Në Koman, tashmë natyra ka “5 Stinë”

by Flora Baba

Nëse ndalesh sot në brigjet e liqenit të Komanit dhe vështron resortin “5 Stinët”, do të mendosh se ke përpara një projekt turistik të menduar bukur, të ngritur në një nga peizazhet më të mrekullueshme të Shqipërisë. Dhe kjo është e vërtetë. Por ajo që nuk duket menjëherë është historia e gjatë, puna e palodhur dhe vizioni që qëndron pas këtij emri. Sepse “5 Stinët” nuk lindi një ditë të bukur nga hiçi; është fryt i një rrugëtimi prej me shume se dy dekadash i familjes Marku, një familje e vjetër e fshatit Berishë, që gjithnjë ka ditur ta shndërrojë dashurinë për vendin në mikpritje dhe shërbim për të tjerët.

Fillimi mbi ujë: Trageti “Dragobia”

Historia nisi thjesht, me një mjet modest por me një mision të madh: tragetin “Dragobia”. Për banorët e fshatit, ai ishte lidhja me botën përtej maleve, ura mbi ujin e Drinit që u sillte mundësi e lehtësi. Por shumë shpejt, mbi bord nuk udhëtonin vetëm banorë – filluan të shfaqeshin udhëtarë të huaj, të intriguar nga peizazhet e paprekura, nga kthjelltësia e liqenit dhe madhështia e Alpeve Shqiptare. Ishte aty që u mboll fara e parë e turizmit në këtë anë të Drinit.

Rruga drejt turizmit: “Komani Lake Ferry Berisha”

Me kalimin e viteve, udhëtimi mbi ujë u kthye nga nevojë në përvojë. Familja Marku pa se liqeni nuk ishte thjesht një rrugë, por një atraksion në vetvete. Kështu lindi trageti turistik “Komani Lake Ferry Berisha”, i cili nuk transportonte më thjesht udhëtarë nga një breg në tjetrin, por u ofronte vizitorëve mundësinë të shijonin çdo kthesë të liqenit, çdo kanion të ngushtë e çdo ngjyrë që ndryshon sipas dritës së diellit dhe stinëve, duke u bërë një spektakël i vërtetë i natyrës.

Në atë kohë, turizmi në Koman ishte ende i pakët, pothuajse i panjohur. Por familja Marku hapi dyert e shtëpisë së vet, duke u ofruar udhëtarëve ushqim lokal, një vend për t’u çlodhur dhe, mbi të gjitha, një buzëqeshje të sinqertë që i bënte mysafirët të ndiheshin si miq të vjetër.

Zgjerimi i përvojës: nga kajaku mbi Koman, te Lumi i Shalës

Me kalimin e kohës, vizitorët nisën të kërkojnë më shumë. E familja Marku gjithnjë e gjeti mënyrën për t’i përmbushur dëshirat e tyre. Turet me kajak u bënë një mënyrë e re për ta përjetuar liqenin nga afër, në qetësinë e ujit që thyhet vetëm nga tingulli i lopatës.

Më pas erdhi Lumi i Shalës, i cili me ngjyrën e tij të bruztë tërhoqi gjithnjë e më shumë turistë. Transporti me varka drejt lumit u bë një nga shërbimet më të kërkuara, duke e bërë këtë perlë natyrore të arritshme për këdo që vinte në Koman. Po ashtu, nuk munguan as turet në zonat rreth e qark, ngjitjet në Mollën e Shoshit dhe Blinin e Gurit të Lekës dhe në zona të tjera përreth, duke krijuar një itinerar të plotë për këdo që dëshironte të njihte më shumë nga thesaret e Alpeve.

Një kapitull i ri: anija “DeMar”

Një ndër kulmet e këtij rrugëtimi ishte nisja e anijes turistike “DeMar”. Ajo nuk ishte thjesht një mjet transporti, por një simbol i nivelit të ri të shërbimit: një përvojë më luksoze, më e qetë, e cila rrëshqet mbi ujërat e bruzta të Drinit dhe i lë turistët të mrekullohen nga madhështia e natyrës pa asnjë nxitim. “DeMar” ishte dëshmia se familja Marku jo vetëm që ndiqte ëndrrën, por dinte ta çonte përpara me vizion e ambicie.

5 Stinët”: kur historia bëhet resort

Pas të gjitha këtyre hapave, ishte krejt natyrshme që të lindte edhe një hap tjetër: resorti “5 Stinët”. Ndërtuar buzë liqenit, në fshatin Berishë, ai është sot vendi ku gjithë kjo histori gjen formën e vet më të plotë. “5 Stinët” nuk është vetëm një kompleks me vila komode dhe pamje të mrekullueshme mbi liqen. Është një përmbledhje e gjithë rrugëtimit të një familjeje që për më shumë se 20 vjet ka pritur, e përcjellë, shërbyer e udhëhequr, zbuluar e krijuar përvoja. Çdo dhomë, çdo ballkon, çdo shërbim aty është rezultat i përvojës së mbledhur me vite, i dëshirës për ta bërë turistin të ndihet si në shtëpi, por edhe i krenarisë për ta treguar këtë natyrë të rrallë.

Një trashëgimi mikpritjeje

Sot, kur viziton “5 Stinët”, nuk sheh vetëm një resort modern buzë liqenit të Komanit. Sheh një rrëfim për një familje që e ktheu dashurinë për vendin në një trashëgimi mikpritjeje. Sheh se si nga një traget i vogël lindi një përvojë turistike e plotë, që sot u ofron udhëtarëve nga e gjithë bota mundësinë të përjetojnë Shqipërinë e vërtetë, të pastër e të paprekur.

5 Stinët” është, në fund të fundit, më shumë se një destinacion pushimi. Është një shembull i qartë se si këmbëngulja, dashuria për traditën dhe respekti për natyrën mund të ndërtojnë jo vetëm një biznes, por një urë mes brezave, mes vendasve dhe vizitorëve, mes historisë dhe të ardhmes.

Informacione praktike për vizitorët

Resorti “5 Stinët” është i lehtë për t’u arritur nga disa drejtime. Përveçse me makinë private nga Tirana, Shkodra, aeroporti i Rinasit, Kosova apo edhe nga Valbona, vizitorët mund të shfrytëzojnë edhe transportin tokësor të ofruar nga vetë resorti, që e bën udhëtimin më të thjeshtë për ata që nuk udhëtojnë me automjet.

Një tjetër lehtësi është se biletat e tragetit vajtje-ardhje, si nga Fierza ashtu edhe nga Komani, janë të përfshira në çmimin e akomodimit. Për më tepër, për mysafirët e hotelit dhe vilave, një shëtitje me kajak kushton vetëm 10 € për person – shumë më pak se çmimi i zakonshëm prej 25 € që paguhet nga vizitorët e xhirove ditore.

Nga vetë resorti “5 Stinët”, udhëtarët mund të organizojnë edhe një vizitë të paharrueshme në Lumin e Shalës për vetëm 10 € për person, duke e bërë përvojën e qëndrimit edhe më të pasur e të larmishme.

You may also like

Adblock Detected

Please support us by disabling your AdBlocker extension from your browsers for our website.