Morava – mjalti që po pushton territore, triumf familjar – sukses kombëtar

by Flora Baba

Ka histori suksesi që lindin nga pasioni, dhe ka pasione që trashëgojnë histori. “Mjalti Morava” është padyshim një nga ato. Ajo nisi si një sipërmarje e vogël familjare me gjyshin, dhe sot, pas 50 vitesh punë e dashuri për bletën, është kthyer në një emër simbol për cilësinë e mjaltit shqiptar dhe agroturizmin elitar në vend.

E filluar si biznes nga Gëzim Skermo, sot i drejtuar dhe menaxhuar nga trashëgimtari, Eugen Skërmo, “Ferma Morava” njeh të tjera nivele të vendit që zë në treg.`

I nisur si një histori mbijetese, tashmë është histori suksesi.  “Kjo nuk ka nisur si biznes, por si një mjet jetese. Babai im, pas privatizimit të sistemit, bleu parqet e bletëve dhe nisi prodhimin me 30 koshere. Ishte një përpjekje për të ushqyer familjen”, – tregon Eugeni për mediat.

Por ajo që nisi si detyrim, u kthye në pasion dhe mision. Mjalti u bë krenari familjare dhe “Morava” u rrit duke ndjekur jo modat, por cilësinë. Çdo hap u ndërthur me kujdesin dhe ndjeshmërinë  për natyrën, bletën dhe konsumatorin.

Çelësi i suksesit? Sinqeriteti ndaj produktit dhe blerësit. Edhe pse kompania ka kaluar nëpër periudha të ndryshme zhvillimi, një gjë ka mbetur e pandryshuar: cilësia e lartë e mjaltit. “Ne nuk bëjmë kompromis me cilësinë. Më mirë të jemi pak më të shtrenjtë, por të japim më të mirën.”

Aktualisht kompania ka mbi 400 koshere dhe grumbullon mjaltë cilësor nga fermerë të ndryshëm në të gjithë Shqipërinë. Prodhimi ynë vetjak nuk mjafton për tregun që kemi krijuar, por  “Mjalti Morava” është i vetmi brand shqiptar që eksporton mjaltë në SHBA, Kinë, Japoni, Angli dhe vende të tjera prej më shumë se 15 vjetësh.

Por suksesi nuk ka ardhur vetëm nga prodhimi dhe eksporti. Kompania ka investuar edhe në teknologji moderne dhe laborator të brendshëm, ku mjalti analizohen sipas standardeve të Bashkimit Europian. Kjo garanton cilësinë, trasparencën dhe sigurinë ushqimore për konsumatorin.

Një aspekt gjithmonë e më i veçantë i “Mjaltit Morava” është zhvillimi si destinacion agroturistik. Vizitorët, që fillimisht mendojnë të ndalojnë vetëm për pak minuta, shpesh qëndrojnë mbi dy orë duke eksploruar gjithçka, nga historia, procesi i prodhimit, ambalazhimi, ekspozitat me fotografi e deri tek degustimi i produkteve.

“Ferma Morava” regjistron një numër të madhe vizitorësh. Por kjo nuk është vetëm një medalje. Medaljet e arta për cilësi janë fituar në Serbi dhe Greqi.

Ambiciet nuk ndalen. Plani afatshkurtër? Zgjerimi i ofertës dhe mbulimi i tregut vendas me produkte cilësore. Plani afatgjatë? Licensimi i mjaltit shqiptar për tregun e BE-së. “Kemi gjithçka që duhet: klimën, florën e egër, bletarë të përkushtuar, vetëm duhet mundësia për të hyrë zyrtarisht në tregun europian”.

“Mjalti Morava” nuk është vetëm histori familjare. Është histori suksesi shqiptare. Një model se si trashëgimia, pasioni dhe puna e ndërthurur me vizion mund të krijojnë diçka që jo vetëm reziston në kohë, por lulëzon dhe frymëzon breza të tërë.

Adresa: Korçë, Albania
www.morava.al

You may also like

Adblock Detected

Please support us by disabling your AdBlocker extension from your browsers for our website.