
Është e habitshme sesi sa herë që planifikojmë të nisemi për në Krujë (miqtë tanë të bizneseve turistike kanë vazhdimisht nevojë për produkte, për shkak të fluksit të madh të turistëve), bën gjithmonë kohë e bukur. Ndoshta sepse edhe vetë Zoti e natyra, ka dëshirë që ta shijojmë plotësisht qoftë pamjen e mbledhur të Krujës, strukur në gji të Malit të Skënderbeut, nga poshtë rrugës automobilistike, derisa arrijmë në Fushë-Krujë, qoftë atë rrugën e mrekullueshme me pisha që gjarpëron përgjatë malit, derisa hyn në portat e Krujës. Vetëm se, pa shumë iluzione për mrekullira tashmë, qyshkurse gomat e makinave djegin zjarre të zinj për të shuar gëlqere të bardhë, e qyshkurse fabrikat zinxhir të çimentos, pluhurosin rrugët e Krujës, për të shkëlqyer e lëmuar oborret dhe trotuaret e metropoleve të botës. Është mëkat i madh në fakt, masakrimi total i peisazhit të mrekullueshëm, që dikur të rrëmbente, edhe tej, larg, ndërkaq që makina kalonte mbi urën e Tapizës, vazhdoje përgjatë rrugës së Nikëlit – tanimë e mbjellë me dyqane mobiljesh – e derisa kaloje Fushëkrujën e hyje në zonën që i përket Mamurrasit.
Tek portat e Krujës



