Nga Amarildo Topi
Prej vitesh dëgjoj të njëjtën gjë: “Nuk na duhen turistë me çanta shpine. Na duhen ata që rezervojnë hotele luksoze dhe hanë në restorante të shtrenjta.”
Këtë e thonë shpesh në media pronarë hotelesh dhe restorantesh dhe ekspertë turizmi që kanë më shumë qasje tek struktura e mëdha hoteliere dhe më pak me komunitetin e vogël rural.
Dhe me kalimin e kohës, kjo është kthyer në një narrative të konsoliduar, ku turisti “i thjeshtë”, ai që vjen për natyrën, kulturën, mikpritjen dhe ushqimin vendas, shihet me përçmim, si një klient i parëndësishëm për ekonominë lokale. E ndërkohë, të gjitha tapetet i hapen turistit që kërkon kokteje, pishina, lounge, spa, menutë italisht dhe verërat franceze.
Ironia është se po këto struktura, që promovojnë luksin “mediteran” të importuar, përdorin shumë pak produkte vendase.
Ujë, qumësht e mozzarella nga Italia, verë nga Franca, birrë nga Gjermania, miell nga Serbia, vaji i ulliri nga Greqia, shalqin nga Kroacia, mollë nga Spanja domatet nga Maqedonia e kastravecat nga Bullgaria.
E ndërkohë, fermeri shqiptar që prodhon në kushte të vështira, shpesh në temperatura ekstreme si këto të ditëve të fundit, është i destinuar të hedhë prodhimin në kanal. Askush nuk i hap derën. Askush nuk i kërkon mallin.
Në këtë paradoks, shpëtimi për prodhuesin e vogël mund të jenë pikërisht turistët e thjeshtë, ata që vijnë për të përjetuar Shqipërinë e vërtetë.
Ata që hyjnë në fshatra, ulen në hije të ullinjve, pijnë një gotë verë shqiptare, hanë gjizë e domate nga kopshti dhe e përjetojnë vendin siç është. Janë ata që nuk ankohen pse nuk ka prosecco, por habiten sa e mirë është rakia e manave të Boboshticës. Nuk kërkojnë tartuf italian, por pyesin ku mund të blejnë reçel fiku e mjaltë të zonës.
Në vend që t’i shohim si turistë pa lekë, mund t’i shohim si mundësi për të ruajtur ekonominë familjare shqiptare, për të nxitur prodhimin vendas, për t’i dhënë arsye fshatit të mbijetojë dhe për të krijuar një model turizmi më të drejtë dhe më të qëndrueshëm.
Shqipëria ka vend për të gjithë, por është koha të dalim nga logjika e një turizmi që sjell euro vetëm në duart e pak strukturave dhe të ndërtojmë një ekonomi turizmi që shpërndan të ardhurat në zinxhirin lokal: tek bujtinat, tek fermerët, tek artizanët, tek prodhuesit e verës, të vajit të ullirit, etj.
P.s: Reflektim i frymëzuar nga limoni dhe qepa e ndërthurur me të shkuarën si gazetar që ka mbuluar për dy vjet temat e turizmit .