Udhërrëfyesit (guidat) turistikë në Shqipëri janë një profesion relativisht i ri, sikurse edhe sektori i turizmit. Megjithatë, vitet e fundit nuk kanë munguar përpjekjet për rritjen profesionale, sasiore por edhe për institucionalizimin e këtij profesioni, qoftë nga autoritetet shtetërore, po ashtu edhe nga organizatat e shoqërisë civile, të impenjuara drejtpërdrejt me turizmin. Megjithatë, pavarësisht diplomave ndërkombëtare të pak individëve, vetë Ministria e Turizmit çertifikimet e guidave të para kombëtare turistike i kreu përpara nisjes së sezonit turistik 2017. Kështu, në Shkurt u çertifikuan 159 guida kombëtare, ndërsa disa muaj më vonë edhe 52 guida të tjera kombëtare. Zyrtarisht, ministrja e atëhershme e Turizmit, znj. Milva Ekonomi, se janë çertifikuar 199 udhërrëfyes kombëtar, 12 prej të cilëve zotërojnë edhe çertifikatën e specialitetit të veçantë. Nga ana tjetër, përfaqësuesit e NATGA-s deklarojnë 252 guida kombëtare të çertifikuara. Megjithatë, lista zyrtare e publikuar në faqen e Ministrisë së Turizmit, përmban vetëm emrat e 115 udhërrëfyesve kombëtare, në mesin e të cilëve janë edhe 7 guida të huaja, çertifikata e të cilëve si udhërrëfyes kombëtar në Shqipëri – si e të gjithë të tjerëve – skadon më 30 Shtator 2018.
Çertifikimi i këtyre guidave u bë sipas Udhëzimit të Përbashkët të Ministrisë së Zhvillimit Ekonomik, Turizmit, Tregtisë dhe Sipërmarrjes dhe Ministrisë së Mirëqenies Sociale dhe Rinisë, të datës 24 Janar 2017, ku përcaktohen edhe kriteret e akreditimit të programeve të kualifikimit të këtyre udhërrëfyesve. Sipas Udhëzimit, programet për guidat kombëtare përmbajnë njohuri nga mjedisi fizik dhe natyra; gjeografia humane dhe zhvillimi shoqëror e urban; arkeologjia, prehistoria dhe antikiteti Shqipërisë; historia e Shqipërisë; diversiteti kulturor; arti & arkitektura; kohët moderne; praktika dhe mësimi në terren, si dhe njohuri mbi teknikat e guidimit, aftësi biznesi dhe kushtet e punës; ndihma e shpejtë etj. Më specifike kërkesat janë për guidat e specialitetit të veçantë, ku përveç njohurive për specialitetin e veçantë, udhërrëfyesi duhe të ketë edhe aftësi fizike për t’i ofruar turistit “në kushte të larta sigurie, një eksperiencë unike lidhur me temën/objektin e veçantë, duke interpretuar me saktësi të gjithë informacionin rreth kësaj teme/objekti dhe duke prezantuar me vërtetësi aktualitetin”.
Një kategori tjetër janë udhërrëfyesit lokalë, dhjetëra prej të cilëve janë çertifikuar deri tani, ndërkohë që trajnimet vazhdojnë.
Sa i takon Kodit të Etikës, NATGA shkruan se një udhërrëfyes turistik duhet të jetë i sjellshëm, miqësor dhe i afrueshëm; të respektojë besimin fetar të çdo turisti; të respektojë zakonet etike të çdo turisti; të jetë i kujdesshëm ndaj nevojave të çdo turisti; të jetë i ndërgjegjshëm për sigurinë e çdo individi; të jetë gjithmonë në kohë; të jetë i besueshëm dhe i ndershëm; të kujdeset për higjenën personale; të vishet në mënyrë të përshtatshme. Gjithashtu, gjatë ushtrimit të profesionit, një guide i ndalohet shitblerja e çfarëdo produkti nga turistiët për qëllime përfitimi, si dhe dallimet diskriminuese ndaj turistëve për motive race, gjinie, etnie, kombësie, aftësie fizike apo moshës. Sipas Kodit të Etikës, guida duhet të jetë i vëmendshëm dhe i përgjegjshëm në çdo situatë të mundshme rreziku e madje të mos i japë asnjë mjekim turistit pa u këshilluar më parë me mjekun. Ai duhet të jetë i paanshëm dhe pozitiv, duke komentuar çdo fakt apo ngjarje në mënyrë objektive, duke dhënë informacion të saktë dhe joparagjykues për asnjë arsye. Një guidë duhet të përpiqet të zgjidhë me përgjegjshmëri çfarëdo situate konflikti, si dhe të raportojë çdo incident, dëmtim apo raste fatale pranë autoriteteve më të afërta. Edhe kur nuk është duke e ushtruar profesionin, udhërrëfyesi turistik duhet të respektojë historinë, natyrën, trashëgiminë kulturore e shpirtërore si dhe traditat e popullit shqiptar, duke u përpjekur të përçojë në formë edukuese te turistët trashëgiminë kulturore, historike e mjedisore të Shqipërisë.
Mirëpo është pikërisht kjo pikë e fundit, por jo për nga rëndësia, tek e cila disa prej udhërrëfyesve turistikë kanë vërejtje. Sikurse shihet nga përgjigjet e disa pjesëmarrësve në këtë forum të revistës Travel, udhërrëfyesit thonë se në Shqipëri ushtrojnë aktivitetin e tyre guida të huaja, sipas tyre edhe të paçertifikuara nga autoritetet shqiptare. Ata thonë se këto guida mund ta dëmtojnë imazhin turistik të Shqipërisë me ose pa dashje, dmth, duke dhënë ose interpretuar qëlimisht informacion të pasaktë, ose duke mos pasur formimin dhe njohuritë e duhura për të ushtruar këtë aktivitet në vendin tonë. Shembulli i sjellë nga një udhërrëfyes korçar në këtë forum, ku një guidë e huaj u thotë grupit të turistëve duke u treguar Muzeun Kombëtar të Arsimit, se në këtë shkollë dikur mësohej greqisht, është për alarm.
Pikërisht për t’i dhënë fund një praktike dhjetëravjeçare, kur guidat e huaja turistike e ushtronin aktivitetin e tyre në Shqipëri pa asnjë kontratë e kontroll nga autoritetet shqiptare – çka nuk ndodh me një guidë shqiptare në një shtet tjetër – Ministria e Turizmit nxori një urdhëresë të posaçme në fillim të sezonit turistik. Dokumenti autorizonte Inspektoratin Shtetëror të Mbikëqyrjes së Tregut, në varësi të Ministrisë së Zhvillimit Ekonomik, Turizmit, Tregtisë dhe Sipërmarrjes që të ushtronte kontroll dhe të merrte masat deri në 150.000 lekë gjobë për çdo person që mund të identifikohet duke ushtruar veprimtarinë e udhërrëfyesit turistikë në territorin shqiptar pa u pajisur me çertifikatën përkatëse nga Ministria e Turizmit.
Nga ana tjetër, të pyetur për rastet e kosntatuara gjatë ushtrimit të profesionit të tyre në terren gjatë këtij sezoni, apo për denoncimin e këtyre rasteve pranë Task Forcës për Turzimin, udhërrëfyesit që morën pjesë në forumin e revistës Travel, dëshmojnë vetëm 10 raste. Mirëpo ne nuk mund të presim që turistët e huaj, me njohuritë e kufizuara për vendin tonë, të denoncojnë raste të tilla pranë autoriteteve shqiptare.
Pyetjet e forumit:
1. Në çfarë konsiston detyra e një guide profesioniste të licensuar?
2. Prej sa kohësh operoni si guidë turistike?
3. Sa grupe/turistë shoqëroni gjatë një viti?
4. Sa është numri i guidave profesionale të licensuara në Shqipëri ose/dhe jashtë?
5. Sa guida të tjera, kombëtare ose/dhe lokale ushtrojnë aktivitet të palicensuar?
6. Nëse nuk jeni një udhërrëfyes i licensuar, a ju ka penguar kjo në punën tuaj?
7. Sa është numri i guidave të huaja që veprojnë sezonalisht në vendin tonë? Sa prej tyre janë të çertifikuar nga autoritetet shqiptare dhe cili është dëmi që i shkaktojnë turizmit shqiptar?
8. Në fund të Qershorit të këtij viti, Inspektorati Shtetëror i Mbikëqyrjes së Tregut në kuadër të Ministrisë së Ekonimisë dhe Turizmit nxori një urdhër, sipas të cilit “asnjë person nuk mund të ushtrojnë veprimtarinë e udhërrëfyesit turistik në territorin shqiptar pa u pajisur me certifikatën përkatëse nga Ministria e Zhvillimit Ekonomik, Turizmit, Tregtisë dhe Sipërmarrjes“. Sa raste të shkeljes së këtij urdhëri keni paraqitur pranë Task Forcës për Turizmin gjatë këtij sezoni?
9. A është i mundur një formalizim i sektorit të guidave turistike?
10. Në disa prej faqeve të profilizuara të internetit (toursbylocals, viator etj) numërohen më pak se 50 guida profesioniste (shqiptarë dhe të huaj) që operojnë në Shqipëri. A mendoni se kjo ofertë online e përballon kërkesën?