Fisnik Qosja: kur të vini me pushime në bregdet, mos harroni të vizitoni edhe Kavajën.

by Flora Baba

Flora Xhemani Baba

Një bisedë e lirshme dhe miqësore për Kavajën me kryetarin e bashkisë Fisnik Qosja, në programin më të ri për turizmin ‘In the FLOË – talks by Travel Magazine”, ku folëm pa dorashka për sfidat, problemet, resurset, mundësitë e humbura dhe ato që duhen kapur fort për të çuar më përpara këtë qytet me histori, identitet dhe potencial turistik të jashtëzakonshëm. Nga bregdeti në kodra, nga infrastruktura në agroturizëm, nga pastërtia në ekonominë lokale – përmes kësaj interviste u përpoqëm të prekim gjithçka që lidhet me të sotmen dhe të ardhmen e Kavajës, në një qasje pozitive drejt potencialit të saj turistik.

Mirë se të gjej në shtëpinë tënde dhe mirë se vij në shtëpinë time.

Faleminderit dhe mirë se erdhe!

Do të të kërkoj së pari që ta zhvillojmë bisedën me “ti”, për t’u relaksuar dhe për t’u liruar pak nga etiketa.

Absolutish po, je e mirëpritur

Përpara se t’i futemi me kokë problemeve, dua të më thuash me zemër në dorë: me çfarë krenohet Kavaja në turizëm?

Kavaja ka goxha resurse për t’u krenuar në turizëm dhe çfarë i ka falur Zoti është padyshim një krenari. Kemi detin, kodrat e mrekullueshme, lokacione me vlerë si kisha e Shënepremtes, Kulla e Sahatit, portikët e Xhamisë, Muzeu Etnografik, Ura e Bukaqit, Kriporja etj. Por një nga krenaritë më të mëdha që kemi, e ligjshme dhe e merituar, është mikpritja e qytetarëve të Kavajës – njerëz punëtorë, të thjeshtë, që e duan vendin e tyre. Ky emocion dhe kjo mikpritje janë të rralla. Besoj se të gjithë e thonë për qytetin e tyre, por për mua është e ligjshme ta them për qytetin tim, për Kavajën tonë të dashur.

Cilat janë problematikat ose sfidat më të mëdha që po kalon sot Kavaja si bashki në lidhje me turizmin dhe pse nuk po zgjidhen ato?

Kam hasur vështirësi që ditën e parë që kam marrë detyrën dhe vazhdoj t’i has edhe sot. Problemi kryesor është pastërtia e mjedisit. Edhe pse firma nënkontraktuese është private dhe ne jemi brenda të gjitha rregullave me marrëveshjet që kemi bërë, nuk mjafton kjo e dashamirësia e qytetarëve. Duhet që përveç ndërgjegjësimit, edhe secili të bëjë detyrën e tij në çdo hallkë, që nga i pari, deri tek i fundit. Pastërtia e mjedisit dhe menaxhimi i mbetjeve, vazhdon të jetë njësfidë e madhe.

Një tjetër problem është infrastruktura – mungon një infrastrukturë e mirë në zonat turistike si Golemi, Mali i Robit, Qerreti, Karpeni, që lidhen me qytetin e Kavajës. Nuk kemi një urë që lidh qendrën me bregdetin. Edhe ujërat e zeza mbeten problem – është një investim që duhet ta bëjë qeveria, jo bashkia, për shkak të kapaciteteve. Ujërat e bardha janë të mbuluara pjesërisht, por po mundohemi ditë pas dite t’i kanalizojmë siç duhet.

Siç e theksove edhe vetë, qyteti nuk është i lidhur me bregdetin përmes infrastrukturës dhe kjo e pengon qytetin që të përfitojë të ardhura dhe vizitorë nga fluksi i lartë në bregdet.
Çfarë do të bësh ti për të bërë të mundur që turistët e bregdetit të vizitojnë qytetin dhe sidomos Muzeun Etnografik?

Kemi marrë disa masa, ndonëse jo aty ku duhet. Transporti publik nuk është në nivelet e duhura. E pranoj që nuk kemi bërë sa duhet në këtë drejtim, jo vetëm në vendopsjen e një linje transporti por edhe në rregullimin e infrastrukturës së përshtatshme për këtë linjë.

Megjithatë, rruga e re që do të ndërtohet nga qendra deri te Muzeu – një rrugë këmbësore me standardet më të larta europiane – mund të jetë një ogur i mirë që të shtyjmë edhe investimet në transportin public, për të menaxhuar fluksin që pritet të vijë pas ndërtimit të kësaj rruge. Madje edhe kjo intervistë që po bëjmë, është një ogur i mirë dhe shpresojmë t`I nxisë vizitorët t`I kthejnë sytë nga Kavaja.

Aktualisht bregdeti, Plazhi i Golemit dhe Malit të Robit, është një prej segmenteve që gjeneron të ardhura jo të pakta  në ekonomi nga turizmi, nëpërmjet shumë resorteve luksoze e me standarte të larta, që ofrojnë turizëm familjar. A mund t`I përmendim disa nga resortet dhe hotelet me standarde të larta në bregdetin e Kavajës?

Po e filloj nga “perla e Shqipërisë”, Plazhi i Gjeneralit, ku edhe resorti që ndodhet atje është plotësisht në harmoni me mjedisin. Pastaj në Karpen kemi Kampingun pa Emër, vilat Barbaut, hotel Emara, Lotusin. Në Qerret është Brilanti, Glorias, Supreme, Bounty që është i ri, Comfort-i. Pastaj vijmë në Malin e Robit ku kemi Klajdin, Fafa Premium, Prestige, Monaco, Skënderbeu, Elesio, Eteri, Pishat e Buta, Pinea, Grinti. Me Amelia Mare futemi në Golem ku janë Malvina, të gjitha resortet Fafa, Porta Cavalia, V&M Resort, Bonita, etj. Këto kanë sjellë një risi jo vetëm në bregdetin e Kavajës por edhe në ekonominë e qytetit dhe të Shqipërisë.

Sa e lidhur është ekonomia e bregut me ekonominë e qytetit?

Shumë e lidhur. Kavaja, edhe sot që flasim, mbahet me taksat e Golemit sepse në qytet nuk ka shumë aktivitet ekonomik. Ka disa biznese të mëdha, për të cilat jemi krenarë: Kazazi, Chicken Farm, si dhe punishte për përpunimin e qumështit si Mireli, Lushkja, Mihani etj., – të gjitha biznese lokale. Bizneset në vijën bregdetare janë motori i ekonomisë së Kavajës, dhe gjej rastin t’i falënderoj.

Në gjykimin tënd personal, duhet të bëhen më shumë ndërtime në bregdet? A nuk është bregdeti i ngopur me ndërtime?

Ka ende vend për të ndërtuar. Fakti që ka një shitje të jashtëzakonshme, tregon se ka interes. Në Kavajë po vijnë të blejnë hungarezët, polakët, çekët…

Nuk të vjen keq që po e blejnë ata dhe po i ikën nga dora Kavajës?

Ekonomisë së Kavajës do t’i qëndrojë gjithsesi, dhe do të zhvillohet. Edhe nga Kavaja kanë blerë në Itali, Austri, Gjermani. Kështu është jeta.

Çfarë ka Kavaja si qytet që mund të jenë resurse të vogla ekonomike që mund t’i japin frymë turistike zonës përreth por edhe qytetit?

Ka nevojë për një projekt të madh që të krijojë një ofertë turistike të konsoliduar. Kam pasur kontakte me disa arkitektë të huaj dhe do të ndërtojmë disa pika me lagje dhe shtëpi të vjetra të qytetit. Për shembull, shtëpia e Aleksandër Moisiut, e cila do të kthehet në pikë turistike, por ka nevojë për rikonstruksion. Më shumë se gjysma e saj ka mbijetuar. Ka edhe shumë shtëpi dhe lokacione të tjera që janë vlerë për qytetin, por kërkojnë promovim dhe përkujdesje për të mos u zhdukur. Ka emra që duhen nxjerrë në dritë për vlerat që kanë, si për shëmbull Kristina Koljaka, si skulptorja e parë shqiptare, Parashqevi Simaku si vajza e Kavajës e plot emra të tjerë me të cilët mund të tërhiqen vizitorët drejt qytetit.

Duhet dhe do të ndërtojmë një drejtori vetëm për turizmin si një degë e rëndësishsme e qytetit, zyrat e informacionit turistik ku të jepet informacion për viztorët që nuk e njohin zonën dhe resurset e saj, duhet kjo që po bëjmë, një diskutim dhe nxjerrje në pah e këtyre vlerave dhe t`ia tregojmë ato vizitorëve.

Të ndalojmë pak te agroturizmi, që po kthehet në një nga armët më të fuqishme për shumë zona rurale të Shqipërisë. Po Kavaja ku është në këtë drejtim?

Kavajën e ka bekuar Zoti – përveç bregdetit, kemi kodra të jashtëzakonshme, me pamje fantastike, të veshura me ullinj, me pemë, një reliev vërtet i bukur, si një Toskanë shqiptare. Para pak ditësh bëmë rrugën nga qendra e Golemit deri në Seferaj, Golemaj. Rrugë fantastike, me pamje të mrekullueshme. Gjatë saj ndodhet bujtina “Ajazi”, shumë e bukur. Në Çetë është “Hani i Çetës”, nga Familja Skuqi, pionieri i agroturizmit në Kavajë, me një pamje fantastike. Më pas, një agroturizëm i ri nga familja Çelhaka, që quhet “N`Kodër” – një super investim dhe ai, me pamje të jashtëzakonshme të qytetit dhe bregdetit. E kemi nisur me 3-4 bujtina, por nuk do të ndalemi pasi ka interes.

Kemi resurse të tjera natyrore e historike, gjithë kodrat me ullinj shekullorë, mbetjet arkeologjike në Zigxhafaj, Minierat e Gipsit në Mengaj, Gurët në rrjesht në Cikallesh, Pyllin e Bedenit, shumë interesant për piknik dhe ecje në natyrë, kemi shumë, duhet vetëm të angazhohemi për të sjellë vizitorin më pranë tyre.

Përsa i përket kulinarisë si aspekt shumë i rëndësishëm i agroturizmit, Kavaja ka një kuzhinë të jashtëzakonshme. Kudo që të hash – qofte, byrek me dhallë, paçe, pilaf – çdo gjë ka shije të veçantë. Kavajsit i hahet buka, siç themi ne kavajsit.

Përveç kuzhinës së vogël lokale që ka, Kavaja ofron edhe kuzhinë të nivelit të lartë. Për shembull është “Fiore”, “Gazi”, “Flori”, “Poçeria e Vjetër”, që është destinacion në vetvete. Agroturizmi “Xhovani” që ia vlen për t’u vizituar në Kavajë, si dhe Kantina “Belba” e shumë të tjera.

Unë shpresoj që rreth këtyre subjekteve dhe pikave të interesit, të mund të merren më shumë informacione në Zyrën e Informacionit Turistik të Bashkisë, që na keni dhënë fjalën se do vendoset edhe në qendër të qytetit.

Patjetër që po. Për Kavajën të flasësh 20 orë nuk mjaftojnë e jo këto 20 minuta që kemi në dispozicion. Nuk kemi folur për trashëgiminë e saj materiale e shpirtëtore siç janë zejet, punimet e dorës, këngët, vallet. Kemi një muzikë popullore qytetare të kultivuar, shumë të bukur me Grupin e Burrave, që është shumë aktiv.  Në qytet ka profesionistë të shkëlqyer “zanatçinjtë” dmth, poçarët, bakërpunuesit, gratë që punojnë qilimat e vjetër, familjet rome në hyrje të qytetit që punojnë kazanët e rakisë, unikë në të gjithë Shqipërinë, zejtarë të vjetër që ende punojnë dhe mbajnë gjallë traditën.

Për fat të mirë, Kavaja po i ruan ende këto. Duhet vetëm të rigjallojmë Pazarin këtu pranë Kullës së Sahatit dhe të bëjmë që turistët kur të vijnë, të shohin trashëgiminë tonë lokale dhe vlerat e jashtëzakonshme të qytetit tonë.

Prandaj ju ftoj të gjithëve ju, që kur vini me pushime në bregdet, mos harroni të vizitoni edhe Kavajën.

You may also like

Adblock Detected

Please support us by disabling your AdBlocker extension from your browsers for our website.