Ilir Çopja
Njësia administrative Tregan, pjesë e Bashkisë Elbasan, njohur ndryshe si Llixhat e Elbasanit mirëpret çdo vit vizitorë nga e gjithë Shqipëria dhe rajoni. Llixhat e Elbasanit janë burime të njohura dhe të përdorura që nga koha e periudhës romake. Ato përmbajnë ujëra sulfurore shumë të nxehta, të cilat krijohen në thellësi rreth 13000 metra nga sipërfaqja e tokës, në presion dhe temperatura të larta, si rezultat i bashkimit të oksigjenit me hidrogjenin dhe lëndë të tjera kimike.
Analizat e ujërave të këtyre burimeve janë kryer në mënyrë të specializuar nga ana e inxhinierëve çekë, të cilët kanë evidentuar vlera të larta terapeutike. Këtu trajtohen sëmundje të shumta të reumatizmës, rrugëve të frymëmarrjes, tensionit, të lëkurës etj. Llixhat e Elbasanit kanë edhe vlera kozmetike gjithashtu.

Turizmi në llixhat e Elbasanit është në rritje të vazhdueshme, duke tërhequr mijëra vizitorë çdo vit, kryesisht për efektet kurative të ujërave termale.
Pse turistët zgjedhin Llixhat e Elbasanit?
Pozicioni gjeografik, rreth 12 km larg qytetit të Elbasanit i bën lehtësisht të arritshme nga të gjitha trevat shqiptare. Turizmi kurativ në Llixhat e Elbasanit karakterizohet nga sezonaliteti. Periudha më e frekuentuar është nga prilli deri në shtator, kur numri i vizitorëve arrin deri në 10 mijë persona. Shumica e vizitorëve janë pensionistë që kërkojnë trajtime natyrale për shëndetin. Përveç shqiptarëve vendas, llixhat tërheqin edhe vizitorë nga Kosova, Maqedonia e Veriut dhe Mali i Zi, duke e bërë zonën një pikë të njohur rajonale.

Një arsye tjetër përse preferohen nga turistët lidhet edhe me infrastrukturën. Zona e Llixhave ka hotele të thjeshta, të përshtatura për vizitorët që qëndrojnë disa ditë për trajtime. Vitet e fundit janë ndërtuar edhe hotele më të mëdha për të përballuar turizmin masiv gjatë periudhës së pranverës dhe të vjeshtës. Këto hotele ofrojnë nivele të larta akomodimi, shërbimi dhe kujdesi shëndetësor për turistët. Kostot e shërbimeve janë relativisht të ulëta, gjë që e bën destinacionin tërheqës për vizitorë me buxhet modest.
Si pritet e ardhmja e kësaj zone dhe çfarë potenciali të pashfrytëzuar ofron?
Numri i vizitorëve është në rritje: mbi 7 mijë persona në vit sipas të dhënave të fundit. Llixhat e Elbasanit kanë potencial për zhvillim më të madh nëse investohet në modernizimin e infrastrukturës dhe promovimin e turizmit shëndetësor.
Njësitë e para akomoduese lindën thuajse një shekull më parë ku hoteli i parë sipas standarteve të kohës ka qenë i familjes Nosi, firmëtarit të deklaratës së Pavarësisë së Shqipërisë dhe ministrit të parë të postë telegrafit, Lef Nosi. Edhe sot hoteli është në qendër të vendit dhe ka shërbyer si model për investimet e bëra pas viteve 90’.

Rritja e kapaciteteve akomoduese dhe përmirësimi i infrastrukturës ka sjellë rritjen e përmendur më sipër të numrit të turistëve por shifrat janë ende larg mundësive reale. Turizmi kurativ në Shqipëri zë një peshë të papërfillshme, afro 0,1% të numrit të përgjithshëm të turistëve që vizitojnë në vit vendin tonë. Shkaku kryesor është mosreklamimi i mjaftueshëm dhe mungesa e aktiviteteve plotësuese.
Llixhat e Elbasanit kanë potencialin për të qenë lokomotiva trajnuese e zhvillimit të turizmit kurativ në Shqipëri. Pozicioni gjeografik dhe tradita tashmë e konsoliduar është një bazë e mirë për të kaluar në një stad më të lartë dhe për të konkuruar në rajon jo vetëm me cmime më të lira por me eksperiencën e ofruar. Për të arritur në këtë nivel nuk mjaftojnë vetëm ujrat termale dhe banjot me baltë kurative, duhet diçka më shumë.
Turisti që zgjedh të vijë në llixha do të qëndrojë disa ditë aty dhe nuk mund të kalojë gjithë periudhën e qëndrimit vetëm në shërbimin kurativ, vaktet e ngrënies dhe pushimin. Për të rritur numrin e turistëve, diversifikuar origjinën e tyre dhe rritjen e nivelit të turizmit ka nevojë për një veprim të koordinuar. Njësoj siç është reklamuar turizmi bregdetar si nga kanalet zyrtare, ministritë e linjës, agjensitë, pushteti vendor dhe operatorët turistikë, e njëjta gjë duhet bërë edhe me turizmin kurativ në përgjithësi dhe Llixhat e Elbasanit në veçanti.
Një bashkërendim dhe promovim i ndërthurur së pari do sillte një trajtim më profesional të ofertës turistike edhe në gjuhë të huaja çka do sillte bashkëpunime me operatorë turistikë të huaj dhe uljen e peshës së turistëve shqipfolës. Ky hap do të nxiste operatorët privatë të zonës të rritnin cilësinë e shërbimit dhe stafit për të bërë të mundur rritjen e standartit për turistë jo shqipfolës të ardhur kryesisht nga vende larg rajonit.
Po si mund të afrohen këta turistë?

Normalisht nuk mund të afrohen ky tip turistësh në rast se nuk ofrohen shërbime plotësuese. Afërsia me disa pika turistike do bënte të mundur që gjatë kohës së lirë turistët të vizitonin këto destinacione. Qendra më e afërt e madhe është qyteti i Elbasanit i cili ofron turizmin qytetar, kulturor dhe historik. Menaxhimi i destinacionit përmes vizitave të organizuara gjatë ditëve të qëndrimit do ta bënte më të bukur dhe më të larmishëm qëndrimin. Njëjtë siç ndodh sot me turizmin dentar dhe atë estetik në përgjithësi. Destinacion tjetër që mund të vizitohet është qyteti i Belshit, vetëm tridhjetë minuta larg. Kryeqyteti i Shqipërisë së ardhshme sipas shkrimtarit të madh shqiptar Sami Frashëri, është një mundësi shumë e mirë për të kaluar pasditen buzë liqenit sidomos në ditët e nxehta të verës.
Një tjetër shërbim i domosdoshëm për të rritur turizmin në Llixhat e Elbasanit është edhe ofrimi paketave të kompletuara me guidë përgjatë gjithë qëndrimit të turistit, duke përfshirë transfertën nga aeroporti apo porti. Kjo nuk mund të realizohet pa një bashkëpunim mes strukturave akomoduese dhe operatorëve turistikë, Mbërritja e turistit në llixha është vetëm rezultati final i një procesi zinxhir që nga krijimi i paketave turistike, reklamimi, nënshkrimi i kontratave të bashkëpunimit me operatorë të huaj, shërbimi i klientit, pritja në pikat e hyrjes, shoqërimi dhe akomodimi në strukturën e përzgjedhur. Përgjatë qëndrimit të tij turisti ka nevojë për shërbim 360 gradë çka sjell përfitime më të mëdha jo vetëm për strukturat akomoduese por edhe për operatorët turistikë, atraksionet turistike, njësitë e shërbimit, etj.

Me pak fjalë: llixhat e Elbasanit janë një destinacion i konsoliduar për turizmin kurativ, që kombinon traditën e trajtimeve natyrale me përballueshmërinë dhe afërsinë kulturore. Pra, Llixhat e Elbasanit janë një pikë e fortë për turizmin shëndetësor në Shqipëri, me potencial të madh për t’u zhvilluar edhe më tej. Bashkëpunimi, koordinimi dhe shfrytëzimi i eksperiencave pozitive në rajon dhe më gjerë janë çelësi për një turizëm shëndetësor gjithëvjetor dhe të diversifikuar.



