Nga Elena Mullaraj
Outdoor
TIRANA QË NUK NJOHIM E NUK SHFRYTËZOJMË
Zonat rreth e qark Tiranës janë shpesh të parrahura nga banorët e saj, të vjetër e të rinj dhe kësisoj pakkush e di se çfarë fshehin. Relievet kodrinore, bimësia e gjelbër në çdo stinë, zbukurimi i peisazhit me garniturë liqenesh të vogla që dikur shërbenin si rezervuare, krijon klimën ideale për piknikë në natyrë. Dhe, si gjithmonë, ata që i shijojnë para nesh, janë të huajt. Këto janë vetëm disa foto të marra në Liqenin e Purrezit në zonën e Kasharit, vetëm pak kilometra larg Tiranës, ku sapo ka lindur bërthama e një kampingu të ardhshëm. Sa prej jush e njohin këtë zonë?
Ndoshta do ta kishim shtyrë për në numrat e ardhshëm, sikur të mos kishim takuar Bashkimin, mikun e madh të turistëve të huaj, që nëpërmjet tij kanë shtatë vjet që njohin Shqipërinë turistike, përmes fjalës dhe veprës së bukur. Duke patur një përvojë shumëvjeçare në Itali në fushën e turizmit e duke menduar pse jo, edhe në Shqipëri mund të bëhej kjo, ai u kthye në vendlindje shtatë vjet të shkuar dhe filloi të priste grupet e para.
Bashkimi është djalë i zonës dhe kur flet për Bashkimin, është e pamundur të mos flasësh për Kasharin dhe anasjelltas. Aq shumë ka invesuar në vendin e tij të lindjes me punë të vogla e të mëdha saqë banorët e të gjitha fshatrave përreth, e kanë të vështirë të mos flasin për të, sa herë që kalojnë në rrugët-shtigje që janë hapur prej tij, në pusin e madh të përbashkët që i jep ujë gjithë zonës e që ishte nismë e tij, apo së fundi në nxjerrjen e asaj pjese të bukur të Tiranës nga anonimati, tani së fundi që ka vendosur të ngrejë një strukturë kampingu për të pritur të huajt e shumtë që prej vitesh tashmë i kërkojnë një hotel të mirë në Tiranë, ndërkohëë që do të zhvillojnë turet e tyre nëpër Shqipëri, të shoqëruar prej tij.
Teksa na tregon hapësirën ku në verë rrinë kamperat ose rulotat e të huajve, që si për herë të parë ishin befasisht shumë, ai na qeras me rakinë e re direkt nga balli kazanit, që i ati po zien ato ditë. Pastaj na tregon biçikletat që i përdor për turet e gjata nëpër Shqipëri. Në muret e magazinës dhe jashtë saj janë varur të thahen gjethet e duhanit. Miqëtë huaj mrekullohen kur shohin gjethet, duan t`i presin vetë me nge e hollë-hollë, pastaj ta dredhin nga një cigare të trashë që u shijon më shumë se çdo puro në botë. Jeta këtu është kaq e thjeshtë dhe e bukur, si në gjenezë, thonë ata, të etur tashmë për këtë lloj përvoje e të “dënuar” në njëfarë mënyre prej globalizmit të pamëshirshëm që po gllabëron gjithçka. Ruajini këto gjëra, mos u industrializoni. Kanë shumë vlerë.
Vreshtat në kodrën e shkallëzuar ngjiten deri lart, ku ai ka ndërtuar një verandë të thjeshtë prej druri. Prej aty pamja e liqenit është mahnitëse, ngjan me një liqen të vogël alpin, prej rreshtit të selvive që nga larg duken si bredha.

Bëj kompromis. Këtë herë do të vizitoj pjesën veriore të Parkut. Marrim rrugën në Verilindje të qytetit të Librazhdit, rrugë e ndërtuar 80 vite më parë nga Mbreti Zog për të lidhur zonën me Dibrën. E rikonstruktuar vitet e fundit, edhe pse nuk ka përfunduar deri në segmentin e fundit të saj, rruga është e kalueshme edhe nga makinat e ulëta deri në Fushë-Studen.
Në hyrje të Parkut një tabelë e madhe të uron mirëseardhjen dhe tregon drejtimet që duhet të ndjekësh. Fatmiri, drejtori i institucionit përgjegjës për menaxhimin e Parkut, tregon me mburrje se edhe pse struktura që ai drejton ka vetëm dy vjet që është ngritur, ia ka dalë që, në bashkëpunim me grupet e të rinjve vullnetarë që janë ngritur në shkollat e rrethit, të plotësojë me sinjalistikë horizontale dhe vertikale çdo cep të Parkut. Jo vetëm tabelat buzë rrugëve, por çdo gur dhe dru është kthyer në sinjalistikë që të ndihmon të ndjekësh cilindo intinerar që dëshiron brenda Parkut.
Albert Kaleci, mësuesi i shkollës së vetme të fshatit me 70 nxënës e katër mësues, ka disa vite që bën guidën në Park. Ka ndjekur disa trajnime dhe para disa muajsh është liçensuar edhe nga Ministria e Ekonomisë si guidë lokale. Edhe pse e njeh zonën me pëllëmbë, Berti është gjithmonë të kërkim të zbulimeve të reja. “Një javë më parë zbulova një shpellë të re”, tregon.
Një tjetër ditë, një tjetër intinerar.
Rruga që të çon në Fushë-Studen gjarpëron shpateve, duke të ofruar një panoramë mbresëlënëse me maja të buta kodrash, të cilat ndërthuren me njëra tjetrën si valë deti, që shfaqen dhe zhduken pas çdo kthese. Ndalojmë në fshatin Llangë, ku një grumbull shtëpish tri-katër katëshe prej guri, të tipit kullë, me një dyzinë frëngjish të vogla në vend të dritareve, të përshëndesin nga faqja e kodrës. Përkundruall fshatit, në krahun tjetër të rrugës,një tabelë tregon shtegun për në shpellën e famshme tëKoshorishtit. Zbresim nga makina dhe ndjekim shtegun që pas disa minutash na zbret poshtë nëFushëne Letmit. Tridhjetë minuta më pas ndodhemi në hyrje të Shpellës së Akullit, gryka e të cilës duket si hyrja e një bunkeri të anuar djathtas. Hyrja në shpellë të jep ndjesinë e hyrjes në një frigorifer të madh katror që nuk i duket fundi. Konkrecionet e stalaktiteve dhe stalagmiteve janë të jashtëzakonshme, ndërsa gjithçka është e veshur nga akulli.
Destinacioni i radhës është Monumenti i Kulturës së Kategorisë së Parë, Shpella kishë e Koshorishtit, që ndodhet në mes të një shkëmbi, në faqen jugore të Malit të Letmit. Ngjitja për në grykën e shpellës, 300 m nëpër shkëmbin e thepisur,është një sfidë e vërtetë. Pasi kalon hyrjen rrethore të shpellës gjendesh në një si dhomë me përmasa normale. Ngremë kokën nga tavani për të soditur atë që e ka bërë të famshme shpellën: dy piktura rrethore që ngjajnë si medalione gjigandë, kornizuar me shirita të kuq të varur tek njëri-tjetri, paraqesin skena të njohura nga Bibla. Në rrethin e vogël që ndodhet më lart paraqitet figura e Krishtit, ndërsa në tjetrin, me përmasa thuajse sa dyfishi i të parit, dallohet Shën Mëria me Krishtin fëmijë. Ajo që të lë pa fjalë është se pothuaj edhe pas 1500 vjetësh nga krijimi i pikturave, ngjyrat janë po aq të plota si të ishin hedhur dje. E arta, e kaltra dhe e kuqja e pikturave shkrihen në mënyrë organike me nuancat që merr brendia e shpellës-kishë. Poshtë “medalioneve biblike” ndodhet një pikturë me 8 figura njerëzore, që të vret sytë teksa dallon që dëmtimet që ia ka kursyer koha, nuk ia kanë kursyer vizitorët e papërgjegjshëm, të cilët kanë zhgarravitur emrat e tyre.
Parku Shebenik-Jabllanicë ofron jo vetëm bukuri natyrore për t’u vizituar. Të apasionuarit pas sporteve të ndryshme gjejnë këtu vendin ideal për të ushtruar ecjen, marshimin, alpinizmin, kacavjerrjen, çiklizmin, hipizmin.
Parku ka shumë për të treguar për veten dhe pasuritë e tij. Përfshirja në UNESCO do ta kthente atë në destinacionin kryesor turistik në vend. Banorët e Parkut po përgatiten t’i përgjigjen një fluksi të tillë, duke ngritur infrastrukturën pritëse dhe akomoduese. Kushdo që bujt në Park gjen mikpritjen e banorëve dhe ka mundësi të shijojë një ushqim të pasur tradicional dhe 100% bio. Në Steblevë tashmë janë ngritur shtëpitë e para alpine të cilat ofrojnë të gjithë komoditetin e nevojshëm.
Zbulimi i Parkut Kombëtar Shebenik-Jabllanicë mbetet një sfidë edhe për njohësit më të mirë të tij. Këtë herë modestisht zbuluam vetëm një pjesë. Pa dyshim, do të ketë një herë tjetër dhe ndoshta do të kemi fatin që të mos vizitojmë thjesht Parkun Kombëtar, por pasurinë e re shqiptare të UNESCO-s.

Team Building apo e quajtur ndryshe Staff Retreat, përcaktohen si aktivitete të cilat përmirësojnë marrëdhëniet midis kolegëve dhe komunikimin.
Klubi Discover Albania në mënyrë të vazhdueshme inkurajon kompanitë në realizimin e udhëtimeve me kolegët, pikërisht për të përmirësuar këto aspekte, por edhe më shumë. Më poshtë do t’ju tregojmë pse duhet të zgjidhni udhëtimet Team Building, në mënyrë që të kaloni kohë fantastike me ekipin tuaj.
Të gjithë kemi nevojë për një pushim, për të rimarrë veten dhe rifilluar me motivimin e duhur. Natyra ka një ndikim të jashtëzakonshëm në motivimin tonë të përditshëm; sa më shumë kohë të kalojmë pranë natyrës, aq më pozitiv do të ndjehemi. E ku ka më mirë për motivimin, nëse këtë kohë kolegët e kalojnë së bashku, në një udhëtim të organizuar nga kompania, ku punonjësit kalojnë pjesën më të madhe të kohës aktive?!
Ndjenja e vlerësimit nga kompania
Realizimi i Staff Retreat nga kompania, rrit tek punonjësi ndjenjën e vlerësimit nga kjo e fundit. Në momentin që ajo tejkalon detyrimet e saj, duke u kujdesur edhe për marrëdhëniet mes kolegëve, krijimin e një ambienti te këndshëm dhe veçanërisht që stafi të jetë i kënaqur, jo vetëm nga ana e karrierës, por edhe me kompaninë dhe me kolegët, rrit dukshëm produktivitetin dhe atmosferën pozitive në punë.
Ndjenja e një ekipi të përbashkët drejt qëllimit kryesor të kompanisë
Në Team Building, stafi ndjehet i vlerësuar dhe më i afërt me njëri –tjetrin dhe me kompaninë. Këto aktivitete sjellin forcimin e kulturës së brendshme të kompanisë dhe mishërimin e vlerave të kompanisë tek punonjësit.
Më pak konflikte, ose akoma më tepër konflikte të zgjidhura
Fryma dhe komunikimi i përçuar është forcimi i mëtejshëm i marrëdhënieve mes kolegëve dhe dëshmia e një përkushtimi të ndërsjelltë mes kompanisë dhe punonjësve.
Mundësia për të zgjidhur çështje të ndërlikuara, larg ambientit të zakonshëm të punës
Të ndodhurit mes kolegëve në një ambient më relaksues dhe me më pak tension, sesa në një ditë të zakonshme pune, çliron më tepër energji dhe ide të reja mes njëri-tjetrit dhe në raport me kompaninë.
Udhëtimet, që mund të realizohen për këtë tipologji, janë të ndryshme.
Paketat më kryesore që ne kemi për udhëtime punë janë:
• 1 Ditore
• 2 Ditore
• 3 Ditore
• 4 Ditore
Destinacionet varen kryesisht nga sezoni: Dimër/Vjeshtë/Pranverë/Verë.
Përgjatë të gjthë vitit ne ju ofrojmë zgjedhje të ndryshme, të cilat përshtaten më së miri për udhëtimet me kolegët.
Kryesisht më të preferuarat janë Valbona, Thethi dhe Dhërmiu.
Me poshte po ju listojme destinacionet e ndryshme per Team Building:
• Lugina e Valbonës – Liqeni i Komanit me traget
• Theth – Zemra e Alpeve Shqiptare
• Riviera Shqiptare – Shëtitje me Skaf
• Liqenet e Lurës – Mbill një Pemë
• Krorëz/ Kakome – Vizitë në plazhet e fshehura
• Gjirokastër/ Përmet – Histori dhe Kulturë
• Dardhë/Voskopojë – Magjia e Pranverës
• Razëm – Mrizi i Zanave
• Kosovë – Vendet më të bukura
• Ujvara e Sotirës – Më e bukura në Shqipëri
• Kepi i Rodonit – Magjia e Adriatikut
Tashmë kjo tipologji udhëtimi ka 5 vite që realizohet nga Klubi Discover Albania dhe impakti tek kompanitë dhe punonjësit ka qenë vërtet i mirë.
Nga viti në vit, ne jemi përmirësuar hap pas hapi e në të njëjtën kohë, gjithnjë e më shumë kompani po realizojnë udhëtime të tilla, madje duke u rikthyer për të ribërë udhëtime të tilla, pasi fryma e bashkëpunimit është faktor kyç në punë e nëpërmjet metodave të tilla rritet. Klubi Discover Albania ka një staf të specializuar për Team Buliding dhe një program që në fokus ka pikërisht socializimin, zgjidhjen e konflikteve, motivimin, vlerësimin e aftësive të veçanta dhe frymën e grupit. Të gjitha këto elemente, të suportuar edhe nga logjistika, japin rezultate mjaft të mira në performancën afatgjatë të kompanisë.
Ndaj, ne vazhdojme të inkurajojmë gjithnjë e më shumë kompanitë apo bizneset që të shohin metoda të reja për ta bërë ekipin e tyre të ndjehet i motivuar për të punuar dhe Team Building do të ishte mënyra e duhur.








