
Në prag mbrëmje, kur dielli zbriste ngadalë mbi shpatet e veriut, rruga e pashtruar që të çon në Sylbicë ngjan me një vijë pluhuri që ndan qetësinë nga harresa. Katër kilometrat e fundit kërkojnë durim, por shpërblimi nuk vonon. Bujtina Halili shfaqet mes gjelbërimit të butë dhe heshtjes së pranë bjeshkës si një strehë e ngrohtë. “Uluni, pini një çaj nga shtëpia”, tingëllon një zë i dashur ende pa u ulur, që të kujton mikpritjen e rrënjosur thellë në traditën e maleve. Në oborr, aroma e çajit të malit përzihet me atë të pishës dhe mjaltit vendas. Sytë ndalen në dy rreshta zgjojesh të vendosura mes shkurreve, që ndjekin shpatin si një varg i gjallë i natyrës punëtore. Zhurma e bletëve përzihet me qetësinë e vendit, ndërsa aroma e mjaltit të freskët përthith aromën e pishës dhe çajit të malit në një përzierje dehëse. Çaji i nxehtë dhe mjalti i freskët na ndihmojnë për të harruar lodhjen e rrugës, ndërsa drita e diellit të verës që nis të pakësohet përkëdhel majat përreth.
Në horizontin e djathtë, mbi majat e egra, rrezet e fundit të diellit lyejnë me ar Rrasën e Dullës, duke e bërë të shkëlqejë si një kupolë e artë. Pak nga pak, ajo dritë e ngrohtë zbehet dhe vendin e saj e zë një hije e përhimtë që paralajmëron natën. Në sfond, gumëzhima e një makine dhe një re pluhuri lajmërojnë ardhjen e shoqëruesit që do të na çojë drejt lartësive të Sylbicës. Befas në derën e kuzhinës verore shfaqet e buzëqeshur zonja e shtëpisë, që sjell një fli të sapopjekur, me një përkujdesje që shkon përtej bujarisë së zakonshme. Tradita e mikpritjes këtu është si ajri i pastër, nuk shpjegohet, thjesht përjetohet.
Nga dyert e hapura të veturës vjen oshtima e lumit dhe fëshfërima e ahishtes, tinguj që e përshëndesin heshturazi çdo të sapoardhur. Në të djathtë mbeten Krojet e Gjeraqinës, ndërsa më pas peisazhi hapet dhe ahishta tretet pas nesh. Muzgjet po binin dhe lugina e Sylbicës shfaqej si një zgavër e fuqishme, e gdhendur nga koha dhe natyra. Vetëm ravijëzimet e zbehta në majë të Lugut të Gusanit dalloheshin në horizont, aty ku toka dukej sikur puqej me qiellin. Pas një ore udhëtimi, hoteli u shfaq si një strehë aq e mirëpritur.

Hoteli në Sylbicë është një vend mikpritës për alpinistët, udhëtarët e rastësishëm dhe çdo shpirti që kërkon magjinë e bjeshkëve. Në holl, zërat e të folmes vendore pështjellohen me të huajt që japin e marrin njëri me tjetrin në anglisht, një përzierje kulturash, pasqyrë e gjallërisë së kësaj treve të largët. Qe një ditë e gjatë dhe e lodhshme, me rrugën që kish nisur herët në mëngjes nga Tirana. Darka, një fli e ngrohtë dhe e butë që të shkrihej në gojë, u shijua në heshtjen e dhomës, një shije që mbyllte ditën në mënyrën më të ëmbël të mundshme.
Në mëngjes, rrezja e parë e diellit shkrepi që nga lart, te maja ku çon Gurë e Dhé, duke zbardhur dhomën dhe zgjatur ftesën për një ditë të re. Në të dyja anët e luginës madhështore të Sylbicës (Syla-Bici,) zgjateshin shpatet e blerta gjer në kupë të qiellit. Kuaj të përqafur, lopë duke kullotur nëpër lëndina, dele që shtynin para përskaj përroskave të ujit, si dhe vetura të ngritura 4×4 pranë dyerve të staneve, e vetmja gjë që ia prishte bukurinë mahnitëse Sylbicës bujare.

Udhëtimi me veturë drejt Qafës së Dobërdolit qe i shkurtër, por mbresëlënës. Një kodrinë e vogël ofronte pamje që mbeten në mendje. Poshtë në të majtë, Liqeni i Dashit si një pasqyrë në gropën karstike, afërsisht 2200 m mbi nivelin e detit, më tej në të djathtë, në një shkëlqim të sterrët Shkëmbi i Vujkut, pika ku kufijtë e Shqipërisë, Kosovës dhe Malit të Zi puqen në një nyje simbolike. Rruga drejt liqenit përshkon lëndina me boronica, një kurth i ëmbël për udhëtarin. Uji kristal, bukuria e natyrës dhe heshtja e shenjtë e vendit e bëjnë çdo përshkrim të tepërt.
Prej Majës së Koritave udha vazhdoi në këmbë nga një drejtim tjetër. U nisëm varg njëri pas tjetrit përgjatë kurrizit që i ndante bjeshkët si me thikë: në të majtë lugina madhështore e Sylbicës, me liqene të vockla, përrenj dhe burime uji kudo nëpër lëndina. Në të djathtë bjeshkët Kolë-Dedë, Tringëllimë, Erushtë. Dhe përfund tyre atje poshtë, ahishta shekullore e Strugit dhe Lumi i Gashit, pasuri kombëtare e mbrojtur nga UNESCO. Drekën vendosëm ta hanim te Kroni i Kumbonës, një burim që të mahnit me gurgullimën tringëlluese si kambanë, prej së cilës edhe ka marrë emrin. Kujtdo që i ka shkelur këmba në këto anë dhe është ulur të pushojë, s’i ka shpëtuar magjepsjes së tij, madje as poeti ynë kombëtar Skënder Buçpapaj, i cili ka thurur vargje për atë krua. Më tej, rruga bën një zbritje të lehtë drejt Qafë Erushtës, duke lënë pas Tringëllimën.

Legjendat ngjallen në çdo anë: në gurët e mëdhenj të Gurbanit, që rrëfejnë krushqit e Mujit të ngurosur nga Zanat, te Guri i Plakës që thuhet se shkakton mot të trazuar çdo mars. Këto janë rrëfime që ecin bashkë me hapat dhe që shpalosen në çdo kthesë. Të tunduar nga boronicat që na e bëjnë me sy në të dyja anët e udhës, mbërrijmë te vendi i quajtur Stani i Madh, ku dikur për shekuj me rradhë kish qenë vendbanim i fisit Shipshan. Më pas shmangemi majtas dhe marrim Luginës drejt teposhtë nga Ara Osës. Kishim kaluar më shumë se gjysmën e Luginës kur zunë të shfaqen ahet e para dhe si pa u ndjerë përfundojmë në një ahishte që na mirëpret me fllad e qetësi. Gurin e Plakës vetëm sa e prekëm pak me duar. Pas më shumë se tetë orë udhëtim biem në shtratin e lumit. Një ecje e shkurtër në rrugë të rrafshët, e më pas në hotel. Ara Osës, tashmë një livadh i përcëlluar nga dielli rrëzë Shkëlzenit, rrinte fshehur në heshtje pas shkurreve me lajthi.
Të nesërmen u larguam duke lënë pas Mullirin e Gratit, vazhduam rrugën, rrethuar nga dy anët me shkurre thane, manaferra e kulumbri. Njëzet minuta më vonë gomat prekën në asfalt. Përpara nesh u shfaq fusha e Tropojës, lëbyer nga afshi i rrezeve të arta të diellit. Ende ndjenim aromën e çajit të malit, shijen e mjaltit të pishës dhe boronicave. Në veshë na jehonin tingujt e rrjedhës së lumit dhe gurgullima e Kronit të Kumbonës. Në mendje venin e vinin vegimet e Liqenit të Dashit, Sylbica, Maja e Tringëllimës, Qafë Erushta, Stani i Madh, si dhe një flamuri shqiptar ngulun në vendin e shenjtë majë Shkëlzenit, 2407 metra mbi nivelin e detit.
Astrit Hykaj, Korrik 2025



