koklavitura” për xhepat dhe vullnetin e qeverisë sonë. Dhe ashtu, sikur një gomë që fshin pa lënë pothuajse asnjë gjurmë, ata zgjodhën rrugën më të thjeshtë dhe më çnjerëzore: helmimin. Një eliminim i përjetshëm që nuk kërkon llogari, as ndjesë e as mëshirë.
Në një akt që ngjan më shumë me një fushatë spastrimi sesa me menaxhim urban, qindra kafshë u helmuan. Substancë e rrezikshme që jo vetëm u shkakton vuajtje të tmerrshme kafshëve, por përbën rrezik të drejtpërdrejtë edhe për njerëzit. Dëshmitë janë të shumta: foto, video, raportime nga qytetarë të ndryshëm.
Pamjet që qarkullonin në rrjetet sociale ato ditë tregonin imazhe të kafshëve të shtrira në agoni, aty në rrugë, mes kalimtarëve që i shikonin me cepin e syrit duke shkuar përtej dhe vazhduar rrugën e tyre, pasi vdekja e një kafshe për ne nuk ka vlerë. Aty ku fëmijët e tronditur pyesnin prindërit duke i tëhequr nga mënga “pse fle kafsha si e ngrirë” duke marrë përgjigje të ftohta “kafshë është mos e vrit mëndjen”. Ndërsa institucionet heshtin, ata qytetarë të cilët denoncojnë me video dhe foto pranë autoriteteve përkatëse, si zakonisht bullizohen. Po përgjigjja e autoriteteve cila ishte? “Nuk jemi në dijeni”.
Në vend që të tregojë civilizim dhe përgatitje serioze, Shqipëria zgjedh të japë një shfaqje mizorie të planifikuar, film horror. Kafshët e sterilizuara e të ushqyera nga qytetarë vullnetarë, janë vrarë masivisht, në heshtje, me metoda që as regjimet totalitare nuk i aplikojnë më. Nuk i dihet, me këtë shfaqje mund të fitojmë çmimin prestigjoz OSCAR me regji të politikanëve tanë dhe skenar të idhtarëve të tyre. Kush e di, ndoshta edhe popstari me famë botërore, Michael Jackson po të kishte jetuar në Shqipëri do ta kishte përfshirë këtë ndodhi të hershme në hitin e tij “Thriller”.
Kjo nuk është hera e parë që ndodh. Në vitin 2016, Komiteti Shqiptar i Helsinkit foli mbi trajtimin çnjerëzor të kafshëve në bashki të ndryshme të Shqipërisë. Në vitin 2021, të dhënat e organizatave për mbrojtjen e kafshëve tregonin se vetëm një përqindje simbolike e buxhetit bashkiak shkonte për sterilizim, ndërkohë që praktikat e dhunshme për “zgjidhjen” e problemit mbizotëronin. Ironikisht, në shumë raste, të njëjtat bashki kishin marrë fonde nga projekte të BE-së për trajtimin human të kafshëve endacake.
Rrjeti shpërtheu. Organizata si “Animals Albania”, “Protect Me”, “Jeta, kafshët dhe njerëzit”, “Animals Need Me”, “Animal Rescue Albania”, “Animal Aid Albania” e dhjetëra aktivistë denoncuan publikisht këtë krim të heshtur duke publikuar fakte, pamje e duke bërë thirrje publike. Nuk kërkuan as më shumë, as më pak, vetëm zbatimin e ligjit shqiptar për mbrojtjen e kafshëve (Nr. 10465, dt. 29.9.2011), i cili ndalon çdo formë mizorie dhe eleminimi pa arsye të kafshëve endacake. Bashkitë ndjekin një logjikë të thjeshtë: “Më mirë të helmojmë, se të investojmë”. Pra ligji, siç ndodh shpesh, kthehet në letër higjenike për tu pastruar nga feçet, pastaj uji eliminon çdo mbetje.
Organizatat për mbrojtjen e kafshëve kërkojnë zbardhjen e rastit, ndëshkimin e përgjegjësve dhe ndalimin e kësaj praktike barbare. Kur bota numëron medaljet, Shqipëria vazhdon të numërojë viktimat, në këtë rast janë qeniet me katër këmbë.
Kjo ndodhì nuk flet vetëm për dhunën ndaj kafshëve, por është një pasqyrë brutale e mënyrës se si sistemi trajton ata që nuk kanë zë: kafshët, të pastrehët, të pambrojturit. Kur qentë vriten për të mos prishur panoramën, çfarë ndodh me njerëzit që nuk përshtaten me imazhin? Kjo ka vetëm një emër, dhunë sistematike e normalizuar.
Tashmë, gara ka përfunduar. Rrugët janë pastruar nga çdo imazh shqetësues. Turistët ikën, videot u harruan, po kafshët endacake ku janë? Ato u thanë nga rrezet e diellit duke u bërë shkrumb e hi ku as toka nuk i kujton më, kanë mbetur vetëm fotot.
Nëse doni një Shqipëri europiane, filloni duke respektuar jetën e të gjithëve. Akoma nuk kemi arritur të kuptojmë se qytetaria nuk matet me asfalt, por me empati dhe edukatë.
Në fund të fundit, çfarë janë disa kafshë të helmuara përballë një droni që filmon asfaltin në 8K?