Gerta Bilali

Herë pas here ndaj nga udhëtimet e mia, jo listime turistike, por copëza përjetimesh personale. Për mua, udhëtimet janë aventura të vogla ku kërkoj gjithmonë pozitivitetin dhe shmang kritikat. Kësaj radhe, një javë gushti vendosëm ta kalonim në Lukovë, jo sepse është “trend”, por sepse kishim nevojë për qetësi.
Lukova nuk është destinacion që e sheh shpesh në reels apo në videot e influencerëve. Nuk ka jetë nate, as luks që të tundon për foto “instagrami”. Por është e bukur në thjeshtësinë e saj, si një vajzë “ujë e sapun”, që të fiton zemrën pa shumë përpjekje.
Zgjodhëm të qëndronim te Xuxi Apartaments, një apartament familjar në hyrje të fshatit. Që në momentin e parë na pritën me një mikpritje tipike shqiptare: fiq të zinj e të bardhë nga baçja, raki shtëpie dhe reçel ftoi. Dhomat të thjeshta, por të pastra, çarçafët me aromë lulesh. Nga ballkoni, deti dukej si një pikturë në nuanca blu që ndryshonin gjatë ditës, dhe mbrëmjeve dëgjohej vetëm cicërima e zogjve dhe kënga e gjinkallave.
Çdo ditë ndërronim vend për të bërë plazh. Plazhi i Shpellës së Lukovës ishte më i frekuentuari, me operatorë turistikë dhe hapësirë publike. Shezlongët kushtonin zakonisht 1000 lek, por në një resort të ri çmimi shkonte deri në 3000 lek. Ne zgjodhëm opsionin më ekonomik për shezlongët, ndërsa drekonim te resorti i ri me kuzhinë të hapur, staf kryesisht filipinas dhe shërbim europian.

Përveç picerive dhe restoranteve modeste, zemrën ma fitoi taverna “Dashi”, një vend me stil spartan mes gjelbërimit, ku shërbenin midhje në formë shishqebapi të pjekura në zgarë, kallamar të mbushur dhe karkaleca të pjekur në qymyr… më të mirët që kam provuar ndonjëherë.

Një tjetër perlë ishte Plazhi i Lumrës, i egër dhe i paprekur, me ujë kristal që të ftonte të zhyteshe që nga momenti i parë. Rruga për atje nuk ishte aspak e lehtë; gjarpëronte mes kodrave me pluhur dhe gurë, dhe të bënte të mendoje dy herë para se të niseshe. Por sapo mbërrije, çdo lodhje e rrugës harrohej. Plazhi shtrihej i qetë, me pak shezlongë dhe më shumë çadra të improvizuara, ku turistë me rulota e adhurues të kampingut kishin krijuar një atmosferë të lirë e miqësore. Ishte një vend që nuk të ofronte luks, por të dhuronte atë ndjenjë të pastër lirie, ku koha dukej se ndalej.
Lukova është për ata që kërkojnë qetësi, ajër të pasur me jod, kaltërsi pa filtrin e “Instagram”-it dhe buzëqeshje të çiltra, me çmime ende të arsyeshme. Jo për ata që kërkojnë jetë nate dhe check-in në vende luksoze.
Sigurisht, nuk mund të them se në pak ditë e njoha të gjithë Lukovën, e aq më pak plazhet e fshehura që kërkojnë mjete lundruese për t’i zbuluar. Por kur u kthyem, mora me vete diçka më të vlefshme se çdo listë vendesh për t’u vizituar: qetësinë e një apartamenti të thjeshtë e mikpritës, shijen e frutave nga baçja, aromën e detit dhe atë murmurimë të butë të dallgëve që të kujton se ndonjëherë lumturia gjendet pikërisht tek gjërat e thjeshta.



