Gurët që rriten brenda kodrës:Konkrecionet gjeologjike të Kepit të Rodonit, një pasuri e padukshme e natyrës shqiptare

by Flora Baba

Gjergj Kota

Bregdeti i Kepit të Rodonit me konkrecione gjeologjike. Foto e autorit.

Kepi i Rodonit (në veri të Durrësit) është një gadishull shkëmbor trekëndor midis Gjirit të Rodonit dhe atij të Lalzit, i njohur për bukuritë natyrore dhe trashëgiminë historike (Kalaja e Skënderbeut, Kisha e Shën Ndojit). Krahas vlerave kulturore, kjo zonë paraqet dhe interes të veçantë gjeologjik. Veçanërisht, vëmendje tërheqin konkrecionet gjeologjike – blloqe shkëmbore sferike ose vezake të formuara në mënyrë natyrore – që gjenden në shkëmbinjtë e ekspozuar të kepit. Këto konkrecione janë fenomen i rrallë në Shqipëri dhe përbëjnë një “laborator natyror” ku mund të shikohen dhe studiohen proceset gjeologjike në terren. Por çfarë janë konkrecionet e Kepit të Rodonit? Si janë formuar? Ç’rëndësi kanë dhe si mund të mbrohen e promovohen ato si pasuri natyrore dhe si atraksione turistike?

Çfarë janë konkrecionet?

Konkrecionet janë masa të forta shkëmbore të rrumbullakosura, të formuara nga ngurtësimi lokal i sedimentit përmes çimentimit minerar. Ato dallohen nga shkëmbi pritës rrethues për nga forma dhe fortësia. Konkrecionet në Kepin e Rodonit zakonisht paraqiten në trajta sferike ose ovale, me diametër që arrin deri rreth 1 metër ose më shumë . Shpesh ato kanë sipërfaqe relativisht të lëmuar, me ngjyrë gri ose kafe të përhimtë, duke kontrastuar me sedimentet përreth. Vendndodhja e tyre është brenda shtresave sedimentare të shpatit të kepit, konkretisht në shtresa të veçanta ranore ose argjilore, ku dalin në pah falë erozionit. Disa konkrecione duken pjesërisht të futura në faqet e argjilës, ndërsa të tjerat kanë rrëshqitur poshtë shpatit pasi janë liruar nga shtresa mëmë. Përmasat variojnë, por shumë prej tyre janë aq të mëdha sa duken si “blloqe gjigante” sferike në peizazh, të ngulitura përgjysmë në tokë apo të shtrira në terren. Këto forma kurioze tërheqin vëmendjen e vizitorëve dhe studiuesve, duke u dukur shpesh si “topa guri” të vendosur nga dora e njeriut, megjithatë origjina e tyre është plotësisht natyrore.

Si formohen konkrecionet?

Konkrecionet formohen nën tokë, brenda shtresave sedimentare, përmes një procesi diagjenetik (pas depozitimit, para shndërrimit të plotë të sedimentit në shkëmb). Fillimisht krijohet një bërthamë – shpesh një fragment organik (p.sh. copë guaske, fosili, copë druri) ose thërrmijë minerali – e cila shërben si qendër precipitimi për mineralet . Rreth kësaj bërthame, me kalimin e kohës, mineralet e tretura në ujërat nëntokësore (si karbonatet) fillojnë të precipitojnë dhe të çimentojnë kokrrizat e sedimentit përreth. Në Kepin e Rodonit mendohet se mineralet çimentues janë kryesisht kalcit (CaCO₃) dhe ndoshta siderit (FeCO₃), të cilët kanë vepruar si “ngjitës” natyror në sedimentin ranor ose argjilor. Procesi i rritjes është shpesh koncentrik dhe radiale – mineralet shtresohen në mënyrë të njëtrajtshme përreth bërthamës, duke formuar me kalimin e mijëra viteve një masë gjithnjë e më të madhe sferike. Rezultati është një “beton natyror” brenda shkëmbit: zonat përreth bërthamës forcohen shumë më tepër se sedimentet përreth, falë çimentimit të dendur mineral. Ky çimentim i hershëm bën që konkrecioni të jetë më i fortë dhe më rezistent se shtresa pritëse që e rrethon. Në fund të procesit, krijohet një bllok kompakt (konkrecioni) i ngulitur brenda shkëmbit më të butë përreth. Vlen të theksohet se konkrecionet formohen zakonisht brenda disa qindra ose mijëra vjetëve, por rritja deri në përmasa të mëdha mund të zgjasë miliona vite në varësi të furnizimit me minerale dhe kushteve kimike. Për shembull, analizat e konkrecioneve gjigante në formacionin Moeraki (Zelanda e Re) sugjerojnë se ato u është dashur mbi 4 milion vjet për t’u zhvilluar plotësisht.

Gjatë formimit, brenda konkrecioneve mund të ndodhin edhe ndryshime teksturore: shtresat e jashtme shpesh forcohen më shumë (pasi precipiton më tepër mineral në periferi), ndërsa pjesa e brendshme mund të dehidratohet apo të krijojë çarje radiale. Këto çarje, të quajtura septaria kur janë të shumta, mund të mbushen me minerale sekondare (p.sh. kalcit tjetërngjyrësh, kuarc, dolomit) gjatë fazave të vona të formimit . Si rrjedhojë, në prerje, konkrecionet mund të zbulojnë një strukturë të brendshme me figura radiale apo unaza bashkëqendrore, që pasqyrojnë historinë e tyre të rritjes.

Konkrecione Septariane gjetur në West of Orderville, Uta.

Nga janë formuar konkrecionet e Kepit të Rodonit?

Zonat bregdetare të Ishmit dhe Kepit të Rodonit përfaqësojnë një terren ku mbizotërojnë formacione sedimentare me ranorë shtresë-trashë dhe argjila me përbërje guralece të imët. Këto shtresa sedimentare i përkasin fundit të periudhës së Miocenit dhe Pliocenit (rreth 5–7 milion vjet më parë), kur zona e ultësirës perëndimore ishte një basen detar në mbushje e sipër. Sedimentet u depozituan në formë shtresash alternative: breksa ranore dhe shtresa balte argjilore, të cilat më pas u ngritën gradualisht mbi nivelin e detit nga proceset tektonike.

Kepi i Rodonit përbëhet nga një kreshtë e tillë kodrinore e formuar nga këto shtresa sedimentare, me pjerrësi drejt detit, çka ka krijuar një reliev të shkallëzuar për shkak të ndërthurjes së shtresave me fortësi të ndryshme. Ranorët e trashë (zallishtet e çimentuara në shkëmb) formojnë kurrize më rezistente, ndërsa shtresat argjilore më të buta gërryhen më lehtë duke krijuar shpate dhe tarraca. Konkrecionet në Kepin e Rodonit gjenden pikërisht brenda këtyre formacioneve sedimentare – kryesisht në horizontet ranore brenda formacioneve argjilore – ku kushtet kimike lokale kanë favorizuar çimentimin. Në këto formacione hasen konkrecione sferike deri në 1 – 1.5 m në diametër, të cilat përbëhen nga rërë e ngurtësuar dhe e pasur me karbonat (kalcit) krahasuar me materialin pritës.

Në Kepin e Rodonit, shtresat përbërëse (ranorë e argjila) janë shpesh të dukshme në brigjet e eroduara 20 – 30 m të larta . Në faqet e këtyre shkëmbinjve vërehen strukturat shtresore dhe në disa vende dallohen forma sferike – konkrecionet – të futura në shtresat argjilore ose të mbetura në plazh poshtë skarpatave pasi shtresa përreth është eroduar. Pra, erozioni bregdetar dhe ai i shiut luajnë rol kyç në ekspozimin e konkrecioneve lokale.

Përse janë të rëndësishme konkrecionet?

Së pari, ato përfaqësojnë një dëshmi natyrore të proceseve gjeokimike që ndodhin nëntokë gjatë diagjenezes së sedimenteve. Përmes tyre, gjeologët mund të studiojnë kushtet kimike të mjedisit të formimit dhe kohëzgjatjen e këtyre proceseve.

Së dyti, konkrecionet e Kepit të Rodonit kanë vlerë didaktike dhe turistike. Duke qenë të lehtë për t’u vëzhguar në terren, ato shërbejnë si një klasë e hapur për studentët e gjeologjisë, gjeografisë apo shkencave natyrore. Një guidë gjeologjike në këtë zonë mund t’u tregojë vizitorëve sesi formohen shkëmbinjtë nëntokë dhe si zbulohen nga erozioni. Edukimi në terren bëhet shumë më i prekshëm kur studentët apo turistët mund të shohin e prekin një konkrecion të vërtetë, duke kuptuar konceptet e çimentimit dhe fortësimit të diferencuar të shkëmbinjve.

Së treti, këto formacione të veçanta e lidhin Kepin e Rodonit me fenomene gjeologjike botërore. Shembuj të ngjashëm konkrecionesh gjigante gjenden në vende të tjera të globit, duke u bërë atraksione natyrore me famë:

• Moeraki Boulders, Zelanda e Re: Në plazhin Koekohe të Zelandës së Re ndodhen dhjetra konkrecione sferike gëlqerore, me diametër deri në 2 metra. Ato u formuan rreth 60 – 65 milion vjet më parë në shtresat argjilore të Paleocenit, ku kalciti gradualisht u depozitua rreth bërthamave organike (si fosile të guaskave) duke krijuar blloqe të forta. Këto gurë gjigantë janë nxjerrë në sipërfaqe nga erozioni i shkëmbinjve përbërës (një formacion argjilor i butë) dhe sot qëndrojnë të shpërndarë në breg të detit. Moeraki Boulders janë një atraksion i njohur turistik e shkencor, i mbrojtur me ligj nga autoritetet lokale (që prej 1971) për shkak të rëndësisë së tyre.

Konkrecionet Moeraki në Zelandë të Re

• Cannonball Concretions, SHBA: Në Dakotën e Veriut (ShBA), përgjatë lumit Cannonball, gjenden konkrecione sferike deri në 3 metra në diametër . Këto formacione u dhanë emrin si lumit ashtu edhe një formacioni gjeologjik (Formacioni Cannonball, Paleocen). Ato janë krijuar nga çimentimi i hershëm i rërës dhe baltës me kalcit, që i ngurtësoi në sfera gjigante brenda shkëmbinjve pritës. Me kalimin e kohës, lumit dhe erozioni i brigjeve ekspozuan këto “topa guri”, duke i lënë të dukshme përgjatë shtratit dhe brigjeve të lumit . Konkrecione edhe më të mëdha (4 – 6 m) gjenden në formacione gëlqeror-ranore të tjera në SHBA, si p.sh. në Utah, Wyoming dhe Kansas, çka tregon se natyra mund të krijojë forma gjeologjike me përmasa mbresëlënëse.

Konkrecionet, Cannonball, Dakota e Veriut, SHBA

Duke krahasuar konkrecionet e Rodonit me këto shembuj, kuptojmë se mekanizmat e natyrës janë universale, pavarësisht vendndodhjes gjeografike. Kjo rrit edhe më shumë vlerën e konkrecioneve në vendin tonë, të cilat mund të shërbejnë si pikë reference për studime krahasuese me formacionet ndërkombëtare. Pra, vlera e konkrecioneve nuk kufizohet thjesht në pamjen e tyre të çuditshme; ato janë çelësa për të kuptuar të shkuarën gjeologjike të vendit tonë.

Por, si dalin konkrecionet në sipërfaqe?

Fillimisht, konkrecionet formohen dhe qëndrojnë të fshehura brenda shkëmbinjve sedimentarë. Me kalimin e kohës, faktorët atmosferikë dhe gjeologjikë fillojnë t’i ekspozojnë ato. Erozioni – kryesisht nga uji i shirave, rrëketë dhe dallgët bregdetare – gërryen gradualisht shtresat argjilore dhe dherat që mbulojnë konkrecionet. Materiali i butë rreth e rrotull hollohet e shpëlahet, ndërsa konkrecioni, që është më i fortë dhe rezistent, mbetet pas, i dalë në reliev . Në shpate, konkrecionet fillimisht shfaqen si zbulime të pjesshme – p.sh. një pjesë e sferës që dallohet në faqen e kodrës. Më pas, teksa erozioni vazhdon, ato mund të shkëputen krejtësisht nga vendi i tyre dhe të rrokullisen poshtë shpatit. Shpesh, në bazë të skarpatave në Kepin e Rodonit gjenden konkrecione të tilla të rrëzuara, të cilat formojnë një brez gurësh pothuaj rrethorë buzë këmbëve të kodrës.

Konkrecione sferike që dalin në pah nga shtresat argjilore në Kepin e Rodonit. Vërehet se si blloqet e rrumbullakëta dallojnë në ngjyrë dhe formë nga shtresat shkëmbore përreth, i cili gërryhet më lehtë nga shirat dhe graviteti. Foto e autorit.

Klima dhe faktorët biologjikë luajnë gjithashtu një rol. Në stinët e shirave të rrëmbyeshëm, uji depërton në çarjet e shkëmbit dhe mund të shkaktojë rrëshqitje të vogla ose shkarje dheu, që nxjerrin në dritë konkrecionet e fshehura. Thatësirat pas shirave bëjnë që argjilat të bymehen e të tkurren, duke liruar edhe më tej blloqet e çimentuara. Ndërkohë, rrënjët e bimësisë (për shembull, shkurret dhe drurët me rrënjë invazive) depërtojnë në shtresat e lagështa dhe mund të rriten rreth e qark konkrecioneve. Teksa rrënjët zgjerohen, ato ushtrojnë presion mekanik në sedimentin përreth, duke kontribuar në shkëputjen e konkrecionit nga shtrati. Madje, shpesh shihen rrënjë apo bimë të vogla të kapura pas ndonjë konkrecioni të ekspozuar, sikur ta kenë “shtyrë” atë jashtë vendit. Gjithë ky proces është i ngadaltë, por i pandalshëm: me kalimin e viteve dhe shekujve, konkrecionet migrojnë nga brendësia e kodrës drejt sipërfaqes dhe përfundojnë të shtrira në brigjet e kepit ose në shpatet e poshtme e në bregdet.

Pamje e konkrecioneve në bregdetin e Kepit të Rodonit. Foto e autorit.

Një aspekt interesant i erozionit është se vetë konkrecionet, pasi ekspozohen, fillojnë të ndryshojnë. Ndikimi i ujit të kripur të detit, i cikleve të lagështirës dhe thatësirës, si dhe i temperaturave, mund të shkaktojë plasaritje të mëtejshme në sipërfaqen e tyre. Disa konkrecione mund të ndahen me kalimin e kohës, duke zbuluar strukturën e tyre të brendshme (p.sh. unaza koncentrike ose çarje të mbushura me kristale). Kjo është vënë re edhe tek Moeraki Boulders në Zelandë të Re, ku agjentët atmosferikë kanë zhveshur shtresat e jashtme të disa gurëve, duke ekspozuar modelin e brendshëm septar . Në Kepin e Rodonit, dallohen gjithashtu konkrecione me sipërfaqe të gërryer a të çarë, një tregues ky që natyra vazhdon t’i skalisë edhe pasi ato kanë dalë në dritë.

Atraksion natyror dhe nevoja për mbrojtje.

Konkrecionet e Kepit të Rodonit janë padyshim një atraksion gjeoturistik në zhvillim. Vizitorët e apasionuar pas natyrës dhe aventurës mund të eksplorojnë këtë fenomen unik në qendër të Shqipërisë, duke kombinuar shëtitjet në bregdet me kuriozitetin shkencor. Guidat hiking/trekking mund të përfshijnë ndalesa tek vendet ku konkrecionet janë më të dukshme, duke ofruar shpjegime edukative mbi origjinën e tyre. Një krahasim i tillë mund të bëhet atraktiv edhe për turistët e huaj, sidomos po të theksohet ngjashmëria me Moeraki Boulders apo formacione të tjera botërore – duke e pozicionuar Kepin e Rodonit në hartën e destinacioneve të veçanta natyrore. Ky potencial turistik, nëse menaxhohet në mënyrë të qëndrueshme, mund të sjellë përfitime si: zhvillim të ekoturizmit, ndërgjegjësim mjedisor, etj.

Duke eksploruar konkrecionet e Kepit të Rodonit. Foto e autorit.

Aktualisht, Kepi i Rodonit gëzon njëfarë statusi mbrojtës ligjor. Ai është propozuar të shpallet Peizazh i Mbrojtur me një sipërfaqe prej rreth 1500 hektarësh , ndërsa shpesh është cilësuar edhe si “Monument Natyre” për shkak të vlerave të tij unike . Kjo do të thotë se ekzistojnë kufizime mbi aktivitetet ndërtimore dhe shfrytëzuese në zonë, megjithatë sfidat mbeten. Vitet e fundit, në zonën e kepit janë vënë re investime private në infrastrukturë turistike (p.sh. resorte luksoze, restorane), të cilat kanë ngritur pikëpyetje mbi ndikimin në ekosistem dhe peizazh . Zhvillimi i pakontrolluar urban pranë monumenteve natyrore mund të dëmtojë seriozisht integritetin e tyre: ndërtimet mund të shkaktojnë gërryerje, shpërthime guri, ndotje ose thjesht prishje të bukurisë natyrore.

Një profesor i huaj, i mahnitur nga bregdeti ynë, ka këshilluar:

“Ruajini këto perla të natyrës dhe mos përsërisni gabimin tonë”

– duke iu referuar betonizimit të bregdetit italian. Ky mesazh është tepër domethënës për Kepin e Rodonit: duhet gjetur balanca midis promovimit turistik dhe ruajtjes së vlerave natyrore e gjeologjike.

Si mund të ruhen konkrecionet e Kepit të Rodonit?

Së pari, është i nevojshëm monitorimi dhe dokumentimi nga institutet përkatëse – hartëzimi i vendeve ku ndodhen konkrecionet, matja e dimensioneve të tyre, gjendja e tyre (të plota apo të plasaritura), etj., për të pasur një bazë të dhënash shkencore.

Së dyti, edukimi i publikut: tabelat informuese në terren mund të shpjegojnë shkurtimisht fenomenin dhe të ndërgjegjësojnë vizitorët për mosdëmtimin e formacioneve. Përvoja në Moeraki tregon se kur nuk ka patur mbrojtje, vizitorët dikur merrnin gurët më të vegjël si suvenire – një gabim që tani ndalohet rreptësisht me ligj atje. Në Rodon, duhet paraprirë një situate e tillë duke ndaluar heqjen apo zhvendosjen e gurëve.

Së treti, kontrolli i ndërhyrjeve: çdo projekt infrastrukturor (rrugë turistike, godina, etj.) duhet t’i nënshtrohet vlerësimit „real“ mjedisor, ku aspekti gjeologjik të ketë peshë. Duhet shmangur kategorikisht përdorimi i eksplozivëve apo gërmimeve të mëdha pranë vendeve me konkrecione, sepse vibracionet dhe ndryshimi i drenazhit mund të shkaktojnë shembjen e shtresave dhe humbjen e eksponateve natyrore.

Në përfundim, konkrecionet e Kepit të Rodonit paraqesin një pasuri të dyfishtë: një objekt studimi shkencor unikal dhe një atraksion i bukur natyror. Menaxhimi i kujdesshëm i kësaj pasurie, përmes mbrojtjes ligjore, edukimit dhe planifikimit të turizmit, do të sigurojë që kushdo të ketë mundësi të admirojë e të mësojë prej “gurrave të gjalla” që natyra ka skalitur në bregdetin tonë.

Konkrecionet na kujtojnë se Shqipëria fsheh ende sekrete gjeologjike të mrekullueshme, të cilat presin të zbulohen e vlerësohen siç duhet.

You may also like

Adblock Detected

Please support us by disabling your AdBlocker extension from your browsers for our website.