Nga pasioni tek profesioni – rrugëtimi i Çeleste Çerpjas në turizëm

by admin

Çeleste Çerpja, një vajzë 23-vjeçare nga Tirana, është një nga shembujt më frymëzues të brezit të ri që po ndërton të ardhmen në sektorin e turizmit me pasion dhe përkushtim. Rrugëtimi i saj ka nisur që në bangat e shkollës dhe është kthyer sot në një histori suksesi që dëshmon fuqinë e vendosmërisë dhe të besimit në vetvete.

E lindur dhe rritur në kryeqytet, Çeleste nisi udhëtimin e saj arsimor në shkollën 9-vjeçare “1 Maji”, për ta vijuar më pas në Shkollën e Mesme Teknike Ekonomike Profesionale. Pikërisht aty ndodhi takimi i parë me fushën e turizmit – një lidhje që fillimisht erdhi e papritur, por që më pas do të merrte përmasat e një pasioni të thellë. Në fillim, ajo nuk ishte e sigurt për këtë drejtim; dëshira e saj e parë ishte financa. Por një detyrë e thjeshtë – krijimi i një video-reportazhi për një destinacion turistik – do të ndryshonte gjithçka.

Zgjedhja e saj ra mbi fshatin Qukës-Shkumbin, një perlë e fshehur natyrore, të cilin vendosi ta eksploronte vetë, duke ndërtuar një itinerar origjinal dhe duke e sjellë në vëmendje me pasion dhe kreativitet. Kjo përvojë ishte momenti kur Çeleste ndjeu për herë të parë një lidhje të thellë me natyrën dhe me turizmin shqiptar – një “goditje” e parë që e bëri të dashurohej me këtë fushë. Videoja e saj bëri jehonë në shkollë, ku mori vlerësime të larta nga profesorët dhe i hapi dyert drejt një tjetër përvoje unike: pjesëmarrjen në Panairin Botëror të Turizmit ITB në Berlin në vitin 2019 – një “goditje” e dytë e fortë, që i dha Çelestes bindjen se turizmi ishte rruga e saj e ardhshme.

Maturante gjatë kohës së pandemisë, ajo u përball me pasiguri të shumta mbi të ardhmen e turizmit. Megjithatë, përkundër këshillave që e shtynin drejt degëve të tjera më “të sigurta”, ajo vendosi të mos heqë dorë nga pasioni i saj. U regjistrua në Universitetin “Barleti” në programin Bachelor për Menaxhim, Turizëm, Rekreacion dhe Organizim Eventesh. Ishte ndër të paktat që zgjodhi këtë profil në atë periudhë, por vendosmëria për të ndjekur ëndrrën ishte më e fortë se çdo dyshim.

Gjatë viteve të studimeve, ajo jo vetëm që u licensua si guidë turistike kombëtare, por gjithashtu ndërtoi një bazë të qëndrueshme profesionale. Eksperienca më e veçantë gjatë kësaj periudhe ishte shkëmbimi përmes programit Erasmus+ në Cordoba të Spanjës. Aty, në skenën e Pallatit të Kongreseve, ajo pati mundësinë të prezantonte projektin e saj “Explore Albania”, duke ndarë me botën dashurinë për vendin e saj – një “goditje” e tretë, e mbushur me emocione dhe krenari.

Pas kthimit, ajo nisi studimet Master në fushën Ekonomik-Turizëm, ndërsa kërkonte mundësinë e parë për të hyrë profesionalisht në treg. Kjo mundësi erdhi në prill të vitit 2024, kur Çeleste u bë pjesë e Discover Albania, një tour operator që jo vetëm i hapi dyert e para, por e priti si pjesë e një familjeje. Edhe pse e mbushur me pasion, ajo nuk e kishte të lehtë fillimin – sfidat personale dhe profesionale ishin të shumta – por përkushtimi i saj nuk u lëkund asnjëherë.

Një ndër momentet më të veçanta gjatë kësaj eksperience ishte krijimi dhe realizimi i një produkti turistik origjinal – një ëndërr që merrte jetë dhe e mbushte me krenari. Çdo ditë në këtë rrugëtim i ka sjellë rritje, motivim dhe një ndjenjë të thellë përkatësie në një fushë që e do me gjithë zemër.

Sot, Çeleste është pjesë e ekipit të Discover Albania, duke kontribuar aktivisht në zhvillimin e turizmit shqiptar dhe duke ndihmuar edhe të tjerët që, si ajo dikur, ëndërrojnë ta kthejnë pasionin në profesion. Ajo beson se turizmi nuk është thjesht një industri – është një mënyrë për të treguar historinë e një vendi dhe për t’i dhënë zë pasionit të individëve. Dhe rrugëtimi i saj, që ka nisur me një video në një fshat të panjohur, është dëshmi e gjallë e kësaj.

You may also like

Adblock Detected

Please support us by disabling your AdBlocker extension from your browsers for our website.