Lushnja është një nga qytetet më të njohura të Shqipërisë, e vendosur në Shqipërinë e Mesme, dhe sot po kthehet në një destinacion mikpritës për vendasit dhe gjithnjë e më interesant për turistët. Afërsia me qytete të mëdha si Durrësi apo Vlora, gjelbërimi i fushave dhe kodrave përreth, arkitektura urbane, kultura dhe historia që dëshmojnë traditën e zonës, e bëjnë Lushnjen një qytet me mjaft pika për të eksploruar. Këtu mund të njiheni me gjithçka që lidhet me këtë trevë të Myzeqesë.
Qyteti i Lushnjës ndodhet në qarkun e Fierit, në zemër të Myzeqesë, në pjesën perëndimore të Shqipërisë së Mesme. Ai është rreth 60 km larg Tiranës dhe vetëm 30 km nga Parku Kombëtar i Divjakë-Karavastës, një nga perlat natyrore të Shqipërisë.

Historiku i Lushnjes
Edhe pse shpesh më pak i lakuar sesa qytetet e mëdha si Tirana, Durrësi apo Vlora, Lushnja ka luajtur rol të rëndësishëm historik. Ajo ka shërbyer si kryeqytet i përkohshëm i Shqipërisë deri në vitin 1920, ndërsa pikërisht këtu u mbajt Kongresi i Lushnjës, ngjarja që përcaktoi Tiranën si kryeqytet të vendit.
Në zonën ku sot ndodhet fusha përgjatë rrugës Lushnje-Fier, është zhvilluar në vitin 1385 Beteja e Savrës, ku humbi jetën Balsha II i Principatës së Zetës. Në kohë më të errëta, gjatë regjimit komunist, qyteti shërbeu si një nga qendrat e kampeve të punës. Këto elemente tregojnë se, edhe pse më i qetë në krahasim me metropolet shqiptare, Lushnja ka vend të rëndësishëm në historinë kombëtare.
Turizmi
Turizmi nuk është ende pika më e fortë e qytetit, pasi vizitorët shpesh zgjedhin destinacione të njohura si Vlora, Tirana, Shkodra apo Elbasani, të cilat tashmë promovohen gjerësisht dhe janë të konsoliduara në hartën turistike të vendit. Megjithatë, Lushnja mbart një potencial të madh të pashfrytëzuar dhe mund të zhvillohet lehtësisht si një destinacion alternativ për vizitorët që kërkojnë përvoja autentike larg turizmit masiv. Qyteti ofron trashëgimi historike, kulturë të pasur, monumente që lidhen drejtpërdrejt me ngritjen e shtetit shqiptar, mikpritje tradicionale dhe kuzhinë karakteristike myzeqare – elemente që mund ta shndërrojnë Lushnjën në një destinacion të veçantë dhe të kujtueshëm.
Kombinimi i historisë, bujarisë së njerëzve dhe zhvillimit të infrastrukturës pritëse, me hotele të reja e moderne, agroturizmit e gastronomisë vendase, si dhe përfshirja e turizmit dentar që po merr hov vitet e fundit, e bëjnë qytetin një mundësi reale për të rritur vizitat dhe qëndrimin e turistëve. Me investime në promovim, guidë turistike, restaurim objektesh kulturore dhe krijim eventesh që lidhin artin, traditën dhe ushqimin, Lushnja mund të gjejë vendin e saj të merituar në turizmin shqiptar. Ne po ju njohim me disa prej pikave interesante të qytetit, që pa dyshim e pasurojnë një ditë vizite në këtë qytet.
Potenciali i turizmit të së ardhmes
Lushnja nuk është vetëm një qytet me traditë bujqësore, por edhe një vatër e rëndësishme kulturore që ka nxjerrë disa nga figurat më të ndritura të artit dhe letërsisë shqiptare. Emra si Vaçe Zela, legjenda e muzikës shqiptare, Margarita Xhepa, Pavlina Mani, Gjergj Lala, ikonat e teatrit dhe kinemasë, apo Vath Koreshi, një nga shkrimtarët dhe skenaristët më të njohur, përfaqësojnë trashëgiminë shpirtërore të këtij qyteti. Këta artistë nuk janë thjesht krenari lokale – ata janë ura që mund ta lidhin qytetin me turizmin kulturor, duke i dhënë Lushnjës një identitet më të gjerë dhe të qëndrueshëm.
Nëse shtëpitë e tyre do të ktheheshin në muze – me objekte personale, fotografi, regjistrime dhe dokumente që tregojnë historinë e jetës dhe artit të tyre – ato do të tërhiqnin vizitorë nga gjithë vendi. Një “rrugë e artistëve të Lushnjës”, ku çdo ndalesë përfaqëson një kapitull të artit shqiptar, do ta shndërronte qytetin në një destinacion unik për adhuruesit e kulturës dhe historisë. Kombinimi i këtyre muzeve me monumentet ekzistuese, si Muzeu i Kongresit të Lushnjës dhe Manastiri i Ardenicës, do të krijonte një itinerar të plotë kulturor që pasqyron identitetin e Myzeqesë dhe ndikimin e saj në artin kombëtar.
Në këtë mënyrë, turizmi në Lushnjë mund të zgjerojë gamën e tij përtej historisë dhe natyrës, duke përfshirë edhe artin, kujtesën dhe frymën krijuese të njerëzve që i kanë dhënë zë Shqipërisë.
Shtëpia e Kongresit
Ky monument nuk është vetëm një objekt i vjetër por përfaqëson një nga vendet më të rëndësishme historike të Shqipërisë, ku u hodhën themelet e shtetit shqiptar modern. Aty u mbajt Kongresi i Lushnjës në janar të vitit 1920, një ngjarje kyçe që vendosi Tiranën si kryeqytet dhe konsolidoi unitetin e vendit pas periudhave të trazirave dhe pushtimeve të ndryshme. Vizita në këtë shtëpi-muze ofron mundësinë për të parë dokumente origjinale, objekte personale dhe fotografi që sjellin në jetë atmosferën e kohës dhe rëndësinë e vendimeve të marra aty. Ashtu si njerëzit vizitojnë Krujën për të ndjerë historinë e Skënderbeut, në Lushnje vizitorët mund të përjetojnë një moment historik po aq të rëndësishëm, ku politika, vendosmëria dhe identiteti kombëtar u lidhën për të ndërtuar të ardhmen e Shqipërisë. Përveç vlerës historike, shtëpia ruan edhe elementë arkitektonikë karakteristikë të periudhës, duke e kthyer vizitën jo vetëm në një udhëtim në kohë, por edhe në një përvojë kulturore të plotë.
Muzeu Historik
Përveç Shtëpisë së Kongresit, Lushnja ofron një tjetër pikë të rëndësishme kulturore dhe historike, Muzeun Historik të qytetit, i cili përmban një koleksion të pasur artefaktesh që përshkojnë mijëvjeçarë të historisë së trevës. Ekspozitat fillojnë nga periudha e bronzit dhe hekurit, kalojnë në kohën e ilirëve, më pas gjatë sundimit të Perandorisë Romake dhe në periudhën mesjetare, duke ofruar një pasqyrë të plotë të zhvillimit historik dhe kulturor të rajonit. Pjesa etnografike e muzeut është po aq e pasur, me veshje tradicionale, objekte shtëpiake dhe artefakte të përditshme të ruajtura me kujdes, që tregojnë stilin e jetesës dhe traditat e banorëve të Myzeqesë. Përveç elementeve historike dhe etnografike, muzeu përmban edhe vepra të artit bashkëkohor, duke përfshirë një pikturë me frymë moderniste nga Edi Rama, sot kryeministër i Shqipërisë, në bashkëpunim me Vladimir Myrtezain, që i shton muzeut një dimension artistik dhe kulturor unik. Vizita në këtë muze ofron mundësinë për të kuptuar më thellë historinë, kulturën dhe identitetin e qytetit dhe të rajonit, duke e bërë atë një ndalesë të domosdoshme për çdo vizitor që dëshiron të zhytet në trashëgiminë historike të Lushnjës.
Manastiri i Ardenicës
Edhe pse ndodhet jashtë qendrës urbane, Manastiri i Ardenicës mbetet një nga atraksionet më të vizituara në zonë, me mbi 40 mijë vizitorë në vit. I ngritur mbi kodrat në jug të fushës së Myzeqesë, ai zotëron një pozicion mbresëlënës – i dukshëm nga të gjitha drejtimet, në një lartësi prej 237 metrash mbi nivelin e detit. Vendndodhja e tij daton që nga shekulli XIV, ndërsa godina ruan arkitekturën tipike të ortodoksisë shqiptare, me murale të ruajtura mirë që i shtojnë vlerën historike dhe artistike.
Prej shekujsh ka qenë një qendër pelegrinazhi për besimtarët dhe vazhdon të mbetet një hapësirë e qetë meditative, falë gjelbërimit përreth dhe mungesës së zhvillimit urban. Manastiri i Ardenicës është pa dyshim një ndër destinacionet kryesore që duhet vizituar nëse ndodheni në Lushnjë – një vend që bashkon historinë, shpirtëroren dhe natyrën në një përvojë të veçantë.
Kisha e Shënkollit
Kisha e Shën Kollit ndodhet në fshatin Toshkëz dhe është ndërtuar në vitin 1797. Afresket e saj u realizuan në vitin 1813 nga mjeshtrit Johan dhe Nikolla Çetiri nga Grabova, duke i dhënë ndërtesës një vlerë të veçantë artistike. Kisha përfaqëson një model tipik të arkitekturës fetare në Myzeqe, e përbërë nga naosi dhe hajatet që e rrethojnë në tre anë. Sot ajo frekuentohet gjerësisht nga besimtarët, por është po aq e hapur dhe mikpritëse edhe për vizitorë të huaj apo vendas.
Ndodhet lehtësisht e arritshme si me makinë, ashtu edhe me autobus, ndaj transporti nuk paraqet asnjë pengesë për ta vizituar dhe për ta përjetuar nga afër këtë monument të kulturës sonë.
Oferta lokale
Një sërë restorantesh, kantinash e pikash agroturistike kanë zënë vend brenda e jashtë Lushnjes, duke e bërë gastronominë një prej pikave më të forta të ofertës turistike dhe një arsye se pse vizitorët e zgjedhin Lushnjen. Emra si Met Çela, Ardenica, Flamuri, Frog`s House, Tomorr Malko, Te Fatmiri, përbëjnë një gamë të gjerë shijesh dhe zgjedhjesh, secila e veçantë në llojin e vet dhe mjaftueshëm të vlefshme për t`I bërë nder panoramës turistike të qytetit.
Vila Met Çela
Ky vend është ndalesa e parë e çdo vizitori që hyn në Lushnje, madje shpeshherë është edhe arsyeja e vetme e vizitës. Njerëzit vijnë në Lushnje vetëm për byrekët e Met Çelës dhe fama e tyre tashmë ka kaluar kufijtë e qytetit dhe është përhapur në të gjithë Shqipërië. E themeluar nga Met dhe Zana Çela, ky është padyshim një nga vendet më të mira në Lushnjë për një pasdite të këndshme, ku mund të shijoni pëtveç byrkëve, edhe gatime tradicionale të bëra me dashuri, shumë ëmbëlsira të shijshme artizanale, dhe kosi i bërë në shtëpi, një shije autentike që vërtet ia vlen të provohet.
Veçanërisht i njohur është bërë byreku i tyre i veçantë me formë katrore, i cili shijohet gjithmonë në vend, ndryshe nga praktika e zakonshme ku byreku merret gjithmonë me vete. Po në këtë numër, ju ftojmë të lexoni pak më shumë për këtë histori të bukur familjare.
Te Fatmiri
Sapo ke dalë nga qyteti dhe ende nuk ke ngrënë drekën? Asnjë problem. Në dalje të Lushnjës arrin Te Fatmiri, një restorant i njohur për gatimet në zgarë, kryesisht mishin, si ai i gicit, i cili është shumë i popullarizuar. Vendi i vogël dhe i qetë e bën qëndrimin aty të rehatshëm, pasi ka pak lëvizje makinash dhe ndodhet në një zonë periferike, duke e bërë ideal për një drekë të shijshme me mish tradicional të pjekur në zgarë, në një ambient të qetë ku nuk shqetësohesh nga zhurma e tepërt. Drekë dhe qetësi tingëllon mirë për ty? Atëherë mos ngurro të ndalosh në Te Fatmiri.
Frog’s House
I vendosur në Barbullinjë të Lushnjës, është shumë më tepër se një hotel-restorant – ai është themeluesi i lëvizjes Slow Food Myzeqeja, një filozofi që respekton ritmin natyror të ushqimit, tokës dhe traditës. Këtu nuk vijnë vetëm ata që duan të hanë ose të kalojnë natën, por edhe vizitorë që kërkojnë të prekin nga afër përvojën lokale: vizita në fermë, shijim produktesh të përgatitura në vend dhe kontakt me natyrën e Myzeqesë. Frogs House prodhon vetë vaj ulliri ekstra të virgjër, verëra dhe reçelna artizanale me fruta të rritura në fermën e familjes Gjata, duke ofruar gatime të freskëta e shije që nuk i gjen kudo. Ambienti është i ngrohtë, shtëpiak dhe i qetë, me dhoma komode dhe një restorant që servir me përkushtim ushqim sezonal dhe tradicional. Një vizitë këtu nuk është thjesht drekë apo akomodim – është një përjetim i plotë rural, kulturor dhe gastronomik që të afron me zemrën e Myzeqesë.



